Libri „Në rrugën e lirisë“ u promovua edhe në Bernë

Promovimi i librit u bë në prani të bashkëveprimtarëve, kolegëve dhe të përfaqësuesve të korit diplomatik, ndërsa që u përshkua me disa pika artistike

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Në një atmosferë festive, shoqëruar me bashkëveprimtarët e një ideali, mbrëmë në Hotel Bernë, në kryeqytetin e shtetit helvetik u bë promovimi librit „Në rrugën e lirisë“ të gazetarit dhe publicistit Ismet Rashiti. Ishte ky një ambient i përshkuar jo vetëm si një festë e librit por edhe e një atmosfere shumë miqësore e kolegjiale, ku për veprën fjalë rasti mbajtën shkrimtari Rrahim Sadiku, redaktor, publicisti Gani Bytyçi dhe bashkëveprimtarja prej disa dekadash, Saime Isufi.

Në promovimin e librit merrnin pjesë edhe Ilir z. Gjoni, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bernë, si dhe zonj. Nazane Breca, ambasadore e Republikës së Kosovës në Bernë dhe zonj. Shukrije Ramadani drejtoreshë e Qendrës së Kulturës në Cyrih. Pos fjalëve të rastit kushtuar librit me disa recitime u paraqitën edhe aktori Adem Kicaj dhe aktorja Dori Elezi. Moderimi e këtij evenimenti libri e moderoi magjistri i shkencave juridike, Nazmi Jakurti.

Meqë libri promovohej edhe në kuadër të 60- vjetorit të lindjes së autorit Ismet Rashiti, pati edhe urime e falënderime për punën e tij prej veprimtari e gazetari, meqë rast me medaljonin e Shën Terezës dhe librin e fundit të Dom Lush Gjergjit kushtuar Nënës Terezë u shpërblye kolegu ynë nga ana e udhëheqësve të Shoqatës Bamirëse „Nëna Terezë“ me seli në Lucern. Do theksuar se libri më parë është promovua edhe në qytetin e Vitisë, pasi autori është me prejardhje nga kjo komunë, gjegjësisht fshati Sllatinë.

Libri përmban në veti një materie të gjerë: kujtime, letërkëmbim, komente, dokumente dhe dëshmi. Përgatitjen e librit e ka bërë Skënder Hajdari ndërsa lekturimin Sulejman Dërmaku, kurse botues është “Zgjimi” Ferizaj 

Ndaj edhe me këtë rast edhe nga pozita prej kolegu i uroj edhe botimin e këtij libri të radhës mikut tim të çmueshëm Ismet Rashiti, përmes disa fotove që bëra me rastin e promovimit të librit të tij tejet vëllimor e përmbajtjesor.