Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Presidenti i Zvicrës, Ueli Maurer ka deklaruar se miqësinë e bëjnë edhe më të fortë mbi 170 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në Zvicër për ta bërë raportin mes dy shteteve edhe me të posaçëm.
Prishtinë 18 nentor 2013
Presidenti i Zvicrës, Ueli Maurer ka deklaruar se për ekonominë e zvicerane nevojitet edhe me tepër stabilitet i sigurisë dhe politikave në mënyrë që Kosova të bëhet më tërheqëse për investitorët edhe nga ky vend. Maurer i bërë këto komente gjatë vizitës në Kosovë, ku është pritur nga presidentja e vendit, Ahtifete Jahjaga.
Ai ka theksuar se Zvicrën dhe Kosovën e lidhin shumë miqësi, pasi mbi 170 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në Zvicër dhe kjo e bënë raportin mes dy shteteve edhe me të posaçëm. Maurer tha se ai është në Kosovë që të bisedojë rreth bashkëpunimit me dy shteteve në të ardhmen, pasi Zvicra është akoma e interesuar që të kontribuoj në ndërtimin e mëtutjeshëm të Kosovës.
“Për Zvicrën dhe ekonominë e Zvicrës nevojitet edhe me tepër stabilitet i sigurisë dhe politikave në mënyrë që Kosova të bëhet më tërheqëse për investitorët edhe nga Zvicra. Mirëpo, edhe në këtë fushë janë arritur suksese të mëdha, dhe dua ta përgëzoj edhe presidenten për këto arritje, por edhe për imazhin e saj që ka në botë. Kjo është me rëndësi se përveç stabilitetit ekonomik dhe sigurisë janë të rëndësishme edhe kontaktet personale që do të ndikojnë me tepër në mbështetjen e mëtutjeshme”, ka thënë Maurer. Maurer ka folur edhe për marrëveshjet që Kosova dhe Zvicra kanë arritur, duke thënë se marrëveshjet bilaterale mes dy vendeve disa funksionojnë shumë mirë, ndërsa disa tjera duhet të bëhet me tepër për të funksionuar me mirë.
Kurse, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka falënderuar Presidentin Maurer për ndihmën që Zvicra i ka dhënë Kosovës, në hapjen e kapitullit të ri të shtet ndërtimit dhe të një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse. Ajo ka shtuar se që prej më shumë se 14 vjetësh, forcat paqeruajtëse të Zvicrës, në kuadër të Forcave të NATO-së, kanë ndihmuar në vendosjen e paqes dhe të një mjedisi të sigurt për qytetarët e Kosovës, duke dëshmuar përkushtimin për ndërtimin e një Kosove të përparuar.
“Kosova sot vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm i paqes dhe fqinjësisë së mirë në rajon dhe këtë e ka dëshmuar edhe me angazhimin e plotë të saj në bisedimet në Bruksel me Republikën e Serbisë, duke arritur edhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Rruga e integrimeve evropiane kalon përmes normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore, duke zbatuar në plotëni të gjitha ato marrëveshje të arritura deri tani”, ka thënë Jahjaga.
Jahjaga tha se konfederata e Zvicrës është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës duke ndihmuar edhe në konsolidimin e shtetësisë së Kosovë dhe duke dhënë përkrahje për proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Presidentja Jahjaga foli edhe për zgjedhjet që janë mbajtur dje në Mitrovicën e Veriut, duke thënë të drejtën kushtetuese dhe ligjore duhet ta shfrytëzojnë të gjithë përfshirë edhe qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në veri të vendit.
“Me zgjedhjet lokale që kanë përfunduar dje në pjesën e veriut të territorit të vendit, po e rrumbullakësojmë procesin e integrimit të të gjitha komuniteteve, edhe të komunitetit serb që jeton në veri, në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës dhe po e përmbyllim kapitullin e përplasjeve dhe kundërthënieve në vend. Zgjedhjet komunale do të dëshmojnë kompaktësinë e vendit dhe njëkohësisht përmbyllin procesin e integrimit të brendshëm për të vazhduar me përkushtim kapitullin e integrimeve evropiane. Kjo rrugë na bashkon të gjithë neve- qytetarëve të vendit, pa dallim”, ka thënë Jahjaga. Ndryshe.
Gjysma e kombëtares së Zvicrës përbëhet nga kosovarët
Presidenti i Zvicrës ka përmendur edhe futbollistët kosovarë që luajnë për përfaqësuesen e Zvicrës, duke thënë se gjysma e kombëtares së Zvicrës përbëhet nga kosovarët dhe janë shumë meritor për kualifikimin në Brazil, derisa, sipas tij, Shaqiri është një lojtar fantastik./ rtv21