Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti, ka kujtuar 8 majin si ditën kur u bënë katër muaj qysh kur Presidenti i Kosovës i dërgoi letër atij të SHBA-së, me c’rast sabotoi vetveten.
Kurti ka ndarë në profilin e tij në facebook, edhe një paragraf të letrës, e cila ndër tjera thotë: ”Më lejoni t’ju siguroj personalisht se si President i Kosovës unë do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar…”.
“Pra, edhe i gatshëm edhe i vullnetshëm për kompromiset e nevojshme! Jo vetëm i gatshëm, por edhe i vullnetshëm. Jo ndonjë kompromis, por kompromiset e nevojshme. Me këso gatishmërie e dëshire nuk mund të ketë dialog e marrëveshje, por veçse pazar (personal) për kapitullim (shteti). Kur je tepër fleksibil karshi Serbisë, kjo tashmë nuk paraqet më fleksibilitet, por nënshtrim e dorëzim. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë dialog me këso gatishmërie e vullneti paraprak për kompromiset e nevojshme.
Dialog nuk mund të bëjnë ekstremistët. Dhe, ekstremist nuk është vetëm ai që a priori nuk do dialog, por edhe ai që a priori do marrëveshje. Pra, ekstremist është pikërisht ai që pranon gjithçka duke kërcyer te ujdia pa negociata fare. Me këtë ekstremizmin e tij, Presidenti i Kosovës sabotoi vetveten. Sepse me servilizëm kaq të sforcuar s’mund t’i pëlqesh dot askujt.
Megjithkëtë Presidenti ka dashur të na e bashkojë Luginën me Kosovën? E kam dëgjuar në konferenca shtypi në Prishtinë, nuk e pashë në këtë letrën e 8 janarit që ia nisi Presidentit Trump në Washington D.C”, ka thënë në fund Kurti.



















