Më 28 Nëntor, inaugurimi i Monumentit të Gjergj Kastriotit në Garanë-Strellcë, Kërçovë

 

Pa dyshim se ky është një nga monumentet më të mëdha të Skënderbeut që ngritët në një fshat shqiptar, pikërisht në Ditën e Flamurit Kombëtar.- Tashmë është paralajmëruar se do të ketë një pjesëmarrje të madhe në rastin solemnë edhe nga mërgata

Më 28 Nëntor 2025, në kuadër të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, në fshatin Garanë të Kërçovës do të zhvillohet një manifestim solemn me rastin e inaugurimit të monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, të Bashkisë simbolike të fshatit dhe të emërtimit të rrugës kryesore me emrin e kryeheroit kombëtar.

Monumenti madhështor i Skënderbeut mbi kalë, me një lartësi totale prej 6 metrash (skulpturë bronzi 3 m dhe bazament 3 m), është vepër e skulptorit të njohur shqiptar, Fiqiri Kasa, dhe është porositur një vit më parë nga komuniteti i fshatit Garana pranë ateliesë së tij në Tiranë. Skulptura, tashmë në përfundim të punimeve në bronz, përfaqëson një përkushtim të lartë artistik dhe historik ndaj figurës së Heroit Kombëtar.

Paralelisht, në Garanë po ngrihet edhe godina e Bashkisë simbolike të fshatit – me sallë kuvendi dhe zyra për nevojat e bashkësis lokale. Brenda saj do të ekspozohet historia e fshatit, duke i dhënë vend identitetit lokal dhe ruajtjes së kujtesës historike.

Sipas z. Dr. med. Faik Elezi, kryetar i Shoqatës “Garana-Zvicër”, projekti realizohet falë përkushtimit dhe solidaritetit të lartë të bashkëfshatarëve të cilët kanë kontribuar bujarisht për mbledhjen e fondeve dhe avancimin me sukses të punimeve për ndërtimin e qendrës së re të fshatit, përfshirë monumentin e Skënderbeut, Bashkinë dhe hapësirën përreth.

Ceremonia e 28 Nëntorit do të mirëpresë bashkëfshatarët nga mërgata, historianë, gazetarë, këngëtarë (figura të njohura publike). Një moment i veçantë i manifestimit do të jetë pjesëmarrja e z. Loris Kastrioti, pasardhësit të Heroit Kombëtar, i cili do të përurojë zyrtarisht edhe rrugën hyrëse të fshatit.

Ky manifestim përfaqëson më shumë sesa një investim infrastrukturor – është një akt krenarie kombëtare, një angazhim për ruajtjen e trashëgimisë historike shqiptare dhe një mesazh i fuqishëm për unitetin dhe identitetin kombëtar. Monumenti i Skënderbeut do të jetë një pikë referimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, një dëshmi e rezistencës dhe e lavdisë shqiptare, si dhe një simbol mikpritjeje për të gjithë vizitorët që do të nderojnë këtë vend me praninë e tyre.

Fshati Garana dhe i gjithë rajoni i Kërçovës ngrenë kështu një shtyllë të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare shqiptare – në respekt dhe përkujtim të një figure që mbetet udhërrëfyes i përjetshëm i qëndresës dhe bashkimit tonë.

Mirë se vini në Garanë, në një ditë feste dhe nderimi për Heroin Kombëtar dhe për kombin shqiptar!

Shoqata Garana Zvicër