( Për 100 ditë -100 kapituj me 1.000 foto autoktone trojeve etnike nga libri im tregjuhësor: «Shtegtimet e një gazetari» )
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Të vizitosh kullat shqiptare, që paraqesin një vlerë të vërtetë të trashëgimisë sonë kulturore, veçmas ato në Dukagjin, Tropojë e Plavë e Guci, jo vetëm që mahnitesh me pamjen dhe stilin arkitektonik, por mëson shumë edhe për të kaluarën e këtyre anëve dhe odave, ku jo vetëm qe u kalitën mikpritja, bujaria e urtësia e trashëguar ndër breza, por edhe u morën vendime të mëdha për çështjen e kombit, deri në sakrificë, siç është rasti me kullat e Prekazit në Drenicë. Derisa disa kulla mahnitin me pamjen e tyre të tjerat me rolin e tyre në histori. Kullat jo rrallëherë shërbyen edhe si vatra kulture, sepse në to rapsodët thurën dhe kënduan këngë trimërie e dashurie dhe mbajtën gjallë deri në ditët tona folklorin dhe traditën popullore.
Ndonëse, aktualisht ka ndërruar roli i këtyre objekteve, megjithatë në disa nga to janë ruajtur ato xixa mikpritje e bujarie, veçmas në Tropojë e Malësi të Madhe të Ded Gjon Lulit, ku para se të hapin derën kullave shekullore të ofrojnë pije apo edhe ushqim. Ndërkaq disa nga to janë kthyer në atraksion turistik dhe shërbejnë si restorante apo bujtina dhe kështu joshin mysafirë nga vende të ndryshme.
Në pamundësi për të pas në këtë shkrim të gjitha kullat, po jap disa nga to, secila më e rëndësishme për rolin e saj historik, kombëtar apo turistik.
1) Kulla e Mic Sokolit- Bujan
2) Kulla e Binak Alisë, Bujan
3) Kulla e Salih Manit, Bujan
4) Kulla e Jasharëve, Prekaz
5) Kulla e Tahir Mehës, Prekaz
6) Kulla e Ahmet Delisë, Prekaz i Epërm
7) Kulla e Azem Bejtës, Galicë
8) Kulla Osdautajve, Isniq
9) Kulla Isa Boletinit, Boletin
10) Konaku i Ramë Zyberit, Junik
11) Kulla e Jasharagiqve Plavë
12) Kulla e Balshajve, Ulqin