17 SHKURTI HISTORIK: 39 vjetori i Lëvizjes për Republikë & 13 vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Me 17 shkurt 1982 u themelua Lëvizja për Republikë Shqiptare në ish RSFJ, ndërsa pas 26 viteve të veprimtarisë atdhetare revolucionare dhe asaj paqësore si dhe luftës çlirimtare, pikërisht në të njëjtën datë, më 17 SHKURT të vitit 2008, Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj nga Serbia.

Shkrimi në vijim është vetëm një pjesë e shkërputur nga një trajtim më i thelluar, i cili në javët e muajt e ardhshëm do të sheh dritën si i tërë.

Heshtja e ngjarjeve historike apo shtrembërimi e falsifikimi i tyre, devijimi nga e vërteta e dokumentuar objektive, i hap rrugë deformimeve të ndryshme dhe qon ujë në mulli të armikut dhe zëdhënësve të tij. Ata edhe ashtu në publikimet e shumta edhe në gjuhë të ndryshme të huaja, nuk rreshtin të bëjnë shtrembërime të ndryhsme duke u shërbyer me gjysmë të vërteta, por edhe zhvillojnë teori të ndryshme konspirative mbi shqiptarët, rezistencën, organizimin atdhetar dhe luftëne tyre të drejtë për liri, demokraci, barazi, pavarësi, vetëvendosje, zhvillim e mirëqenje të përgjithshme shoqërore dhe kundër pushtimit, diskriminimit të gjithanshëm, dhunës shtetërore, shtypjes e shfrytëzimit.

Çka i parapriu Bashkimit në Lëvizjen për Republikë që rezultoi me shpalljen e Kosovës, po më 17 shkurt të vitit 2008

Ky trajtim në qendër të vëmendjes ka vitet e 70 dhe 80 kur – pas një periudhe të egër pushtuese e shfrytëzuese me përmasa shfarosëse nga pas lufta e dytë botërore – pozita e Kosovës në ketë periudhë ishte më e avancuar falë edhe të arriturave dhe liberalizimit të përgjithshëm shoqëror në ish-RSFJ. Në prag të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në(n) Jugosllavi, krahas subjektit monist Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe atyre republikane e krahinore (LKJ: LKK/LKS/LKMZ/LKM) si dhe organizatave satelit të saj, që vepronin në kuadër të sistemit dhe plotësisht në shërbim të pushtetit, ishin duke vepruar pandërprerë – edhe pse në fshehësi jo veetëm shkaku i sistemit monist por edhe pozitës edhe më tej koloniale – disa grupe e organizata ilegale atdhetare, ndër më të njohura do të veçojmë LNÇK/LNÇKVSHJ*, GMLK/OMLK*, PKMLSHJ*.

Qysh ne fillim duhet theksuar që trajtimi niset nga njohuritë e veprimtarisë ne kuadër të PKMLSHJ, e që kurrsesi nuk ka për qëllim anashkalimin e grupeve e organizatave apo individëve kontribuues, bile as e atyre që kanë vepruar e kontribuar duke qenë pjesë e sistemit e në shërbim të tij deri në vitet e 90’ta, e të cilët në njëfarë mënyre edhe pse me vonesë, pas kolapsit ekonomik të ish-RSFJ dhe dështimit sistemor në Evropën lindore e juglindore, apo edhe më vonë të shtyrë edhe nga rrethanat iu janë bashkangjitur lëvizjes atdhetare popullore.

Bashkimi gjithëpopullor në demonstratat e vitit 1981

Demonstratat e pranverës 1981, parasë gjithash ato të 1 e 2 prillit dhe ato vijuese në vitin 1981 me të drejtë cilësohen edhe si kryengritje popullore, jo vetëm nga ne, por edhe nga armiku e posaçërisht edhe nga shtypi e faktorët ndërkombëtar. Andaj edhe ky demonstrim i përbashkët i të gjitha shtresave të mundshme të popullit shqiptar konsiderohet me të drejtë edhe si një bashkim popullor. Si i tillë ai ve në sprovë edhe bashkimin e forcave të organizuara të tij.

Në një shkrim me titullin: DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË OBSERVIMET E ORGANEVE MË TË LARTA TË LKJ-së, nga Qerim Lita (Autori është zëvendësdrejtor i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë), i cili ndër të tjera publikon edhe Listën e parullave të shpërndara nga shtabi organizativ i demonstratave me 1 e 2 prill 1981 në Prishtinë dhe shkuan (po citojmë):

“Gjithashtu është e rëndësishme të vëmë në dukje se për dallim nga dita e parë, demonstratat që u organizuan më 26 mars, pastaj ata të 1- 3 prill, patën një përmbajtje me karakter politik. Në kuadër të demonstruesve qe formuar shtabi për organizimin e demonstratave. Për shkaqe sigurie, anëtarët e shtabit vepronin ilegalisht dhe një numër shumë i vogël kishin njohuri për ekzistimin e tij. Krahas veprimtarisë së ndryshme informative e organizative, shtabi përpiloi edhe listë të parullave që do të përdoreshin gjatë demonstratave, disa prej të cilave po i paraqesim në vazhdim:

“Kërkojmë punë-kërkojmë bukë”,

“Poshtë dallimet sociale”,

“Poshtë borgjezia”,

“Poshtë burokracia”,

“Poshtë eksploatimi i Kosovës”,

“Poshtë hegjemonizmi”,

“Poshtë kolonializmi”,

“Kërkojmë pavarësi”,

“Kërkojmë kushte”,

“Poshtë mashtrimi”,

“Kërkojmë barazi”,

“Kërkojmë Republikë”, 

“Kërkojmë bashkimin e mbarë trevave shqiptare në një Republikë”, 

“Poshtë kolonialistët”,

“Poshtë tradhtarët”,

“Nuk ka paçe pa liri”,

“Nuk ka barazi pa pavarësi”,

“Nuk ka barazi pa Republikë”,

“Nuk do të ketë paq për tradhtarët e mashtruesit”,

“Republikë nëna jonë, të gjithë ne jemi bijtë e tu, Republikë ne të duam, ne për këtë kemi luftuar”,  etj.

“Shumë organizata ilegale dhe shoqëri civile, të cilat vepronin brenda dhe jashtë Kosovës, të shqetësuar për fatin e bashkëkombësve të tyre, drejtpërsëdrejti apo nëpërmjet letrave drejtuar udhëheqjes së atëhershme komuniste kosovare e jugosllave, e shprehën revoltën e tyre kundër zbatimit të dhunës dhe terrorit në Kosovë nga ana e forcave policore e ushtarake jugosllave. Ata në reagimet e tyre, veç tjerash, ua bënin me dije autoriteteve komuniste të Prishtinës e të Beogradit, se pas kërkesave të studentëve qëndron mbarë kombi shqiptarë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre ideologjike dhe se nuk ka forcë e cila do t’i detyronte shqiptarët të tërhiqeshin nga aspiratat e tyre të kamotshme “krijimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Federatës jugosllave”, në të cilën republikë do të përfshiheshin “të gjitha viset shqiptare nën Jugosllavi”. Falë punës së palodhshme e sakrifikuese të tyre, tash më çështja shqiptare nën Jugosllavi, nuk konsiderohej si “problem i brendshëm jugosllav”, por si problem ndërkombëtarë, i cili kërkonte zgjidhje të shpejtë e të drejtë. Këtë më së miri e dëshmojnë rezolutat e shumta të aprovuara gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar nga organizatat e ndryshme evropiane, nga Kongresi i SHBA etj., në të cilat kërkohej nga autoritetet e Beogradit ta ndërpresin dhunën dhe terrorin e tyre në Kosovë e në viset tjera shqiptare dhe njëkohësisht të zgjidhet statusi i Kosovës.” (fundi citimit).

Bashkëpunimi e bashkëveprimi mes grupeve e organizatave të ndryshme atdhetare vjen në shprehje kryesisht gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981. Bashkëveprimi gjatë demonstratave edhe pse jo i kontraktuar ishte i natyrshëm. Menjëherë pas demonstratave kishte ndërthurje të aktiviteteve dhe përpjekjeje për përafrim, deri edhe për tu takuar…

Dhuna ushtarake jugosllave ndaj demonstruesve dhe atentatet ndaj drejtuesve të veprimtarisë atdhetare

Në krahasim demonstratat e vitit 1968 kur u martirizua i riu Murat Mehmeti, gjatë demonstratave të vitit 1981 në ballë të tyre ranë edhe dëshmorët e parë: në Prishtinë, më 2 prill 1981 Naser Hajrizi e Asllan Pireva, Xhelal Maliqi e Salih Abazi; në Vushtrri, më 3 prill 1981 Salih Mulaku ( Zeka) e Ruzhdi Hyseni; në Ferizaj, më 3 prill 1981 Rizah Matoshi e Sherif Frangu; dhe më vonë, në Prekaz, më 13 maj 1981 Tahir e Nebih Meha; në Gjakovë, 26 korrik 1981 Nesimi Dervishdana; Ibrahim Krasniqi.

Dihet se demonstratat e pranverës së vitit 1981 mobilizuan edhe bashkatdhetarët tanë në botën e jashtme, kryesisht në Zvicër dhe Gjermani, ku vepronin edhe drejtues të organizimeve atdhetare e revolucionare. Në ndërkohë këta drejtues, konkretisht ata të OMLK dhe LNÇKVSHJ në Zvicër dhe Gjermani edhe – siç merret vesh më vonë – përkundër disa kundërthënieve të caktuara organizative dhe pengesave, që u krijoheshin edhe nga rrethet e rrjetet e tyre organizative, ia arritën të përafroheshin dhe të bashkërenditnin aktivitetet publike e protestat, të cilat edhe i organizonin bashkë.

Duhet pasur parasysh faktin, se pas burgosjeve masive të djemve e vajzave të organizuara shqiptare, në Kosovë e viset tjera shqiptare nën Jugosllavi dhe posaçërisht pas vrasjes në botën e jashtme të drejtuesve dhe udhëheqësve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nga ana e shërbimit të fshehtë shtetëror të Jugosllavisë me 17 janar 1982, organizimet atdhetare e revolucionare gjithandej, e posaçërisht në Evropën perëndimore, u gjendën të goditura rëndë. Pas rreth dy muajsh UDB-ashët mbysin në burgun hetues të Ferizajt veprimtarin e PKMLSHJ, Afrim Abazin, njërin nga organizatorët kryesor të demosntratave të 3 prillit 1981 në Ferizaj.

Afrim Abazi i PKMLSHJ i mbytur me torturë gjatë hetuesisë nga UDB-a

Dhuna shtetërore dhe lufta speciale kundër Lëvizjes atdhetare dhe roli i klasës politike të Kosovës

Armiku përmes shërbimeve të veta të fshehta, luftës speciale edhe përmes rrjetit të bashkëpunëtorëve të tij shqipfolës, ndërmorën edhe cytje e nxitje sherresh e përçarjesh në mes të pjesëtarëve të grupeve e organizatave në kuadër të lëvizjes atdhetare gjithandej, si brenda vendit ashtu edhe në botën e jashtme, të cilat me ndonjë përjashtim nuk arritën efektin e dëshiruar prej tyre. Lëvizja atdhetare shqiptare edhe përkundër goditjeve të marra megjithatë arriti të ngadhënjejë mbi armikun.

Zyrtarët shqipfolës në kuadër të sistemit jugosllav, si pjesë përbërëse e mekanizmave të pushtetit, në luftën e tyre speciale kundër kërkesës këmbëngulëse për Republikë të rinisë, studentëve e shumicës së popullit shqiptar, herë hapur e herë fshehur aludonin p.sh. se; demonstratat e shqiptarëve për Republikë i kanë organizuar herë UDB-ja e Serbia, herë KGB-ja e Rusia e deri edhe Bullgaria. Ata ndonjëherë e theksonin gjoja njëfarë rreziku nga: “armiku i brendshëm reaksionar në bashkëpunim me atë jashtëm imperialist”, duke sjellë njëfarë përfundimi, siç thoshin ata, se ato ishin të nxitura e organizuara nga Shqipëria dhe PPSH-ja.

Zyrtarëve jugosllavë kur ua lypte puna, me dhelpëri, te vendet që dominoheshin nga politikat djathta atakonin kërkesat dhe lëvizjen tonë revolucionare si ultra të majtë, ndërsa tek vendet që dominoheshin nga politikat e majta, këtë lëvizje e quanin si reaksionare e ultra të djathtë. Bile për këtë qëllim ata bënin publikime e shkrime të veçanta, të cilat i shpërndanin sipas këtyre nevojave.

Pa barazi, pavarësi e vetëvendosje, s’do të këtë as Jugosllavi!

Reagimi represiv i udhëheqjes partiake e shtetërore dhe përdorimi i aparatit të dhunës përmes policisë e ushtrisë, bashkë me luftën speciale të shoqëruar edhe me shpifje e shtrembërime kundër kërkesave, të organizatorëve dhe demonstruesve shqiptare në ish-Jugosllavi, në njërën anë, demantoi dhe zhveshi demagogjinë për demokraci, barazi nacionale dhe vëllazërim e bashkim të popujve të federatës e të së sëmurës së Ballkanit të shekullit të kaluar, ndërsa në anën tjetër lëvizja kombëtare shqiptare shkonte drejt rrugës së vetëdijesimit të masave dhe nevojës së shtimit të intensitetit për organizimin e veprimtarisë atdhetare sa më masive.

Këtu duhet theksuar se në program të Organizatës për Republikë, është theksuar qartë: nëse barazia dhe republika nuk arrihen në rrugë e me mjete paqësore dhe nëse gjendja do të vijë deri tek lufta e armatosur, atëherë nuk ka kuptim bashkëjetesa në një shtet të tillë, siç ishte Jugosllavia, prandaj në një rast të tillë ne shqiptarët do te angazhohemi për jetësimin e aspiratës së kamotshme shqiptare – bashkimit kombëtar.

Bashkërenditja me shtetin amë dhe nismat për bashkim 

Duhet theksuar edhe faktin se, përderisa organizimet tradicionale kishin vu kontakt me shtetin amë apo përfaqësitë diplomatike të saj para demonstratave të vitit 1981, organizata PKMLSHJ këtë e bënë tek pas demonstratave të vitit 1981. Fillimisht Halil Alidema kishte kontaktuar konsullatën shqiptare në Stamboll, pastaj po gjatë verës së vitit 1981 edhe Xhevahire Abdullahu, ndërsa në vjeshtë po të vitit 1981 pas arratisjes përfaqësuesit e drejtuesit e organizatës Abdullah Prapashtica, Osman Osmani e Faton Topalli. Ata së pari kishin takuar dhe kishin biseduar me Ali Ymerin e Ibrahim Çavollin në Konsullatën e RSSH në Stamboll dhe më pas me Bujar Hoxhën e Gjyiani Shehun në Ambasadën e RSSH në Ankara. PPSH, gjegjësisht shteti shqiptar menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 kishte ngarkuar me detyra të posaçme dhe dërguar në Turqi Bujar Hoxhën e Ibrahim Çavollin, të cilët ndër të tjera do të komunikonin edhe me pjesëtarët e grupeve e organizatave atdhetare të kohës. Që të dy këta diplomatë e burrështetas ishin me prejardhje nga Kosova, kishin shumë njohuri dhe ishin të ndërlidhur ngushtë e historikisht me çështjen e shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.

Vjeshtë 1981: Bisedimet për bashkim në Turqi

Nga shkrimet e publikuara deri më tani vetëm nga eksponent të caktuar të LNÇKVSHJ dhe deklaratat e tyre publike, dihet për takimin dhe bisedimet e dështuara për bashkim që janë zhvilluar në vjeshtë të vitit 1981 në Turqi mes OMLK dhe LNÇKVSHJ.

Pas arratisjes në Turqi, përfaqësuesit e PKMLSHJ menjëherë pas marrjes së kontakti me përfaqësuesit e shtetit shqiptar atje, kishin vu kontakt edhe me njërin nga përfaqësuesit kryesor të LNÇKVSHJ, me Sabri Novosellën. Këtij të fundit, menjëherë pas bisedave të para dhe njohjen me rrethanat mbi organizatat ilegale në perëndim dhe drejtuesit e tyre, iu ishte dhënë një shkresë për tua dorëzuar drejtuesve të LNÇKVSHJ (Jusuf Gërvallës) dhe OMLK (Kadri Zekës). Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ, edhe pse me tone kritike ndaj PKMLSHJ, kishte reaguar ndaj kësaj ftese, ndërsa nga përfaqësuesi i OMLK nuk kishte asnjë përgjigje, çka mund të shpjegohet edhe si mundësi që Sabriu nuk ia ka dërguar shkresën fare përfaqësuesit të OMLK.

Megjithatë në ndërkohë, si duket edhe përkundër mospajtimeve të shprehura në Turqi, në Zvicër dhe Gjermani zhvilloheshin aktivitete të përbashkëta dhe përafruese mes LNÇKVSHJ e OMLK falë gatishmërisë dhe vullnetit të mirë, në radhë të parët të Jusufit e edhe Kadriut.

Bisedimet që ishin zhvilluar nga nëntori deri në dhjetor me Sabriun, edhepse shkresa kritike e Jusufit në ftesën e përfaqësuesve të PKMLSHJ nuk përmban refuzim të bisedimeve për bashkim, megjithatë nuk lanë shumë për të shpresuar.

Është afër mendsh se për këto përpjekje bashkëpunimi e bashkimi kishte dijeni edhe armiku, i cili s’do të lente gur pa lëvizur për të penguar bashkëpunimin dhe bashkimin e grupeve e organizatave ilegale atdhetare shqiptare.

Siç dihet, më 17 janar 1982 shteti jugosllav zuri pritë dhe bëri atentat ndaj tre drejtuesve kryesor të organizimit atdhetar, Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Dhe tanimë organizimi atdhetar i gjetur ne një situatë edhe më të pavolitshme,  rrit detyrimisht nevojën – edhe nga këmbëngulja e përfaqësuesit të shtetit shqiptar, Prof. Bujar Hoxhës – që të në shkurt të vazhdohen bisedimet tanimë konkrete mes përfaqësuesve të mbeteur të LNÇKVSHJ dhe atyre të PKMLSHJ.

Abdullah Prapashtica, Sabri Novosella, Osman Osmani, Xhafer Durmishi, Faton Topalli

Dëshmi mbi Bashkimin në Lëvizjen për Republikë Shqiptare

Më poshtë po publikojmë dokumentet e kohës në lidhje me këto data e ngjarje objektive historike.

D O K U M E N T

Nga mbledhja e përbashkët në nivel të përfaqësuesve të KQ të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ
Në orën 21.10 të datës 17 shkurt 1982 (në Ankara – vërejtja ime) filluan bisedimet për bashkimin e organizatave motra, LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, gjegjësisht për shkrirjen e këtyre dy organizatave në një të vetme.

Organizatën e LNÇKVSHJ e përfaqësojnë anëtarët e KQ Mërgimi (Sabri Novosella) dhe Shpendi (Xhafer Durmishi).

Organizatën e PKMLSHJ e përfaqësojnë Kushtrimi (Abdullah Prapashtica) dhe Halimi (Osman Osmani), anëtar të KQ. Në këtë mbledhje merr pjesë edhe anëtari i KQ të PKMLSHJ Qemali (Faton Topalli) si përfaqësues i këtyre bisedimeve.

Pas afër tre muajsh bisedime dolëm me propozime konkrete.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ Halimi (Osman Osmani) doli me këtë propozim;

të bëhet shkrirja e dy organizatave në një të vetme me emrin ”LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSHJ).

LRSHJ të ketë një platformë, program e statut të vetëm, një KQ, një organ (revistë, gazetë) qendrore.

LRSHJ do të formoj organizatat e veta të brendshme; të gjitha organizatat që i ka një Republikë Federative Jugosllave.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Shpendi (Xhafer Durmishi) deklaroi:

Pajtohem që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj si e tillë deri në momentin kur të realizohet kërkesa për formimin e Republikës.
Përfaqësuesi i PKMLSHJ Kushtrimi (Abdullah Prapashtica) deklaroi:
Pajtohem me propozimin e dhënë për bashkimin e organizatave tona dhe për mënyrën e organizimit të cilën e parasheh ky propozim. Gjithashtu jam i mendimit që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj deri te arritja e kërkesës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, për konstituimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Mërgimi (Sabri Novosella) deklaroi:

Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Halimi (Osman Osmani) dhe i përkrahur nga Shpendi (Xhafer Durmishi) e Kushtrimi (Abdullah Prapashtica), kam bindjen se i plotëson kërkesat e forcave patriotike revolucionare dhe të popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj; që të dy komitetet e organizatave të mëparshme të përbëjnë komitetin e LRSHJ kurse udhëheqja e Komitetit Qendror të zgjidhet në një mbledhje të ardhshme.
Të formohet një komision nga anëtarët e këtij komiteti për përpilimin e programit dhe statutit të LRSHJ.
Pasi që deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe udhëhoqi me plot sukses e edhe pas tashti do të punohet me atë teknikë të përsosur të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSHJ të mbaj emrin ”Zëri i Kosovës”, pasi ky emër shpreh Zërin e Kosovës, kurse organi i rinisë të LRSHJ të quhet “Republika”.

Në lidhje me këtë propozim Halimi deklaron:
Jam i mendimit që këto dy organe të ekzistojnë por me një renditje tjetër. Për arsye se qëllimi i LRSHJ është Republika edhe organi i LRSHJ të jetë me po këtë emër, kurse si organe të rinisë së LRSHJ, pasi rinia jonë ndjek Zërin e popullit të Kosovës (në kuptimin e gjerë) emri i organit të rinisë së LRSHJ të jetë “Zëri i Kosovës”, dhe shtoi: Në udhëheqësi të LRSHJ të hyjnë edhe udhëheqësit e dy organizatave tjera të njohura OMLK dhe FKP me bashkimin e tyre në LRSHJ.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ shton Kushtrimi (Abdullah Prapashtica) deklaroi:

Sa i përket emrit të organit qendror të LRSHJ jam i mendimit se mund të botohet me emrin “Zëri i Kosovës” apo “Republika”, pasi që jam i mendimit që edhe njëra edhe tjetra e kanë kuptimin e Zërit të popullit shqiptar në Jugosllavi.
Sa i përket organeve të organizatave tjera të LRSHJ ato vetë të caktojnë emrin e organeve të tyre.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ, Shpendi në lidhje me këtë problem deklaron:

Duke pasur parasysh se vet LRSHJ ka të bëjë me Republikë, ky titull të sintetizohet me kërkesën për Republikë. Mendoj se është e drejtë, kur të kihet parasysh se veç ekziston një organ për “Republikën e Kosovës” të cilën nesër mund ta kemi në radhët tona, organi qendror të quhet “Zëri i Kosovës”.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ, Qemajli (Faton Topalli) deklaron:

Edhe pse në këtë mbledhje marrë pjesë si përcjellës i bisedimeve, jap mendimin tim në lidhje me çështjen e bashkimit. Pajtohem plotësisht që organizata e përbashkët të quhet LRSHJ dhe që brenda saj sipas mundësive të organizohen të gjitha organizatat që ka një republikë në federatën jugosllave. Në lidhje me organin e LRSHJ jam i mendimit që organi të quhet “Zëri i Kosovës”. Për emrin e organeve të organizatave tjera vendosin vet organizatat.

Mërgimi shton:

Të lihet mundësia, gjegjësisht t’u bëhet thirrje edhe të gjitha organizatave, grupeve patriotike e revolucionare që veprojnë në tokat shqiptare në Jugosllavi të i bashkohen LRSHJ.

Me këtë propozim, d.m.th. për thirrje që t’i bashkohen LRSHJ të gjitha organizatat dhe grupet patriotike revolucionare pajtohen të gjithë përfaqësuesit.

V E N D I M

I mbledhjes së përbashkët të përfaqësuesve të dy organizatave motra patriotike revolucionare LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ

  1. Organizata e formuar nga dy organizatat e mëparshme LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ të quhet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ).
  2. Organizatat e brendshme do të organizohen sipas shembullit të republikave tjera të Federatës Jugosllave.
  3. Më vonë të formohet komisioni nga anëtarët e KQ për përpilimin e tezave të programit dhe statutit të LRSHJ.
  4. Në KQ të hyjnë anëtarët e dy KQ të mëparshme në përbërje të plotë.
  5. Udhëheqja e KQ të zgjidhet në mbledhjen e ardhshme të KQ.
  6. Organi i LRSHJ të jetë ”Zëri i Kosovës”.

Qemajli (Faton Topalli)
Shpendi (Xhafer Durmishi)
Halimi (Osman Osmani)
Kushtrimi (Abdullah Prapashtica)
Mërgimi (Sabri Novosella)

(Ky Dokument – Procesverbal i Bashkimit të 17 shkurtit të vitit 1982 është shkruar atëkohë me dorë nga Osman Osmani. Sabri Novosella me ketë rast si anëtarë të tretë për KQ të LRSHJ nga ish LNÇKVSHJ deklaron bashkëveprimtarin e Jusuf e Bardhosh Gërvallës në Gjermani me pseudonimin «Luani» (Nuhi Sylejmani) Një kopje e origjinalit të këtij Dokumenti u është dorëzuar përfaqësuesve të shtetit shqiptar në Turqi. Ndërsa origjinali i këtij Dokumenti (sipas Xhafer Durmishit: AlbaniaPress.com Publikuar më 27 shkurt, 2013 në orën 07:31, gjendet në arkivin e Fahredin Tafallarit)

Komunikata e mëposhtme është shpërndarë edhe në Kosovë e viset tjera shqiptare në ish- RSFJ menjëherë pas bashkimit të dy Organizatave (PKMLSHJ e LNÇKVSHJ) në Lëvizjen për Republikë Shqiptare!

Përfaqësuesit e LNÇKVSH dhe PKMLSHJ me 17 shkurt 1982 u takuan dhe kanë zhvilluar negociata për bashkimin e këtyre dy organizatave në një organizatë të vetme. Meqenëse është arritur marrëveshja, përkatësisht, bashkimi i këtyre dy organizatave në një të vetme, me një shkallë të lartë të unitetit, përveç të tjerave janë sjell këto vendime:

  1. Organizata e re do të thirret “LËVIZJA PËR R E P U B L I K Ë N SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSHJ).
  2. Organi qendror i LRSHJ do të jetë “ZËRI I KOSOVËS”.
  3. LRSHJ do të luftojë duke i shfrytëzuar të gjitha mjetet demokratike e revolucionare, për krijimin e REPUBLIKËS SOCIALISTE SHQIPTARE në përbërje të Federatës jugosllave.
  4. Do të luftojë për përforcimin e RSFJ si njësi federale.
  5. Si përfaqësuesja e vetme e kombit shqiptar në Jugosllavi, LRSHJ do të luftojë për vëllazërim bashkim të vërtetë me mbarë kombet vëllezër të RSFJ.
  6. Të përshëndetet qëndrimi i PPSH dhe i Qeverisë së RPS të Shqipërisë në lidhje me kërkesat e klasës punëtore dhe të kombit shqiptar në Jugosllavi për konstituimin e Republikës së vetë në kuadër të Federatës jugosllave, që dëshmon interesimin e saj për këtë pjesë të popullit dhe për politikën parimore në lidhje me RSFJ, politikë e cila rreptësishtë e respekton parimin e mos cenimit të sovranitetit dhe tërësisë territoriale, mos përzierje në punë të brendshme, respektimin reciprok, barazi të plotë në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ruajtja e fqinjësisë së mirë, gjithnjë duke e shprehur gatishmërinë e plotë për mbrojtjen e interesit të pjesës së kombit në kuadër të ligjeve dhe normave ndërkombëtare.
  7. LRSHJ do të luftojë kundër shovinizmit serbomadh, i cili ka depërtuar në LKJ dhe ua mohon shqiptarëve të drejtën ligjore të krijojnë republikë të veten në kuadër të RSFJ.
  8. a) Përderisa nuk realizohet e drejta ligjore e pranimit të statusit REPUBLIKË për viset shqiptare dhe për kombin shqiptar në kuadër të RSFJ, b) Përderisa nuk lirohen të gjithë të burgosurit politik dhe përderisa nuk u lejohet kthimi në atdhe i të gjithë atyre, të cilët kanë luftuar për REPUBLIKË SOCIALISTE SHQIPTARE në kuadër të federatës jugosllave, LRSHJ nuk do të shuhet.
  9. T’ju dërgohet ftesë të gjitha grupeve ekzistuese, të cilat luftojnë për REPUBLIKË SOCIALISTE SHQIPTARE në kuadër të RSFJ, që të bashkohen me LRSHJ. Nëpërmjet kësaj Komunikate ju drejtohemi mbarë kombeve të Jugosllavisë që ta mbështesin kërkesën e kombit shqiptar për krijimin e REPUBLIKËS SË VET në përbërje të Federatës, kërkesë e cila tërësisht është e drejtë dhe ligjore, por e mohuar me dhjetëra vite dhe e cila edhe sot po mohohet.

Kurorëzimi i Bashkimit në LRSHJ edhe i OMLK-së

Bazuar në propozimin e përfaqësuesit të ish-PKMLSHJ me rastin e bashkimit të ish LNÇKVSHJ e PKMLSHJ në LRSHJ që (po citojmë) “Në udhëheqësi të LRSHJ të hyjnë edhe udhëheqësit e OMLK me bashkimin e tyre në LRSHJ.” pasuan edhe veprimet për kurorëzimin e Bashkimit në Lëvizjen për Republikë në botën e jashtme (shih procesverbalin më lartë).

Osman Osmani, Xhafer Shatri, Xhafer Durmishi, Hasan Mala

Më 14 maj 1982: Në Biel-Bienne, ne banesën dhe në prezencën e Hasan Malës, takohen Xhafer Shatri, Osman Osmani dhe Xhafer Durmishi. Në bisedat formale të para ditës së 15 majit 1982, OMLK u bashkua pa kushte në LR(S)SHJ.

Udhëheqja e LR(S)SHJ

Dokumentet e bashkimit të 17 shkurtit 1982 përcaktojnë edhe organin udhëheqës të LR(S)SHJ (Komitetin Qendror / Drejtues), i cili fillimisht deri me 15 maj 1982, përbëhej nga përfaqësuesit e bisedimeve të bashkimit nga radhët e dy ish Organizatave dhe këta ishin, nga ish-PKMLSHJ: Faton Topalli, Osman Osmani dhe Abdullah Prapashtica; ndërsa nga ish-LNÇKVSHJ: Xhafer Durmishi, Nuhi Sylejmani dhe Sabri Novosella. Pas bisedimeve të 15 majit edhe me përfaqësuesit e ish-OMLK organin drejtues i LR(S)SHJ pasurohet edhe me Hasan Malën, Xhafer Shatrin dhe edhe një anëtar tjertër të  OMLK.

Ky organ qendror, apo drejtues e udhëheqës, asnjëherë nuk është takuar në përbërje të plotë, jo vetëm shkaku i rrethanave dhe kushteve të veprimit në shtete të ndryshme, por as edhe në përbërje të pjesshme shkaku edhe i mungesës së vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për bashkëpunim e bashkëveprim vëllazëror. Përfaqësuesit e ish-LNÇKVSHJ ngulnin këmbë në një drejtim tjetër të lëvizjes së përbashkët, gjegjësisht vepronin në krijimin e Komiteteve që kishin paraparë më herët në ish organizatën e tyre.

Këto dy Komitete (“Hasan Prishtina” në Turqi dhe “Vëllezërit Gërvalla” në Gjermani), dy përfaqësuesit i ish-LNÇKVSHJ Sabriu e Xhaferi, përpiqeshin ta impononin edhe mbi Komitetin Qendror/Drejtues të LRSSHJ. Gjithë këtë imponim, më së miri e vërtetojnë korrespondenca mes Sabri N. e Xh. Durmishit (shih korrespondencën e pjesërishme mes tyre të publikuar po nga Xhafer Durmishi).

Redaksia e ZK si organ i LRSSHJ fillimisht në përbërje të Xhafer Durmishit nga ish-LNÇKVSHJ dhe Osman Osmanit nga ish- PKMLSHJ, të cilët në këtë përbërje nxorën teknikisht numrin e fundit të “Zërit të Kosovës” si Organ i LNÇKVSHJ si dhe përgatitën e nxorën edhe dy numrat e parë të “Zërit të Kosovës” tanimë si Organ të LRSSHJ. Ky fakt nga eksponentët e ish organizatave të bashkuara jo vetëm që është heshtur edhe në shumicën e shkrimeve publike të tyre, duke vërtetuar kështu veprimet e tyre përjashtuese, por pa u kursyer së shërbyeri me gjysmë të vërteta, me shtrembërime insinuata, deri edhe me intriga e shpifje nga më të ndryshmet.

Redaksisë “Zërit i Kosovës” pas pranimit të bashkimit pa kushte edhe nga ana e OMLK me 15.5.982 i bashkëngjitet Xhafer Shatri.

Komunikata e Bashkimit të tri Organizatave relevante në LRSHJ

Komunikata e mëposhtme është daktilografuar nga Xhafer Shatri dhe e shtypur në të njëjtën fletë bashkë me thirrjen (KUSHTRIMIN) si dhe është shpërndarë në demonstratën e 26 qershorit 1982 në Bernë të Zvicrës.

Takimi i 14/15 majit 1982 si i tillë është i pari dhe i fundit që është zhvilluar në përbërje të përfaqësuesve të tri ish-Organizatave të bashkuara në Lëvizjen për Republikë Shqiptare. Ka mjaftë dëshmi dokumentuese që tregojnë e dëshmojnë se kush ka vepruar në mënyrë përjashtuese e destruktive dhe kush në mënyrë pajtuese e gjithëpërfshirëse, jo vetëm sa im përket bashkëpunimit e bashkimit të radhëve jashtë vendit por gjithashtu edhe të atyre brenda vendit.

Shtypi ilegal i viteve të 70’ta e 80’ta të shekullit të kaluar

Të tjerët mbi Lëvizjen e bashkuar për Republikë

Armiku pushtues Lëvizjen për Republikë Shqiptare në ish-RSFJ e klasifikonte edhe si organizim ushtarak çlirimtar për realizimin e synimeve e aspiratave të popullit shqiptar.

Në vijim po citojmë pjese nga Stenogrami i seancës së hapur të procesit gjyqësor kundër S. Millosheviqit në Gjykatën e Hagës për krime të Luftës në ish-Jugosllavi (nëntor 2002 – janar 2003), gjatë shqyrtimi dhe ballafaqimi me dëshmitarin Candic, drejtues i lartë shërbimit kundër-informativ të ushtrisë jugosllave. (pjesëtar në grupin qendror kundër-informativ – KOG) të komandës së flotës dhe mbrojtjes luftarake ajrore të Armatës jugosllave (po citojmë):

… I akuzuari Milloshevic – Pyetje: A ju është e njohur nga ajo kohë organizata ilegale separatiste shqiptare e cila është quajtur “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në RSFJ?

Dëshmitari Candic – Përgjigje: Më është e njohur edhe mirë bile, shkurt LRSSHJ-a dhe kam lexuar edhe platformën dhe gjithë dokumentet që ata kanë përpunuar. Bile edhe kam marrë pjesë në disa aksione operative për sqarimin e rasteve të tilla.

I akuzuari Milloshevic – Pyetje: A ju është e njohur se nga ajo kohë tetë anëtarë të komitetit të tyre qendror kanë vepruar nga jashtë vendit?

Dëshmitari Candic – Përgjigje: Nuk di se sa ishin nga jashtë vendit, unë jam bazuar më shumë në ata pjesëtarë që kanë vepruar në armatën popullore të Jugosllavisë dhe më është njohur se ishin mjaftë nga Zagrebi, Sarajeva, Lubjana, andaj mund të flas vetëm për këto pjesë. Ndërsa në kuadër të aksionit operativ të ndërlidhur me këtë pjesë, kanë marrë pjesë edhe shërbimet e sigurimit shtetëror edhe të Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë, ashtu që të dhënat për civilët, gjegjësisht për ata që kanë vepruar nga jashtë vendit në të vërtetë nuk di, në të vërtetë nuk më janë të njohur.

I akuzuari Milloshevic – Pyetje: Mirë, por a ju është fare e njohur mbi komitetin ushtarak, të përdori shkurtesën LRSSHJ, të kësaj Lëvizjeje për republikë socialiste shqiptare? A keni ndonjë njohuri mbi komitetin ushtarak?

Dëshmitari Candic – Përgjigje: Bëhej fjalë mbi këtë, mirëpo jo për ndonjë komitet ushtarak, por në kuptimin e organizimit ushtarak, i cili do të jetësonte qëllimet për ketë republikë socialist shqiptare në Jugosllavi…”

“… I akuzuari Milloshevic – Pyetje: A është e saktë se shërbimi juaj në vitin ’84 ka zbuluar organizimin ushtarak të emigracionit shqiptar në botë me qendrat në vend?

Dëshmitari Candic – Përgjigje: Po, në qershor të vitit ’84 është zbuluar bashkimi i të gjitha organizatave ilegale në Kosovë, i cili është realizuar më 17 shkurt 1982 dhe emërtimi i kësaj organizate të bashkuar ka qenë Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, apo shkurtimisht LRSSHJ…” (fundi citimit).

(për më shumë lexoni këtu: http://www.milosevic-trial.org/trial/2003-02-17S.html)

17 SHKURT 1982 – 17 SHKURT 2008

Gazeta famëkeqe, e përditshmja serbe “Politika” në botime e saj online të datës 10 shkurt 2013 me rastin e 5 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, përmes gazetarit të saj, M. Lazanski ndër të tjera shkruan:

“…Pra, Kosova do të shpall pavarësinë të dielën më 17 shkurt 2008. Në datën kur në vitin e largët 1982 nga katër organizatat ilegale shqiptare… u themelua LRSSHJ, gjegjësisht Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi…”

(për më shumë lexoni këtu: http://www.politika.rs/rubrike/uvodnik/Vodja-mrtav-ideje-zive.lt.html)

17 shkurt 1982 – Një datë me ambicie ende të papërfunduara

Bashkimi i arritur në mes forcave të atëhershme atdhetare e revolucionare përpos bashkimit – për shkak të rrethanave – të detyrueshëm ideor nuk rezultoi edhe me bashkim të mirëfilltë fizik në një strukturë të vetme organizative e vepruese. Mjerisht kjo nuk ndodhi as në kohën e pluralizmit politik te viteve te 90-ta në hapësirat shqiptare, përkundrazi ky bashkim dhe Lëvizja jonë, përpos goditjeve nga ana e armikut dhe pengesat tjera të natyrës objektive, ajo u përballë pareshtur edhe me situata të luftës së brendshëm imponuese e dominuese. Megjithatë edhe si atillë kjo lëvizje arriti të ruajë dhe zhvilloi një vazhdimësi, e cila në fund rezultoi edhe me luftën e armatosur, intervenimin ndërkombëtar dhe shpalljen e pavarësisë vetëm të Kosovës, si ish Krahinë Autonome të ish-RSFJ-së, ndërsa viset tjera shqiptare nën Republikat tjera jugosllave mbetën edhe më tej të ndara e të shtypura.

Rrugëtim i suksesshëm i lëvizjes çlirimtare shqiptare

Kryesisht janë kushtet dhe rrethanat historike në të cilën vepronin grupet e organizatat para bashkimit dhe domosdoshmëria e bashkimit të tyre, si kërkesë imperativë e kohës, posaçërisht pas unitetit të treguar popullor në Kosovë dhe viset tjera shqiptare të artikuluar me kërkesën demonstruese për republikën shqiptare, që i paraprinë këtij rrugëtimi.

Lëvizja fillimisht paraqiste një bashkim realisht vetëm “ideor”, i cili vazhdoi të zhvilloi veprimtarin e saj fillimisht në dy e më pas në së paku tri fraksione (grupe interesi politik) – që përcillej me konflikte për dominim politik -, e që në fazat fillestare koordinoheshin fare pak mes veti. Rrugëtimin e Lëvizjes sonë pra, jo rrallë e thuaja se pandërprerë e kanë shoqëruar edhe tendencat për dominim të klaneve të ndryshme. Ky rrugëtim është përcjell me tendenca përvetësimi edhe të kërkesave programore, veprimeve të caktuar deri edhe të veprimtareve e veprimtarëve (shokëve e shoqeve), për të cilët nuk është ditur publikisht përkatësia organizative. Andaj, nuk është për tu çuditur me deformimet e caktuara aktuale dhe përdhosjen e vlerave nga individ e klane të caktuara që në etapa të caktuara kanë arritur të dominojnë Lëvizjen. Jo së fundi edhe si pasojë e këtyre sjelljeve: vjedhjesh, zaptimesh, plaçkitjesh e grabitjesh, thuaja se ka zënë vend një mendësi që përdhosja e vlerave kombëtare shoqërore si edhe veprimet e shpronësimit, gllabërimit e shkatërrimit të pasurisë publike e shoqërore dhe të arriturave me mund që nga rilindja kombëtare shqiptare e deritashmi në Kosovë e më gjerë, është bërë si diçka të “zakonshme” dhe “normale”.

E tërë kjo nuk është karakteristikë vetëm e lëvizjes sonë për liri kombëtare, mirëqenie e barazi shoqërore, por vështirësitë e tilla kanë përcjellë të gjitha lëvizjet politike e kombëtare, posaçërisht ato çlirimtare, duke pasur parasysh rrethanat dhe kontekstin historik si dhe raportin e forcave në të cilat veprojnë lëvizjet çlirimtare. Nuk duhet përjashtuar me ketë rast edhe pengesat kryesore të shkaktuara nga infiltrimet dhe atakimet tjera nga ana e armikut.

Megjithatë, mund të konstatojmë se ne kemi kaluar më mirë se lëvizjet e ngjashme, p.sh. se sa ajo kurde, tamile, baske, irlandeze, etj., sipas mendimit tim pasi ne kishim një shtet amë, i cili në mënyra të ndryshme jepte kontributin e vet të natyrshëm dhe të pamohueshëm.

Ky bashkim kaloi disa faza konsolidimi të caktuar, duke pas edhe transformime qoftë edhe të njëanshme emërtimesh nga LRSSHJ në LPRK/ LPK, përputhur me rrethanat zhvillimore dinamike, që mjerisht reduktuan kërkesat me karakter të emërtuar kombëtar në emërtim të imponuar administrativo-gjeografik. Megjithatë, me gjithë vështirësitë e njohura dhe të panjohura, kjo Lëvizje atdhetare shqiptare arriti të zhvilloi edhe luftën çlirimtare të drejtuar nga mekanizmi i saj UÇK-ja, luftë kjo që u realizua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, identiteti, sovraniteti, integriteti dhe shtetësia e mirëfilltë e së cilës mbetet të konsolidohet si në kuptimin kombëtar ashtu edhe shoqëror, bashkë me të gjithë mekanizmat e duhur që shtetin e bëjnë shtet.

Gjatë trajtimet të kësaj tematike në të ardhmen, historianët, studiuesit e autorët e ndryshëm duhet tu referohen fakteve dëshmive faktike dhe të tregohen objektiv, pasi që vetëm kështu mund të plotësohet mozaiku i gjithë këtyre ngjarjeve, përpjekjeve, veprimtarisë atdhetare e revolucionare si dhe luftës çlirimtare.

Osman Osmani, në Neuhausen am Rheinfall të Zvicër, më 16 shkurt 2021
(Ky trajtim bazohet në një shkrim autorial të bashkëveprimtarit Skender Ibishi, të publikuar më 16 shkurt 2015 në Prishtinë)

(për më shumë për veprimtarinë e Skender Ibishit mund të mësoni në nyjat vijuese: https://www.radiokosovaelire.com/jeta-dhe-vepra-e-skender-ibishit-nje-teresi-e-vecante-ne-sherbim-te-kombit-e-atdheut/, apo https://tupalla.com/wp/per-veprimtarin-skender-ibishi/)

***

PKMLSHJ – Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi, për më shumë shih edhe shkrimin e e veprimtarit Osman Osmani (duke shtypur butonin tek shkurtesa e organizatës)

LNÇKVSHJ – Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi, për më shumë shih edhe shkrimin e veprimtarit Ramadan Pllana

OMLK – Organizata e Marksistë – Leninistëve të Kosovës, për më shumë shih edhe shkrimin e  veprimtarit Jakup Krasniqi

FKP – Fronti i Kuq Popullor, për më shumë shih edhe shkrimin e veprimtarit Ibrahim Kelmendi