I.
Shpirtrat e shqiptarëve i trazoi një kumt: Serbët e kanë licencuar lahutën si një vegël të tyre në organizatën e trashëgimisë kulturore botërore. Studiuesit thonë se rilindasi serb Vuk Karaxhiq kishte mbledhur këngë shqiptare dhe ato i kishte shitur si serbe. Kjo e lahutës tani është kulmi. Iu ra si një damlla. Mu kur shqiptarët dukeshin në avantazh me vendosjen e taksës qind për qind për produktet serbe në Kosovë. Aq më tepër në vigjilje të formimit të ushtrisë së Kosovës. (Duke i abstraguar këtu tërheqjet e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga disa vende.)
Të vrerosur, shqiptarët teptisin nga Facebooku t’i mbushin mendjen botës për origjinën shqiptare të këtij instrumenti muzikor! Me mesazhe, imazhe dhe homazhe. Si gjithmonë kur i godet një taksirat. Si me rastin e enciklopedisë së akademikëve të Maqedonsië. Së cilës në fund iu përgjigjën me një enciklopedi shqiptare me burime nga enciklopedia elektronike Wikipedia! E kujtojnë „Lahutën e Malësisë“. Më të informuarit evokojnë „Eposin e kreshnikëve“.
Para disa dekadash opinionin shqiptar e tronditi Ismail Kadare me esenë „Autobiografia e popullit në vargje“, që tematizonte luftën midis popujve të ballkanit për autorësinë e disa miteve. Këtu bëjnë pjesë eposi i kreshnikëve, ai i ringjalljes, i flijimit në urë e në mur… Ato që te shqiptarët njihen si legjenda e Mujit e Halilit, Doruntinës, Rozafasë. Pavarësisht se të mbarsura edhe me motive të tjera, veprat „Kush e solli Doruntinën“, „Ura me tre harqe“ e të tjera janë kontributi i Kadaresë në këtë luftë ballkanike. Kështu interpretohen edhe dramat „Mite të zhveshura“ të Rexhep Qosjes.
Tani fjalën e kanë studiuesit shqiptarë. Dhe, ata nuk duhet t’u drejtohen shqiptarëve nëse kanë prova kundër ambicies serbe dhe miratimit të UNESCO-s.
II.
Shprehje e vitit 2018 në Zvicër është shpallur ajo „Doppeladler“. Në shqip: „Shqiponjë dykrenare“. Kjo përzgjedhje po kujdeset edhe njëherë për debate në Zviciër. Por, kështu e ka gjetur me vend Departamenti i Linguistikës së Aplikuar në Shkollën e Lartë për Shkenca të Aplikuara të Cyrihut (ZHAW). Në një fazë të parë mes një algoritmi, që ka gjeneruar 20 shprehjet më të përhapura në tekste të botuara; pastaj mes një jurie specialistësh, e cila e ka vdendosur kampionin sipas kriterit të „relevancës shoqërore“.
Kjo shprehje mer shkas nga kremtimi i golave të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit në lojën midis Zvicrës dhe Serbisë në Kampionatin Botëror të Futbollit të këtij viti në Rusi. Formimi me duar i shkabës dykrenare si simbol ngadhnjimi nga dy futbollistë zviceranë me rrënjë shqiptare, dhe një zvicerani pa rrënjë shqiptare, nxiti në Zvicër një debat të gjërë për identitetin, biidentitetin, kulturën, sportin dhe politikën.
Shqiptarët vazhdojnë të prodhojnë debat në Zvicër. Këtë vit me një zog shqiponje kanë hedhur dy gurë! Ata prej njëzet e më shumë vitesh janë temë e opinionit zviceran. Në të shumtën e herave në një kontekst problematik, si protagonistë shkeljesh dhe të dështimit të integrimit. Lajmi i mirë tani është se është subtilizuar debati që prodhojnë shqiptarët. Në të vërtetë, dhe fatkeqësisht, duke mos u shuar akoma lajmet e këqia. Imazhi i shqiptarëve në opinionin zviceran nuk është i bardhë. Nuk është as i zi. Ai është gri!
III.
Kush është shprehja e vitit në opinionin publik shqiptar? Mbase ajo „kazan“, të cilën e ka afirmuar kryetari i ministrave të Shqipërisë si një atribut për mediet. Kazani, sipas fjalorit të gjuhës shqipe në një kuptim është „vendi ku zhvillohet një veprimtari e ethshme, ku zien lufta e mendimeve etj.; vendi ku përpunohet një mendim për të mashtruar të tjerët, burimi nga lind dhe përhapet një trillim, një shpifje etj.
Por, kreu i ministrave të Shqipërisë nga partia e socialistëve nuk e ka për ato medie që ndërpresin transmetimin e protestës së studentëve për një shkollimin publik më solidar dhe japin fjalën e tij përshëndetëse për hotelet me pesë yje. Nuk e ka as për ato medie që i japin bruto reportazhet e Kyekryeqytetasit të përgatitura, sipas shembullit të Kryministrit, në zyrat e veta. Dhe, të ngjashme. Ai e ka me ato medie që e pyesin se a ka partia e tij një njeri për ministër të Brendshëm, i cili nuk përflitet për përfshirje në afera të drogës. Dhe, të ngjashme.
„Kazani“ nuk është fjalë e këtij viti, Kryeministri atë e ka prej dy vjetësh në majë të gjuhës. Tani do kujtuar etimologjinë e saj në politikë. Ajo u mor nga ish deputeti i socilaistëve Ben Blushi, kur i ftoi qytetarët që t’i shkruanin në kazanët e plehrave emrat e atyre politikanëve që ishin për Ligjin e Plahrave. Ju kujtohet Ligji i Plehrave? Ai të cilin e ndaloi Kryeministri kur ishte në opozitë, duke iu hakërryer ish kryetarit të ministrave në avaz të kreshnikëve… dhe që e risolli vetë në mandatin e parë të qeverisë së tij!
IV.
Mbase duhet parë në mënyrë më të diferencuar. Opinioni publik në Kosovë nganjëherë ka një tjetër agjendë. Energjitë e tij i ka shpenzuar kohëve të fundit aq shumë me shprehjen „korrigjim kufinjsh“, e afirmuar nga kreu i shtetit të Kosovës. Opinioni publik në Kosovë akoma përgjërohet dhe grindet të marrë vesh se ç’kuptohet nën këtë „korrigjimin e kufinjve“.
Vetë sponsori i këtij koncepti në krye të herës e ka thënë që finalja e korrigjimit të kufinjve do të ishte bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën. Ndërsa – dhe ky është sihariqi i vërtetë – Kosova nuk ka për të dhënë territor! Kjo mbase nuk do të jetë shprehja e vitit. Mbase do të jetë fjala e shekullit. Pa asnjë dyshim: Të parit të Kosovës nëse ndodh ky korrigjim kufinjsh ka për t’iu kënduar kënga. Vetëm ta shohim me cilën lahutë…
Në Maqedoni? Shqiptarët atje nuk prodhojnë debat. Ata janë të bindur.