Libri «Refleksionie…» të Enver Zhinopotokut, një burim drite mbi errësirën e shekujve

Të shtunen me 21 dhjetor  në lokalet e teatrit «Adriana» në Ferizaj, në sallën e mbushur plotë dashamirë të librit, u bë përurimi i librit të intelektualit dhe sociologut Enver Zhinopotoku , «Refleksione nga jeta dhe për jetën», kujtime, një vëllim dypjesësh.
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Në këtë libër voluminozë me peshë më shumë se për një brez, gërshetohen kujtimet individuale me ato të brezit të tij, kushtuar një harku kohor 150 vjeçar, që nga shpërngulja shqiptare nga trojet e veta, të popullatës muhaxhire të viteve 1877-78 nga dinastia e Obrenoviqëve deri tek lufta e fundit e neofashizmit serb i regjimit gjenocidal të Millosheviqit.
Për librin dhe vlerat e tij folën redaktori Rrahim Sadiku, recensenti Shefki Ukaj,  konsulenti Sylejman Salihu dhe ish-kryetari i komunës së Ferizajt, Faik Grainca.
Me këtë rast po japim fjalën e redaktorit Rrahim Sadiku:
Enver Zhinipotoku: “Refleksione nga jeta dhe për jetën” (I e II), Ferizaj, 2024
Libri “Refleksione nga jeta dhe për jetën” i Enver Zhinipotokut vjen si rezultat i përvojës së gjatë e të frytshme jetësore që ka e kultivoi autori. Prandaj kjo vepër duhet shikuar e vlerësuar si arritje e punës së pashkëputshme e të mundimshme që bëri ai; si rrjedhojë e natyrshme e telentit të e të shumanshëm që ka ai; si dhunti për ne nga aftësia e tij e rrallë dhe kreative, për për mbajtur mend e për të reflektuar pozitivisht për ngjarjet e dukuritë me të cilat ballafaqohet dhe si lidhje e ngushtë me jetën, me historinë, me pësimet e me përjetimet e popullit tonë, të martirizuar me shekuj e të lidhur ngusht me jetën e besimin në ardhmëri, gjatë gjithë shekujve. Të gjitha këto mbarështrohen e shpalosen me përkushtim nga autori, duke na ardhur të lidhura ngusht me rrethanat e të jetuarit nën këtë nënqiell e më gjërë.
Lidhemi me familjen e Enverit, të parët e të cilit ndjeken mizorisht nga vendlindja e tyre e pasur dhe marrin botën në sy, për të shpëtuar jetën. Mësojmë kështu për fatin e atyre që u quajtën “muhaxhirë” të detyuruar të zhvendosen në truallin historik të popullit të tyre e të ballagaquar me mizori e me mungesë të kushteve më elementare për jetë. Duke u vendosur në tokën e Kosovës e duke qenë punëtorë, këta “muhaxhirë” në vendin e tyre e mundin të ligën e nisin jetën dhe me krijimin e rrethavane nisin edhe të ecin për së mbari. Shtohen familjet, nis shkollimi, hapen horizonte të reja.
Enveri, si pjesëtar aktiv dhe i denjë i këtyre rrjedhave, fillon rrugën e mundimshme e krenare të shkollimit, të njohjeve, të shkencës dhe të mendimit. Si rezulat i këtij angazhimi dhe i këtyre arritjeve vjen profili i tij prej intelektuali të nderruar dhe me ndikim të madh në këtë mjedis e më gjërë. Ai me kohë profilizohet si mendimtar dhe si vlerësues i vlerave më të mëdha kombëtare e njerëzore, duke profilizuar kudo mendimin vetanak, autokton dhe të qëndrueshëm. Kjo i mundëson atij të na njohë me ndodhi vendimtare të ecurisë së këtij populli, sidomos të këtij mjedisi, duke na nxjerrë në dukje personalitete, momente vendimtare dhe ngjarje që ndikuan për të mundur errësirën e për t’u bërë pjesë e denjë e dritës. Janë dhjetëra emra që ai na i nxjerr me veprën e tyre, me qëndrimine tyre dhe me ndikimin që paten, duke filluar nga Cërrnilla, fshati i tij, nga shokët e shkollimit, nga mësimdhënësit e shquar, nga mjedisi i studentëve me të cilët kaliti diturinë e nga shumë vende ku ishte me punë e ku e hodhën valët e jetës. Takohemi kështu me shumë veprimtarë të asaj kohe, me emra që sakrifikuan për të mirën e përgjithashme dhe me fytyra emblematike të arsimit, kulturës, politikës dhe krijimtarisë, pa harruar as edhe një moment njerëzit e shquar të historisë, saktificës dhe përkushtimit, atdhetar e njerëzor. E arrin këtë duke u marrë me vlera, që nuk maten me dukjen e tyre të jashtme, po me brendinë e begatë dhe me veprën që e karakterizon personalitetin e tyre.
Enveri ka qëndrim kritik ndaj shumë ngjarjeve, dukurive e ecurive dhe për këtë atë e shohim edhe si polemizues të spiktur e me përkushtim të madh për të vërtetën. Për këtë shkak ai edhe pësoi shpeshherë, por u qëndroi gjithnjë besnik bindjeve të veta dhe përkushtimit për të nxjerrë në thumb të kritikës mashtrimin e të pavërtetën.
Libri “Refleksione nga jeta dhe për jetën” i Enver Zhinipotokut është një thesar të dhënash të rëndësishme për këtë nënqiell, sepse sjell plot dokumente, fotografi, faksimile, biografi, përshkrime nga terreni, analiza politike e kulturore e historike, kështu që ai do të mbetet një vepër me vlerë dhe pasuri për të gjithë ata që e lexojnë e që e kanë në bibliotekat e tyre.

Po e them në fund se libri “Refleksione nga jeta dhe për jetën” i Enver Zhinipotokut është burim drite mbi errësirën e shekujve, dritare për të parë si ishte të kaluarën tone dhe treguese besnike e shumë synimeve, veprimeve dhe krimeve serbe ndaj popullit tonë», përfundoi fjalën e tij redaktori i librit Rrahim Sadiku.

Fare në fund, autori falenderoi të.pranishmit që kishin mbushur sallën për të përcjellur këtë eveniment kulturor, të gjithë ata që kontribuan për librin: finansuesit ( djemtë e haxhi Gani (Zeqir) Graincës), pa ndihmën e të cilëve ky libër nuk do të botohej; bashkëfshatarët e mi : Izet Grainca, Murat Orana dhe Ramadan Statovci; për mbështetjen financiare për përgatitjen e botimit; fotografin Muhamet Demirin dhe Raif Musën, ai që e bëri faqosjen e librit; Vullnet Sadikun për fotot me dron dhe dizajnin e kopertinave dhe të gjithë kontribuesit tjerë.

Vlerën këti manifestimi ia shtonte moderatorja, Elsa Nebihu, që lexoi fragmente nga libri , të cilat bënë që tek të pranishmit të ngjallin edhe emocione. Në përmbyllje, autori ua dhuroi të gjithë librin të gjithë pjesëmarrësve, bashkë me nënshkrimin e tij.