Librin me përkushtime poetike të autorëve të ndryshëm kushtuar heroit Sali Çekaj, në 15 vjetorin e vrasjes së heroit e ka përgatitur nga Arif Molliqi dhe redaktuar Shefqet Dibrani, ndërsa botimin e kanë mundësuar SH.H. “Sali Çeku” në Gjermani e Zvicër.
Rexhep Rifati
Pikërisht në 15 vjetorin ne rënies së heroit Salih Çekaj, më 19 prill, në Sursee të kantonit të Luzernit, SH.H. “Sali Çeku” në Zvicër organizoi promovimin e librit poetik “PUHIZË PËRMBI KOSHARE”, me përkushtime poetike kushtuar heroit Sali Çekaj, e përgatitur nga shkrimtari Arif Molliqi. Në këtë eveniment të organizuar nga kjo shoqatë, merrnin pjesë, pos bashkatdhetarëve nga kjo anë edhe miq e bashkëluftëtarë të heroit. Me këtë rast redaktori i librit, shkrimtari Shefqet Dibrani, mbajti një vështrim analitik me temën: “Flijimi si nocion për lirinë”.
Dibrani potencoi se: Antologjia, me krijime poetike “PUHIZË PËRMBI KOSHARE”, kushtuar heroit të Kosovës, Salih Çekaj, ishte një sfidë për ideatorët dhe hartuesit e saj. Të kërkosh vlerat letrare mbi ato humane dhe t’i hulumtosh pa i lënduar këto koncepte, ishte po ashtu një sfidë tjetër për të sajuar këtë libër me përkushtime letrare, për Njeriun që me vetëmohimin e tij derdhi Vetveten në Bronz duke u bërë sinonim i lirisë dhe vlerë për gjenerata të tëra, si dhe një frymëzim poetik për krijuesit e Etnisë. Në anën tjetër autorët nuk janë të një gjenerate, as nuk janë nga një rreth i ngushtë regjional, prandaj këto përkushtime letrare marrin dimensione universale, duke ia rritur vlerën kësaj vepre me përkushtime poetike.
Më pastaj Shefqet Dibrani, përkujton se: “Në libër janë përfshirë mjaft poetë, të cilët me veprat e tyre e kanë të shkruar profilin e biografisë, siç janë: Visar Zhiti, Arif Molliqi, Bilal Maliqi, Bujar Salihu, Faruk Tasholli, Haxhi Vokshi, Naim Kelmendi, Sabit Rrustemi, Sadik Krasniqi, Sejdi Berisha, Skënder Zogaj, e ndonjë tjetër të cilët ndoshta do ta meritonin ti përfshinim në këtë grup, por pa pasur qëllime të lëndojmë askëndin po i përmendim edhe mjaftë emra të tjerë të cilët kush më pak e kush më shumë kanë shënuar biografinë e tyre letrare me librat e botuar pasi një mori sish janë autor të disa veprave letrare mjaftë të suksesshme, siç janë: Ali Alidemaj, Ali R. Berisha, Bardhyl Maliqi, Beqë Lokaj, Dan Gashi, Fran Tanushi, Gani Qarri, Ilmi Veliu, Liman Zogaj, Maxhun Smajli, Mentor Thaqi, Murteza Osdautaj, Musa Jupolli, Naim Fetaj, Neki Lulaj, Nikollë Loka, Nimon Muça, Pal Sokoli, Rita Salihu, Sofe Sadrija – Rizaj e Shaban Cakolli. E disa syresh të cilët nuk kanë libra të botuar, ose unë nuk kam qenë sa duhet i informuar, janë përfshirë në këtë antologji për të parën herë, sepse poezitë e tyre i kushtohen Salih Çekajt, në mesin e të cilëve janë: Ajete Pavataj, Agron Tolaj, Emrush Lokaj, Halil Fazliu, Islam Sadiki, Jashar H. Selmanaj, Nazif Ramabaja, Nezir Beqiri dhe Selman Syla. E veçanta e prezantimit është se dikush vjen nga fusha e artit ushtarak, të tjerë nga fusha e politikës, e ku ta dimë edhe nga cilat profesione të tjera, por emëruesi i përbashkët siç thamë edhe më lartë janë krijimet poetike kushtuar Heroit të Kosovës, Salih Çekaj!….
Ajo që ka bashkuar në një libër këtë diversitet vlerash, moshash, profesionesh dhe shtrirjesh gjeografike janë simbolet poetike, janë metaforat e lirisë dhe të flijimit, përkatësisht metafora e flijimit për ta realizuar lirinë, që si përkushtime poetike, nuancojnë me vlerën e Heroit Salih Çekaj, kurse tani këto Vlera janë të derdhura, përkatësisht të shkruara si statuja në bronz, duke bërë një obelisk të përbashkët poetik, mjaft monumental.,- vlerësoi Shefqet Dibrani.
Autori i kësaj antologjie Arif Molliqi, në fillim falënderoi SHH” Sali Çekaj” në Zvicër dhe në Gjermani për përkrahjen e idesë për botimin e këtyre poezive kushtuar heroit Sali Çekajt, që siç tha: dorën në zemër, kjo s´ishte ide vetëm e imja por edhe e shumë miqve, poetëve dhe krijuesve që kishim biseduar aq herë për jetën dhe veprën e heroit e më pastaj një falënderim të veçantë ia dedikoi poetit dhe publicistit Shefqet Dibranin, i cili siç nënvizoi: në çaste të “rebelimit” tim, më përkrahu që idenë e këtyre përkushtimeve ta çoj deri në fund. Aq më shumë kur edhe u angazhua sinqerisht deri në fund për ketë puhizë poetike.
Molliqi më tej shtoi se: Pa dashur të bëj ndonjë krahasim cilësor mes jetës sublime të heroit dhe këtyre poezive, gjatë përgatitjes se librit gjeta se; ndjenjat dhe frymëzimet e krijuesve mbi heroizmin e heroit Sali Çekajt, mbi madhështinë e luftëtareve të UÇK-së, mbi jetën e te gjithë atyre që dhanë jetën për atdhe, janë fakte që vijnë dhe vargun poetik e shndërrojnë në vlerë. Pra, më një strukturë të përkryer poezish, plot emocione, ndjenja, dhimbje, dashuri për heroin, por pa retorike dhe folklorizëm të tepruar libri poetik “Puhizë përmbi Koshare”, kthehet në vlerë. Ky konstatim, vjen dhe e forcon mendimi se autorët e poezive janë mishëruar shpirtërisht më veprën heroike të Sali Çekajt.
Edhe të ky libër, derisa ju ti lexoni poezitë, nuk shihni as luftë, as armë, as vdekje, por brenda shpirtit t ‘juaj përjetohen ato, ju parafytyroni sikur i shihni të gjitha; edhe luftën, edhe heroizmin, edhe dhimbjen e luftëtarit, vuajtjet e tyre, çastet e tyre ballë për ballë më armikun…
Që të mos duket se po mundohem t´ju bindi që ta lexoni më çdo kusht ketë libër, po e përfundoj duke ua lenë ju ta ringjallnin vargun poetik, e brenda atyre poezive të bashkëbisedoni me heroin tonë Sali Çekaj, Agim Ramadanin, Xhemail Fetahin dhe më të gjithë ata që dhanë jetën për liri, pa brohoritur ”lavdi”!, mbase, lavdia e jetës dhe e emrit të tyre është e përhershme,- përfundoi Arif Molliqi, poet me banim prej sa vitesh në Gjermani.
Me këtë rast veprimtari, Qamil Çekaj, i cili edhe udhëhoqi këtë promovim, lexoi një biografi kushtuar Salih Çekajt, ndërsa Ajet Avdyli, foli për veprimtarinë e heroit, duke e ndarë atë në dy kapituj, etapa kohore: Veprimtarinë politike, derisa ishte nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjermani, dhe atë ushtarake kur shkoi në luftë e derisa ra heroikisht në Koshare më 19 prill 1999.
Ky eveniment u përmbyllë me leximin e disa poezive të autorëve të pranishëm, ndër të cilët edhe dy poetë që kishin ardhur nga Gjermania: poeti dhe miku i Salihut, Naim Fetaj dhe Neki Lulaj, nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve në Shqiptarë në Gjermani. Në cilësinë e nikoqirit të pranishmit i përshëndeti, Xhemajl Haxhiu, kryetar i shoqatës “Sali Çeku”, shoqatë kjo e cila, pos veprimtarisë humanitare shquhet edhe me botimin dhe promovimin e librave të autorëve shqiptarë.



















