Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gurë, ndërsa historia jonë është e qëndisur në Xhubletë, e lashtë 4 mijë vjet dhe nga tani pasuri e gjithë njerëzimit! Një lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore, si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë!
Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, përfundi në formë valë-valë, sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurrur me breza gajtanësh. Veshja konsiderohet unike për shkak të formës, strukturës dhe mënyrës se si është zbukuruar me grep.
Në shekullin e XVIII-të, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra por në ditët e sotme janë të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Xhubleta na paraqitet sot si veshje tradicionale e grave në Alpet Shqiptare, mbahet e varur në supe me dy rripa të gjërë.
Në kohëra lufte e ruajti me kokëfortësi identitetin e kombit shqiptar, nëpërmjet motiveve edhe simboleve të ndryshme, që tregojnë dashurinë ndaj atdheut, besimin në Zot dhe bukurinë e femrës malësore. Zonat që gjithmonë kanë përdorur xhubletën janë Malësia e Madhe dhe Dukagjni, disa fise të nën Shkodrës të zbritura nga Malësia, shqiptarët e Malit të Zi dhe ata të Rugovës në Kosovë.
Xhubleta ka një analogji me gratë arbëreshe të cilat kur u vendosën në jug të Italisë pas vdekjes së Skënderbeut, në kezat e tyre qëndisën vulat e fshehta të fisnikërisë arbërore e që u ruajtën me shekuj. Edhe Xhubleta ka shërbyer si një transportuese kalimesh nga koha në kohë, me funksion të lartë kultik për të lartësuar hyjninë e lashtë “Magna Matter” Nëna e Madhe, për të mbrojtur zinxhirin e pashkëputur të jetës, me shenjëza të mirëpërcaktuara e të gjalla që ndikojnë rrjetin energjetik të natyrës së jetës.
Autori hungarez Daniel Kornidez shkruan:
“As palloi e as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e grave Kelmendase”.