Mërgimtarët e Kushavecit në Zvicër përmes tubimeve ndihmojnë vendlindjen

290

Fshati Kushavec, ndonëse hy në radhën e fshatrave të vegjël të komunës së Gjakovës, megjithëkëtë në mërgatë, sidomos në Zvicër ka një komunitet të zellshëm e aktiv. Duke mos e harruar vendlindjen, këta mërgimtarë në tubimet e tyre vjetore pos që argëtohen, mjetet e tubuara ia dedikojnë infrastrukturës së fshatit apo edhe shkollimit të të rinjve përmes bursave

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Për këtë tubim të organizuar në mërgatë, më së miri u bindëm mbrëmë, në lokalitetin Birr të kantonit të Aargaut, ku mërgimtarët e Kushavecit, me miqtë dhe dashamirët e tyre, përmes një tubi festiv tradicional festuan edhe 11 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ishte ky një tubim me bashkatdhetarët , që në Zvicër janë shumë mirë të organizuar, që kanë një shoqatë me një kryesi tejet aktive të përbërë kryesisht nga të rinj që udhëhiqet nga Tunë Kërhanaj, shoqatë kjo që bënë punë relativisht të mëdha, duke mos e harruar asnjëherë vendlindjen, me ndihma, si për rregullimin e infrastrukturës së fshatit apo edhe për të ndihmuar ndonjë familje skamnore ose ndihmuar shkollimin e të rinjve përmes bursave.

Ndërkaq mbrëmë, më 2 Shkurt 2018, ishin mbi 100 e sa mërgimtarë moshash të ndryshme nga ky fshat, që me miqtë e tyre që të festojnë së bashku përmes një darke, nga e cila mjetet e tubuara i dedikohen vendlindjes, por edhe që pati një muzike të përzgjedhur shumë mbresëlënëse.  Edhe më mbresëlënëse ishte puna që bëhej në kuzhinë nga të rinjtë dhe mërgimtarët e tjerë, që vullnetarisht e me shpirt e përgatitnin ushqimin, që nga fitimi sado i vogël të ndihmojnë fshatin e tyre. 

Manifestimi i mbrëmshëm u hap nga Bernhard Topalli, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, në mesin e tyre falënderoi për prani afaristin e njohur shqiptar në Zvicër, Anton Nikolla, me prejardhje nga fshati Dol, në fqinjësi me Kushavecin. Më pastaj programi vazhdoi me disa pika artistike nga Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” në Zvicër, e cila impresionoi me një program të përzgjedhur me valle, si dhe këngëtarja Leonida Marjakaj që vazhdoi programin me këngë. Programi e freskuan edhe disa vogëlush simpatik me dhe disa recitime.

Ishte kjo një mbrëmje e bukur e të gjitha gjeneratave të mërgimtarëve të Kushavecit në Zvicër,: fëmijë, të rinj, por edhe të moshuar. Familjarë që çmalleshin me mallin e vendlindjes, por që mburreshin me arritjet e fëmijëve të tyre, që tash më janë inkuadruar mirë si në shkollim ashtu edhe punësim.

Për punën e mirë të këtyre mërgimtarëve, u dhurova në shenjë miqësie e respekti, librin tim “Shtegtimet e një gazetari”.