Në kuadër të festimit të 17 Shkurtit në Sirnach, ku katër pika shkollor shfaqen një program, pati edhe pikë dominuese kushtuar pensionimit të mësuesit Gani Shala i lindur në Gjilan dhe i diplomuar në Letërsi shqipe në Prishtinë, që deri më tash dha mësimin plotësues në tri qytete zvicerane.- Në shenjë falënderimi për punën e tij me përkushtim, pati sa e sa vizatime e lule nga nxënësit për mësuesin e tyre, ndërsa veprimtarët e St. Galenit i sollën komplete librash e prindërit një kupon për një fluturim me helikopter bashkë me të shoqen
Teksti: Rexhep Rifati & fotot Afrim Nevzadi
Të jesh mësues i gjuhës sate në një vend të huaj padyshim se është një privilegj dhe dhunti hyjnore e përcjell nga toka e të parëve në një truall të ri, ku një fidan jep filiza, por që ruan sado pak nga rrënjët e tokës stërgjyshore.
Ndaj edhe ajo që pamë e përjetuam me qindra mërgimtarë, kryesisht nxënës e prindër në manifestimin në qytetin e Sirnahut, ishte mbresëlënëse dhe unike, për një mësues që me dekada ka shpërnda dije e dashuri për tokën amtare. Kësaj radhe ishte pikërisht mësuesi Gani Shala që iu përshkuan aq shumë epitete e cilësi sa ishin vulos edhe në një ekspozitë me vizatime fëmijësh, ku në secilin nga ta figuronte emri i këtij mësuesi me shumë zemra të falura nga nxënësit tij.
Në këtë frymë ishte edhe fjala e veprimtarit Jusuf Sherifi i cili me këtë mësues ka ndarë shumë aktivitete të përbashkëta ndaj edhe deshti që edhe në emër të Agush Bujës ta shpërblente mësuesin Gani Shala me një komplet librash.
Shkëputa një fragment nga fjala e Isuf Sherifit: “Duam që t`i themi disa fjalë në shenjë falënderimi për gjithçka që ke bërë për të mirë të Gjuhës Shqipe, Kombit dhe Atdheut. Puna dhe përkushtimi yt shpeshherë vetëmohues, shpërfaqin njeriun, atdhetarin dhe mësuesin idealist, që për dekada të tëra shpërndau dhe mbolli mirësinë mes njerëzve, dashurinë për vendin – vendlindjen, dhe dritën e diturisë, ngjashëm siç bënë rilindësit tanë si Konstandin Kristoforidhi, Pandeli Sotiri, Motrat Qiriazi, e qindra të tjerë…”
Tejet i emocionuar, mësuesi Gani Shala iu drejtua të pranishmëve me pak , fjalë nga të cilat shkëputa ca fragmente:
Të dashur nxënës, të dashur prindër, të nderuar pjesëmarrës bukur gjate jam menduar, sepse kisha dilema dhe e pata të vështirë te dalë sot te flas para jush. Megjithatë, do të mundohem të them pak fjale duke e shtërnguar veten qe te mos me mashtron loti e te mos më dridhet zëri, sepse nuk po mund te paramendoj se do te ndahem nga nxënësit e mi me të cilët kam kaluar çaste te paharruara e ndjenja dhe emocione dridhëruese gëzimi.
Te dashur prindër e nxënës, unë jam munduar, edhe këtu, ne shkollë, qe nxënësit e mi te bëhen mjeshtër, dijetarë, atdhetarë e ndërtues te gjithanshëm, jam munduar qe te ndikoj qe të mos e harrojnë gjuhen shqipe, jam munduar qe t’ua ngris vetëdijen kombëtare e te mbjellë dashurinë ndaj gjuhës e Atdheut tone te dashur. Dhe këtë kënaqësi ma kanë dhënë prindërit shqiptarë qe i kane sjell fëmijët në këtë vatër të ngrohtë të gjuhës se ëmbël
shqipe… “
Gjatë këtij programi, ishin edhe nxënësit e mësuesit Gani, që sollën freski të veçantë me disa pika, ndërsa që në mësuesja Hanife Adili i solli një dhuratë në shenjë falënderimi.
Më pastaj u lexua një letër falënderimi, shkruar nga mësuesja, Mireme Bajrami Idrizi, që për një kohë kishte qenë edhe nxënëse e mësuesit Gani e ku vlerësohej lartë puna e mësuesit të saj që sapo pensionohej.
Në letër thuhej se: “ Mësuesi Gani, që nga dita e parë që u takuam, na udhëhoqe me një pasion për dijen dhe një dashuri për mësimin që bëri një ndryshim të thellë në jetën e fëmijëve tonë. Nëpërmjet një angazhimi të pafund dhe një dashurie të palodhur për atdheun dhe për arsimin, ti, Gani, ke përcjellë një pasion të zjarrtë për dijen dhe për kulturën tonë. Me një dashuri të paimagjinueshme për atdheun tonë dhe për shkollën tonë, ti ke ndihmuar të formosh brez pas brezi të nxënësve me një vizion për të ardhmen.
Fluturimi me Helikopter, përveç pamjeve të mrekullueshme që ofron, ai gjithashtu përjeton turbulenca dhe ndryshime të papritura në rrugën e tij. Por, ashtu siç ka turbulenca dhe sfida në fluturimin me helikopter, në jetën profesionale përjetojmë edhe momente të vështira dhe sfida që na bëjnë të rritemi dhe të ndryshojmë.
Sot, ne po shënojmë fundin e këtij fluturimi të mrekullueshëm me helikopter për ty, Gani. Ti ke udhëtuar me ne në këtë udhëtim të ngjitshëm, duke na udhëzuar dhe na mbështetur në çdo lëvizje. Kontributi yt në shkollën tonë është si një udhëtim nëpër qiell, plot me kujtime të mrekullueshme dhe emocione të paharrueshme.
Në këtë udhëtim të mrekullueshëm nëpër botën e arsimit, mësuesi ynë, Gani Shala, ka përhapur jo vetëm njohuritë e tij, por edhe dashurinë për gjuhën tonë të bukur shqipe. Duke e kultivuar dhe promovuar këtë gjuhë të lavdishme, ai ka shpërndarë dhuntinë e tij jo vetëm në fjalë, por edhe në frymën dhe identitetin tonë kombëtar, siç e shihni vetë.
Për të shprehur mirënjohjen tonë për të gjitha lartësitë dhe thellësitë e udhëtimit tënd, ne ta ofrojmë një fluturim emocionues me helikopter, si një simbol i aventurës dhe lirisë që po fillon në pension”, ishte kjo një fjalë sa miradije aq edhe mirënjohjeje për mësuesin veteran që punoi me vite në pikat shkollore të mësimit shqip, siç janë: Gosau, Uzwil dhe Wil.
Përndryshe mësuesi Gani mësimin plotësues shqip e kishte filluar në Shoqatën “Mëmëdheu” qysh në vitin 1993 e pastaj ne LAPSH nga viti 2011 – deri tani.
Me këtë rast edhe në emër të Redaksisë së portalit: prointegra.ch dhe në emrin tim i urojmë mësuesit Gani Shala shëndet dhe gjitha të mirat në familje.























