Muzeu i Shtjefën Ivezajt, në Lekaj të Malësisë, një thesar i rrallë kombëtar

Ky muze privat, i themeluar brenda shtëpisë Ivezaj, më 1 Maj 2002, me premisa të një muzeu të vogël kombëtar, nuk financohet nga asnjë organizatë apo institucion, ndërsa që ruan një thesar të vërtet etno-kulturor, që vizitohet edhe nga shumë mërgimtarë që ia mësyjnë katundit Lekaj në afërsi të Tuzit. Këtu edhe disa krijues gjetën frymëzim për vargje poetike, ndërsa që Presidenti i Shqipërisë dekoroi Shtjefnin me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Në një vizitë tek etnologu e atdhetari i shquar i ditëve tona, në katundin Lekaj, i cili ndonëse në moshë mbi 80 vjeçare, grumbullon vlerat më të mira materiale të Malësisë së Madhe, duke e kthyer shtëpinë e banimit që nga viti 2002 në një Muze të mirëfilltë etnografik, në një objekt unik, të pa shembull në trojet etnike. Dhe jo vetëm kaq po si në oborr ashtu edhe brenda shtëpisë ka shumë simbolik, çka flet edhe për një shpirt përplot pasion e lirikë, siç është në jetë e në vepër edhe vet autori dhe themeluesi i këtij muzeu, etnologu dhe miku im shumë i respektuar Shjefën Ivezaj.

Muzeu produkt i një pasioni e dashurie

Vërtetë posa të hysh në oborrin e Shtjefnit dhe të vizitosh si çdo cep të oborrit ashtu edhe të gjitha dhomat të kthyera në objekte muzeal, syri të kap diç të paparë, që nuk mund të gjesh në shumë muze të trojeve shqiptare që mirëmbahen e menaxhohen nga parat e shtetit.  Dhe kur i krahason ato muze me këtë të  Shtjefën Ivezajt në Lekaj, vështirë e ke vështirë të imagjinosh se si ka arritur ky njeri i pasionuar të grumbullojë kaq shumë artefakte pa pasur as ndihmën më të vogël financiare, por i prirë vetëm nga vullneti dhe dashuria për vlerat kombëtare, pa rresht ndër vite e dekada.

Një nga muzetë më të veçanta familjare në trojet etnike

Ai shquhet si muzeolog, me një nga muzetë më të veçanta familjare në trojet etnike, duke e kthyer tërë shtëpinë në muze, vlerë të pakontestueshme kombëtare. Ai ishte dhe mbetet një etnolog, fotograf e bibliotekist faktik, që për më tepër se gjysmë shekulli bashkë me të shoqen e tij Gjysten  u vunë si bleta pas zgjojeve në grumbullimin e materialeve me rëndësi të veçantë etnografike, me vlerë të jashtëzakonshme kulturore e kombëtare.

Një thesar i madh brenda katër dhomave të vogla!

Do theksuar se brenda tri-katër dhomave, Shtjefni ka arrite të grumbullojë e sistemojë me qindra e qindra artefakte nga fusha të ndryshme të jetës, filluar nga ato të amvisërisë, bujqësisë, por edhe të artit të luftës, siç janë armët e lehta nga periudha të ndryshme kohore, pastaj instrumente popullore muzikore nga ma të ndryshmet, por edhe aparate të ndryshme fotografike, pasi një kohë ushtroi edhe profesionin e fotografit e deri tek një bibliotekë shumë e rrallë ku mund të hasësh në një thesar veprash arti e kulture.

“Nderi i Kombit”- dekoratë nga Presidenti i Shqipërisë

Ky muze privat, që ka premisat e një muzeu të vogël kombëtar, ndonëse nuk financohet nga asnjë institucion, vizitohet me të madhe si nga kolektive shkollore, ashtu edhe vizitorë të shumtë nga mërgata që ia mësyjnë kësaj pjese të Malësisë së Madhe, jo larg Tuzit. Madje këtu kanë ardhur edhe shumë krijues arti, duke gjete frymëzim edhe për ndonjë varg poetik, apo edhe burrështetas të ndryshëm. Do shtuar, se presidenti i Shqipërisë ka dekoruar Shtjefënin me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Ndërkaq qe gjatë tri vizitave që kam bërë këtij muzeu me bashkudhëtarin tim nëpër trojet shqiptare, elktroinxhinierin, Jakup Reka, kemi has në pritje të veçantë nga Shjefëni dhe shoqja e tij Gjystja. Ndaj edhe me këtë rast i falënderojmë në veçanti si për punën e madhe në pasurimin e artit tonë etnografik ashtu edhe pritjen shumë bujare e vëllazërore që na kanë bërë.

Krejt ne fund: uroj që qifti Shtjefëni dhe Gjyste  Ivezaj të kenë shëndetin e vullnetin për këtë punë të mrekullueshme, sikur bleta kur mbledhë nektarin edhe këta arritën të mbledhin tërë atë që paraqet jo vetëm vlerë materiale por edhe shpirtërore, e që përbën një art të vërtetë të njerëzve të Malësisë së Madhe ndër shekuj.

“Shtjefën Ivezaj, njeriu muze”

Gjatë shtjellimit të këtij teksti huazova një fragment nga shkrimi i kolegut Ndue Dedaj, me titull “Shtjefën Ivezaj, njeriu muze”, ku Ndue potencon se: Në botën shqiptare do të hasësh personazhe të pazakontë, me plot kuptimin e fjalës, që për vendin e tyre nuk u mjafton as shtëpia, as pasuria, as jeta.

Për të vazhduar më tej se: Në gjithësinë e objekteve të ekspozuara, boshti ku rrotullohet muza trashëgimore tejet e larmishme është kombi shqiptar. Vijnë e filmojnë nga vende të ndryshme për ata që nuk mund ta vizitojnë këtë muze nga afër, se duan që fëmijët e tyre në Amerikë, Gjermani, Zvicër ta njohin visarin e pasur të traditës.

Kur ia kishte hyrë kësaj pune mbase nuk e kishte shkuar ndër mend Shtjefën Gjeçovin, gjurmimet që ai bënte në Gomsiqe në fillim të shekullit XX, duke zbuluar e duke koleksionuar kulturën e Komanit e të tjerë. Ky Shtjefni i “dytë” i Malësisë, njëqind vjet pas të parit, thjesht nuk kishte dashur të bjerrej kultura e të parëve të tij. Por a e kemi kuptuar ne këtë njeri-muze, që ato relikte i ka të lidhura pas gjuhës dhe shpirtit, para se t’i ketë të afishuara në mure? Na duket se jo dhe aq, edhe pse ai është modest e nuk e bërtet.

“Me më dhanë arin e krejt botës nuk e tjetërsoj këtë muze !”

Por nuk është e vështirë të kuptohet se ai është i pakënaqur nga institucionet shtetërore të kulturës në Shqipëri dhe Kosovë, që nuk kanë investuar asgjë për këtë muze, që është i të gjithë shqiptarëve. “Me më dhanë arin e krejt botës nuk e tjetërsoj këtë muze. Ka 13 vjet që jetoi si në epokën e gurit me familjen time për të.” Kaq thotë ai, me krenari të natyrshme prej shqiptari, duke lënë të kuptohet se ka pasur ndonjë ofertë nga institucionet malazeze. Po institucionet shqiptare, që iu bie barra të parave, pa përjashtuar dhe ato të Malit të Zi? Nuk ka asnjë projekt se ç’do të bëhet për vazhdimësinë e këtij muzeu. Nuk mund t’i shtohen dy a tre kat kësaj ndërtese? Nuk mund të paguhet një etnograf që të kujdeset për këtë pasuri të pazëvendësueshme, duke kryer dhe studime rreth saj? Iu takon enteve të specializuara të bëjnë një botim të posaçëm të vlerave të këtij muzeu, pasi aty ka dhe aso relikesh që nuk ndodhën askund tjetër. Kontribut mund të japin dhe organizmat që merren me turizmin, pasi ky muze tashmë është ndër më të kërkuarit nga vizitorët.

E prapë zot, kujdestar e ciceron i tij, vetëm Shtjefni!…”

Disa rreshta jetëshkrimi për Shjefën Ivezajn

Shtjefen Ivezaj, asht biri i një familje te njohur nga Malsia e Madhe. Ai ka lindur me 30 gusht 1937, ne Pikale / Tuz te Malit te Zi, ne kryeqytetin e se cilit (Podgorice), ka krye dhe arsimin e mesëm ne gjuhen serbokroate. Ai asht babai i tre fëmijëve, dy djem e një vajze. Për te përballua jetesën, Shtjefni, punoj pre disa vite ne zanatin e tornitorit, por qe ne vitin 1954 arriti te realizoje dëshirën e tij për tu bërë fotograf profesionist. Vazhdoi gjatë karrierës së tij për të punuar në të gjitha zonat e ish- Jugosllavisë.  Si rezultat i punës së tij krijuese dhe talentit te tij, ne vitin 1966, Shtjefni krijoi laboratorin e pare profesional te fotografisë ne Malësi, gjegjësisht në Tuz, në mënyrë që pastaj shumë nga aparatet e tij të dikurshme ti ekspozojë në muzeun e tij.

Krejt në fund do theksuar se ky muze nuk është vetëm një muze familjar, që u kijua, ruajt e menaxhua nga dy të moshuar që kanë kaluar të 80-tatë , por një pasuri e vërtetë kombëtare, për të cilën duhet menduar e kujdesur edhe në të ardhmen.