Masar Krasniqi – takimet me personalitete të njohura

Takimi historik Rugova-Clinton (Washington DC, shkurt 1994)

Hajro Hajra, 11 dhjetor 2017

Për Masar Krasniqin, veprimtarin e palodhur e atdhetarin e shquar dhe për takimin e tij me Nënën Terezë në qytetin zelandez Auckland, në prill të vitit 1970, kemi shkruar vite më parë.

Kësaj here, pas një bisede të gjatë që bëmë kohë më parë me telefon me zotin Krasniqi (ai që prej 10 vjetësh është shpërngulur nga Zelanda e Re, ku ka jetuar prej vitit 1950 dhe tani jeton në qytetin Gold Coast, në Queensland, Australi) do të shkruajmë për takimet e tij me personalitete të njohura, sidomos këtu, në Amerikë, takime që përfshijnë një rreth kohor prej pothuaj dy dekadash, që nisin në kohën kur Kosova dhe çështja e saj sapo kishte filluar të futej nëpër kancelaritë e botës, sidomos të Amerikës dhe përfundojnë pasi Kosova nis të mbahet në këmbët e veta, veç të tjerash falë edhe kontributit të personazhit tonë. Shkrimi do të shoqërohet me shumë fotografi ekskluzive, të papublikuara ndonjëherë (përveç fotografisë me Nënën Terezë). Të gjitha fotografitë na i ka siguruar bashkatdhetari ynë Sabit Abdyli, nga Kabashi i Vitisë, gazetar e shkrimtar, i cili që nga koha e luftës në Kosovë jeton në Zelandë të Re. Ai e ka takuar shumë herë Masar Krasniqin dhe ka shkruar disa herë për të.

Masar Krasniqi, lindur në Prishtinë më 1931, i përndjekur nga regjimi serb dhe i detyruar ta braktisë atdheun në moshë fare të re, më 1950, kur është vendosur në Zelandë të Re, ka filluar të angazhohet shumë herët, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë dhe për trojet e tjera shqiptare. Sa herë janë mbajtur zgjedhjet dhe është zgjedhur kryeministri i Zelandës së Re​, ai i ka dërguar letër urimi kryeministrit të sapozgjedhur dhe, përveç urimit, doemos e ka shtruar edhe çështjen e Kosovës së robëruar. Porse, nuk është mjaftuar me kaq. Ai ka takuar pothuaj të gjithë kryeministrat e Zelandës së Re dhe me të gjithë ka diskutuuar për Kosovën. Ka dhënë intervista, jo vetëm në Zelandë, po edhe gjetiu. Ai e kujton fare mirë një intervistë për Deutsche Welle, në Gjermani, dhënë pas demonstratave të marsit 1981 në Kosovë dhe provokimet, me atë rast, të një gazetari malazias, të cilin Masari e kishte lënë pa fjalë.

Rugova, Bukoshi, Alush Gashi, Adnan Merovci dhe Masar Krasniqi (Washington DC, shkurt 1994)

Në një rast, kur Masar Krasniqi, si anëtar i LQSHA-së, ishte vënë plotësisht në shërbim të çështjes së Kosovës,  një drejtuese e Ministrisë së Jashtme e Zelandës, e cila kishte njohuri për angazhimin e tij për Kosovën, i kishte thënë Masarit: – Sa herë të të ngecin punët në Amerikë, drejtohu në amabasadën e Zelanës së Re në Uashington dhe ata do të të dalin në ndihmë.

Angazhimi i tij ishte intensifikuar në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90, atëherë kur në disa vise të ish-Jugosllavisë kishte shpërthyer ose po shpërthente lufta, kurse në Kosovë po frynin erërat e atyre luftërave.

Melburn 1959, me rastin e Ditës së Dëshmorëve

​Themelimi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në janar 1989, nga ish-kongresisti Joseph J. DioGuardi, mik e bashkëpunëtor i afërt i Krasniqit dhe zgjedhja e këtij të fundit në kryesinë e saj, si përfaqësues i interesave të lobit amerikan për Shqipërinë, për Kosovën, për Maqedoninë dhe për trojet e tjera shqiptare, shënon kulmin e angazhimi të Masar Krasniqit për kauzën shqiptare.

Që nga vizita e parë e Rugovës në SHBA, në prill 1990 (e drejta, kjo do të ketë qenë vizita e dytë e Rugovës në Amerikë, po të kihet parasysh vizita e tij e parë, më 4 tetor 1989, kur Rugova, i shoqëruar nga  prof. Engjëll Sedaj, ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, kishte ardhur në Amerikë për të marrë pjesë në Seminarin Përkujtimor që ishte organizuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit), Masar Krasniqi e ka takuar Rugovën shumë herë.

Me senatorin Bob Dole (Washington DC, 1990)

Për takimin e parë me Rugovën, në Uashington DC, kur Rugova kishte ardhur me një delegacion dhjetanëtarësh nga Kosova, Krasniqi rrëfen: – Rugova ishte me delegacion ku bënte pjesë edhe dr. Idriz Ajeti, ish-profesori im nga Shkolla Normale e Prishtinës. Kur u përshëndetëm, profesor Ajeti më tha: – Unë e kam ditur që ti do të jesh këtu, prandaj ta kam sjellë një libër. Pastaj më njohu me Rugovën, duke më thënë: – Ky është kryetari ynë dhe ne ju falënderojmë (e kishte fjalën për mua dhe pë DioGuardin) që na sollët këtu, në Uashington për ta shtruar çështjen e Kosovës, këtu ku është tepër vështirë të depërtohet dhe ku shumë popuj vetëm mund të ëndërrojnë të futen.

Me Nënën Terezë, Auckland (Zelandë e Re), 1970

Pothuaj në çdo udhëtim të Rugovës që bëhej nga Shqipëria, ishte edhe Masar Krasniqi. Ky i koordinonte takimet me Kongresin Amerikan që realizoheshin me ndihmën e Dioguardit. Ishim me fat – thotë M. Krasniqi, që e kishim Dioguardin në Amerikë. Ai ishte koordinatori i të gjitha takimeve të Rugovës e të delegacioneve nga Kosova me përfaqësues të lartë të Kongresit Amerikan. Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane organizonte dhe sponsorizonte udhëtimet dhe takimet me përfaqësues të lartë të shtetit amerikan, përfshirë vizitën historike të delegacionit dhjetanëtarësh në Uashington, në prill 1990, për të dëshmuar para Kongresit Amerikan për dhunën e regjimit të Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës dhe takimin, po ashtu historik të Rugovës me kryetarin Clinton në shkurt të vitit 1994.

Me kongresmenin Benjamin Gilman

Sapo Adnan Merovci më njoftonte, unë gjendesha në Tiranë dhe takoja Rugovën në ish-shtëpinë e Enver Hoxhës – rrëfen Masar Krasniqi. Kam qenë, pothuaj gjithnjë në “sofër të parë”, në takimet e DioGuardit e të delegacioneve nga Kosova e nga vise të tjera shqiptare me përfaqësues të lartë të shtetit amerikan, po edhe në takimet e veçanta që bënte Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane me në krye DioGuardin, për të lobuar për çështjen e Kosovës. Në një rast kemi takuar, bashkë me DioGuardin, 17 senatorë e kongresistë amerikanë. Kam kontaktuar në Amerikë, bashkë me DioGuardin, shumë organizata për të drejtat e njeriut dhe për çështjen e lirive të popujve.

Masar Krasniqi ka takuar shumë personalitete të huaja e shqiptare. Nënën Terezë, përveç në vitin 1970 e ka takuar edhe në prill 1993, gjatë vizitës në Shqipëri të Papa Gjon Palit II. – Gjatë këtij takimi, tregon Krasniqi, Nëna Terezë, paksa e hamendësuar, më tha: – Më duket se jemi takuar diku… Po, Nënë – i thashë, jemi takuar në Zelandë të Re, para 23 vjetësh. – E pabesuseshme, si më kishte mbajtur mend.

Masar Krasniqi, Jack Dempsey dhe Luan Gashi, në restorantin e Dempsey në New York (vitet ’70)

Krasniqi ka takuar dhe Ibrahim Kelmendin, atdhetarin e veprimtarin preshevar. Atë e kishte pasur profesor në Normalen e Prishtinës. Sikurse M. Krasniqi edhe ai ishte detyruar të shpërngulej (ishte vendosur në Melburn, Australi më 1953, ku edhe ka vdekur, më 1979).

Pjetër Arbnorin e ka takuar disa herë, vetë ose bashkë me DioGuardin, në kohën kur ai ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë (1992-1997). – Ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të mirë të lobit Shqiptaro-Amerikan – thotë Krasniqi.

Me Ibrahim Kelmendin

Fotoja ku janë Masar Krasniqi, Azem Hajdari e Rugova është bërë në Vlorë, më 28 Nëntor 1995 ose 1996, ku Rugova, Krasniqi e të tjerë ishin ftuar nga Sali Berisha, asokohe kryetar i Republikës së Shqipërisë, në kremtimin e Ditës së Pavarësisë.

Azem Hajdari kishte simpati të madhe për Kosovën, – thotë Krasniqi. Ai na i hapte dyert te Berisha e te kryet e shtetit shqiptar. Me Azem Hajdarin jam takuar shumë herë dhe ai na ka kryer shumë punë lidhur me çështjen e Kosovës.

Më shumë se fjalët, flasin fotografitë. Për foton ku Masar Krasniqi ka dalë me Luan Gashin e Jack Dempsey, Masari thotë se kanë qenë mysafirë të Dampsey-t në restorantin e tij në New York. Luan Gashi ka qenë nxënës i Normales. Ai, bashkë me Adem Gllavicën e Halim Gllavicën, e të tjerë shqiptarë, në fund të vitit 1945 kanë ikur në Greqi. Luan Gashi më vonë ka punuar në Ambasadën Amerikane në Athinë deri më 1956, kur është shpërngulur në SHBA.

Masar Krasniqi, 1950

Kongresmenin republikan, Benjamin Gilman, mikun e madh të shqiptarëve e të Kosovës, i cili më 1992, bashkë me Tom Lantosh kishte bashkësponsorizuar Rezolutën e paraqitur në Kongres nga LQSHA-ja, e cila bënte thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e ka takuar 4-5 herë. Ai ka qenë edhe në Shqipëri – tregon Masari, dhe ka bërë punë të madhe edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë. Gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar ai ishte angazhuar shumë për çështjen e Kosovës, tok me ligjvënës të tjerë të asaj kohe, siç ishin senatorët Bob Dole, Claiborne Pell, Larry Pressler, Alfonse D’Amato si dhe kongresistët Tom Lantos, Porter, Broomfield etj.

Me I. Rugovën në Pallatin e Brigadave në Tiranë

Pas luftës Masar Krasniqi e ka takuar Rugovën në Kosovë 3 herë. Gjatë takimit të parë, menjëherë pas përfundimit të luftës, Rugova e ka falënderuar shumë për kontributin që Krasniqi kishte dhënë për lirinë e Kosovës. Takimi i dytë kishte qenë në dhjetor 1999, në ceremoninë e shënimit të dhjetëvjetorit të LDK-së, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Grup shqiptarësh, Auckland (Zelandë e Re), 1963

Ja si e kujton Masar Krasniqi atë takim: – Në atë manifestim merrnin pjesë delegacione të LDK-së nga e gjithë Kosova e nga diaspora dhe shumë mysafirë të ftuar. Pallati ishte i mbushur përplot njerëz. Unë isha me Luljeta Pulën dhe, meqë kishim arritur me pak vonesë, kishim zënë vend diku lart, larg nga podiumi ku ishte Rugova, bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dhe mysafirët. Ndërkohë, Rugova më kishte parë që larg dhe e kishte çuar Adnan Merovcin të më merrte e të më çonte poshtë. Sapo u përshëndetëm, ma uroi lirinë e Kosovës dhe më paraqiti te bashkëpunëtorët e tij e u foli atyre për kontributin tim gjatë gjithë atyre viteve të stuhishme dhe më luti të rrija për një takim tjetër, në të cilin me gjasë kishte në plan të më shpërblente me ndonjë mirënjohje, por unë duhej të kthehesha në Zelandë. Nuk do të më bënte nder më të madh edhe sikur të më jepte kushedi sa mirënjohje e dekorata, se mirënjohja më e mirë ishin fjalët që Rugova kishte thënë për mua para gjithë atyre njerëzve.

Me Dioguardin dhe Pjetër Arbnorin

Në një takim tjetër, të fundit, me gjasë në vitin 2000, Rugova i kishte dhuruar Masarit një kristal të Trepçes, nga ato që u dhuronte burrështetasve e miqve të Kosovës, kurse Masar Krasniqi i kishte dhuruar Rugovës një foto të madhe të delegacionit të Kosovës me senatorin Bob Dole.

Gjatë dëshmisë në Kongresin Amerikan, prill 1990 (M. Krasniqi i dyti nga e djathta)

Me liderin shpirtëror të popullit tibetian, Dalai Lama Masar Krasniqi është takuar në fillim të vitit 2000, si përfaqësues i Kombeve të Robëruara në Zelandë të Re, një organizatë e formuar nga imigrantët polakë, ish-të burgosur politikë, bashkëpartiakë e bashkëpunëtorë të bashkëthemeluesit të Solidaritetit dhe kryetarit të Polonisë (1990-1995) Leh Valesa. Ndonëse ishte me delegacionin polak, M. Krasniqi kishte shtruar me Dalai Laman edhe çështjen e Kosovës, të cilën, sipas Krasniqit, Dalai Lama e njihte shumë mirë.

Masari me te bijen Besen djemte Flamurin e Etnikun

Shumica e shqiptarëve në Zelandë ishin nga Shqipëria. Masari ishte pothuaj i vetmi nga Kosova, por kurrë nuk kishte qenë vetëm, gjithnjë kishte pasur përkrahjen dhe ndihmën e bashkatdhetarëve nga Shqipëria. Ata kishin qenë bashkëvuajtës sikurse Masari. Ndryshimi i vetëm ishte se ky ishte përndjekur nga regjimi antishqiptar serb e jugosllav, kurse ata ishin përndjekur nga regjimi komunist shqiptar.

Lidhur me një vizitë që Masar Krasniqi kishte organizuar për Adem Demaqit në Australi, ku Demaqi kishte shokë që kishin vuajtur burg bashkë me të në burgjet jugosllave, Krasniqi rrëfen: – Gjatë një dreke në shtëpinë e Adem Gllavicës në Perth të Australisë, ku mysafir ishte Adem Demaqi, pata një përplasje me të zotin e shtëpisë, Adem Gllavicën dhe me Adem Demaqin, ngase këta të dy kishin kritikuar DioGuardin. Masari, me atë rast, ua kishte mbyllur atyre gojën, duke folur me fakte për punën jashtëzakonisht të madhe që kishte bërë dhe po bënte DioGuardi, jo vetëm për Kosovën, po edhe për Shqipërinë e për trojet shqiptare.

Masar Krasniqi duke folur kremtimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në New Jarsey (vitet ’90)

Nuk ka qenë e papritshme që Demaçi të fliste kundër DioGuardit, kur dihen raportet e DioGuardit me Rugovën dhe urrejtja patologjike e Demaçit për Rugovën (mbase vetëm Rexhep Qosja ia kalon Demaqit me urrejtjen që ka pasur dhe ka për Rugovën).

Masar Krasniqi meriton shumë më tepër se një shkrim, por fatkeqësisht, ata që sot i kanë në dorë frenat e shtetit, përparësi nuk kanë shtetin, as njerëzit që kanë dhënë aq shumë për shtetin. Përparësi e tyre është zhvatja e shtetit, zhvatja e popullit të cfilitur.

Masar Krasniqi, Melbourne (Australi), 1959

S’mund të lëmë me këtë rast pa zënë ngoje edhe faktin se Joseph DioGuardi (pa harruar këtu edhe kontributin e zonjës Shirli Cloyes DioGuardi) ka bërë një punë kolosale, jo vetëm për çështjen e Kosovës, në kohën kur Kosova, të shprehemi me gjuhën popullore, ishte vrima e fundit e kavallit në qendrat vendimmarrëse. Qofshim të gabuar, por përveç Medaljes së Artë të Lidhjes së Prizrenit, me të cilën e ka dekoruar presidenti Rugova në korrik 2005, me arsyetimin se “ai që nga viti 1986 në mënyrë aktive ka punuar për çështjen e Kosovës, për çështjen e shqiptarëve në përgjithësi e sidomos për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, nuk dimë t’i jetë dhënë ndonjë mirënjohje zotit DioGuardi nga dy shtetet shqiptare, ndërkohë që kryeministri i sotëm shqiptar Edi Rama (më 2006, asokohe kryebashkiak i Tiranës), ia pati dhuruar Çelësin e Tiranës dhe e pati shpallur qytetar nderi këngëtarin Goran Bregoviq, një antishqiptar i njohur, i cili ka përkrahur politikën shfarosëse të S. Millosheviqit. Po të kishte pasur Bregoviqi orientim jetësor politikën, në vend të muzikës, do të kishte qenë poaq antishqiptar sa Millosheviqi, në mos edhe më shumë. Dhe, o tempora, o mores, urrejtja e tij për shqiptarët shpërblehet nga kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama(!?).

Auckland, 28 Nëntor 1963, në Restorantin “Free Albania”

Takimi historik Rugova-Clinton (Washington DC, shkurt 1994)
Shqiptarët i urojnë mirëseardhje çiftit DioGuardi në Aeroportin e qytetit Auckland, në Zelandë të Re
Rugova, nënkryetari amerikan Al Gore dhe zonja Gore (1994)
Protestë shqiptare me moton Stop dhunës në Kosovë (Auckland, Zelandë e RE)
Në Vlorë, në 80-vjetorin e Pavarësisë (M. Krasniqi, i dyti nga e majta, Azem Hajdari, Rugova)
Me liderin tibetian Dalai Lama
Me Dioguordin dhe Osman Kazazin në Tiranë
Çifti DioGuardi me Masar Krasniqin në Auckland