Në Universitetin e Freiburgut u hap ekspozita kushtuar Nënës Terezë

Sonte, në ambientet e Universitetit të Freiburgut në Zvicër, u hap një ekspozitë me foto e dokumente, meqë rast për personalitetin e Nënës Terezë folën dy nga profesorë e këtushëm universitar dhe zvicerane që për një kohë kishte shërbyer si ndihmëse e Nënës Terezë në Kalkutë

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Personaliteti dhe figura madhore Nënës Terezë, si nënë e përbotshme tashmë i ka kaluar meridianët e kontinentet. Këtë më së miri e ilustroi ekspozita e mbrëmshme, që u hap në ambientet e Universitetit të Freiburgut në Zvicër, e ku fotot e materialet për te u sollën nga Meksika, gjegjësisht nga një shoqatë e atjeshme që me vite kishte punuar në grumbullimin e materialeve të lidhura me një periudhë të jetës së humanistes së madhe me origjinë shqiptare. Në te pasqyrohej mjedisi politik dhe shpirtëror i adoleshentes shqiptare, si dhe rrugëtimi i saj si një murgeshë e re deri në krijimin e rregulitit fetar në Indi. Njëkohësisht portretizohej edhe puna e saj misionare dhe përshpirtërimi i saj

Origjinën dhe prejardhjen shqiptare të Nënës Terezë, veçmas e vunë në spikamë edhe Prof. Dr. utr. iur. René Pahud de Mortanges, profesor i Historisë së të drejtës dhe të drejtave religjioze, pastaj Prof. Markus Gmür – Vize rektor dhe Erika Trüssel nga Luzerni, që për një kohë kishte shërbyer në Kalkut si ndihmëse e Nënës Terezë. Që të tria këto personalitete folën për veprën madhore të Nënës Terezë si misionare, humaniste e shenjtore që me tërë qenien iu përkushtua atyre që patën më së shumti nevojë për dorën bamirëse të njeriut, siç ishte kjo nënë e madhe me origjinë shqiptare.

Ligjëruesit po ashtu veçuan angazhimin e komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Zvicrës e sidomos të studentëve shqiptarë të këtij universiteti, që në krye me asistentin universitar, Ramaj, dhanë kontribut të veçantë edhe në hapjen e kësaj ekspozite, e ku nuk mbetën anash as gratë shqiptare që kishin sjell edhe sa ushqime tradicionale të kuzhinës sonë.

Po ashtu, në këtë organizim ishte përfshi edhe Instituti për të Drejtën Fetare i këtij universiteti, përmes ngjarjeve shoqëruese, siç ishin edhe disa pika muzikore nga dy muzikantë dhe një shfaqje filmi..

Ekspozita, që u hap sonte, do të jetë e hapur deri më 20 Mars në ambientet e Universitetit të Freiburgut..