Lumë mjegulle mes bjeshkëve

Kur jam gati të marr udhë
Të nisem për ndonjë udhëtim
Diç seç zgjohet e vërtitet
Brenda meje shpirtit tim

Dhe kjo vërehet ca më shumë
Kur marr rrugë më të gjatë
Jo për të kaluar kontinente
Por në tre-katër shtete këtej pranë

Mbrenda autobusit a veturës
Aty ku zë hapësirë e vend
Me kokën re tym, re e mjegull
Pendël të lehtë a plumb të rëndë

Jehoi fjala siç jehon mes luginash e malesh
Kaloi kaq kohë e kaq histori
E çuditshme se si ende mbetën
Kaq shumë kufij mes shqiptarësh

Kurdo e me këdo mund të nisem
Natën pas muzgut a në mëngjes para agimit
Herë më shumë më pëlqej udhënisjen
Herë më shumë udhëkthimin

Herë më shumë njëren herë më shumë tjetrën
Shumëherë asnjërën s’mund t’i ndaj
Intuitë e kujtesë bëjnë përzgjedhjen
Një pamje, një mbresë, një ndodhi, një detaj

Ja tash përshembull pesë e mëngjesit
Buzët e asfaltit njomur me shi
Fytyra dritaresh të veturës përlyer pikash
Larg e hedhin vështrimin atje në qiellin me yj’

Pak nga pak e tejpërtej ndritet nga e lumja dritë
Një lumë i bardhë mjegulle vazhdon rrjedhën
Mespërmes bjeshkëve shumë të bukura
Në të cilat përrenjë bardhosh siç patën zbritur mund të zbresin…