Petrit Palushi, autori i librit “Kukësi në 79 ditë-Pranverë 1999, në parafjalën e botimit të parë ndër të tjera potencon se: Kukësi nisi të marrë dritë tjetër dhe shënimet që botohen në këtë libër, si shënime të mbajtura ditë ndër ditë janë një përpjekje për të fiksuar sadopak këtë lloj drite.-Qyteti është prapë në një lëvizje të madhe, si në fundin e marsit dhe fillimin e prillit, kur dyndja e njerëzve prej Kosove i ngjante jo ecjes nëpër tokë, por nëpër shtresa të panumërimta dhimbjesh
Petrit PALUSHI, Kukës
Shënimet e këtij libri përfshijnë 79 ditë të jetës së një qyteti. Kukësi, në të shtunën e 27 marsit të 1999-s u ndodh para të pamundshmes, për shkak të dyndjes së madhe e të pazakontë, të t ’shpërngulurve të Kosovës me dhunë nga trojet e tyre, por kurrsesi s’u zhyt në detin e humbjes. Dalëngadalë, të pazakonshmet u bënë të përditshme dhe njeriu u mësua me to, njëjtë siç mësohet me ndërrimin e ditëve. Qyteti me rrethinat e tij filluan të jetojnë me këtë të zakonshme të paprovuar askërkund në botë, ose të provuar krejt tjetërlloj, me një dyndje më të paktë ose me një dyndje kohë mbas kohe.
Kukësi nisi të marrë dritë tjetër dhe shënimet që botohen në këtë libër, si shënime të mbajtura ditë ndër ditë janë një përpjekje për të fiksuar sadopak këtë lloj drite.
Përveç kësaj, këto shënime përfshijnë jetën e një qyteti, që filloi të ngrihet rëndshëm mbi lartësinë e vet, ku lufta me paqen ishin dera – deras dhe qyteti, po në mënyrë të çuditshme ndiqte ritualin e përditshëm të jetës së vet.
Nga një qytet i panjohur, i zhytur në humbjen dhe varfërinë e vet provinciale tashmë është bërë i njohur në botë, nga më të njohurit, jo për shkak të varfërisë, por pikërisht për shkak të demonstrimit të arsyes së lartë njerëzore: dashurisë dhe sakrificës për njeriun.
Në rast se do vendosej të ngrihej një përmendore në këtë qytet, një përmendore me frymë tjetër, ndryshe nga ç’janë konceptuar shumë përmendore atëherë imazhi për skulptorin është i gatshëm. Një e tillë mund të vendoset kudo, në çdo pikë të lirë të këtij qyteti. Si vend i veçantë mund të jetë pranë Gjashtëkatëshit, si vendi ku u orientuan se për kah duhet të shkonin t’ardhurit. Mund të jetë edhe sheshi qendror i qytetit. Por, nëse kjo përmendore do ngrihet ajo kurrsesi s’mund t’i pranojë fjalët e tepërta, që mund të gdhenden në të. Në rast se do të gdhendeshin fjalët: “Kukës, pranverë 1999”, atëherë çdo banor i këtij qyteti, por dhe çdokush i ardhur rishtas është e natyrshme që s’do kërkonte shpjegime apo hollësi të tjera. Natyrisht, s’mund të kërkohen shpjegime për ato gjëra që tashmë janë bërë krejt të njohshme.
* * *
Qyteti është prapë në një lëvizje të madhe, si në fundin e marsit dhe fillimin e prillit, kur dyndja e njerëzve prej Kosove i ngjante jo ecjes nëpër tokë, por nëpër shtresa të panumërimta dhimbjesh. Tani lëvizja ka ndërruar kah. Të zhvendosurit kanë filluar të shkojnë nëpër vendbanimet e tyre, krejt shpërfillshëm për vendet e minuara, por edhe për urrejtjen etnike që e demonstroi kolektivi serb.
Të zhvendosurit me dhunë nga trojet e tyre po e lënë qytetin e Kukësit.
Po largohen ngutshëm ditë për ditë. Nuk dihet me saktësi sa kanë lëvizur deri në ditën e sotme të 17 qershorit (kur po përgatiten për botim këto shënime), por karvani i traktorëve dhe auto- mjeteve të tjera të mbushura plot e përplot është i gjatë, jashtëzakonisht i gjatë, prej qytetit të Kukësit dhe deri në brendësi të Kosovës. Të ngjan se është i njëjti karvan si në fundin e marsit dhe fillimin e prillit. Veçse ka ndërruar kahu i lëvizjes. Por
s’është vetëm kahu tjetër i lëvizjes. Njerëzit po kthehen në shtëpitë e tyre, të lirë, të pafrikësuar më prej askujt.
Qyteti pati fatin t’i presë të zhvendosurit, rreth 420 mijë vetë, të bëhet strehë për ta dhe për pjesën më të madhe të tyre, një strehë për afro tre muaj, por ky qytet ka përsëri fatin t’i përcjellë për në vendbanimet e tyre.
Në këtë pranverë qyteti krijoi një fytyrë tjetër, një qytet brenda qytetit, me rregulla të çuditshme, me një harmoni tjetër të paprovuar ndonjëherë. Të krijohet përshtypja se qyteti i theu rregullat e provincës që, më së pari kanë të bëjnë me humbjen në përhumbjen e vet. Ai sikur doli ndjeshëm nga kjo humbje në të cilën notonte prej shumë e shumë kohësh. Ky qytet, që merrte frymë në emisionet e televizionit shtetëror vetëm në kohën e fushatave elektorale, në këtë pranverë mbisundoi në lajmet e para të kanaleve televizive nëpër botë, si vendi ku dhimbja njerëzore notonte së bashku me shpresën, por njëkohësisht, ku paqja dhe lufta notonin qetësisht pranë njëra – tjetrës.
Në këtë pranverë, në qytet janë ngritur ngut- shëm disa kioska, kryesisht përballë ndërtesës së gjimnazit “H. Nela”, apo aty – këtu të pikaderdhura ku kishte vende të lira ose janë vënë njëra përbri tjetrës. Ndërtime të tjera s’ka pasur. Infrastruktura as që është prekur me dorë. Mesa shihet, as që ka ndërmend të preket. Kur bie shi, si ai i së shtunës së 12 qershorit dhe këto ditë ka rënë dy herë shi i tillë, atëherë rrugët mbushen me ujë, siç janë mbushur me ujë këtu e dhjetë vjet më parë dhe njeriu duhet të heqë këpucët për të kaluar nga njëra anë e trotuarit në tjetrën ose duhet të presë jashtëzakonisht gjatë, derisa të ndalet shiu dhe uji i shumtë, bashkë me papastërtitë që merr me veti të zhvendoset natyrshëm dhe rrugët të lirohen.
Sidoqoftë, duket se qyteti do marrë frymë më lirshëm dhe kjo për shkakun se, po i kthehet një krah që i mungonte, mungesë e cila qe kthye në një peng të vazhdueshëm për banorët e tij: Lëvizja për kah Prizreni. Kukësi, i vendosur gjeografikisht ndërmjet kryeqendrave shqiptare, Tiranës dhe Prishtinës, pikërisht në pranverën e 1999-s sikur filloi me marrë frymë më ndryshe. Muri i Berlinit ndërmjet Kukësit dhe Prizrenit po shembet. Po shembet Muri i Berlinit midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky libër, i shkruar për 79 ditë të pranverës drama- tike të Kukësit është një libër i papërfunduar. Njerëzit e këtij libri, që përbëjnë frymën e tij (mund të them se janë kthyer në personazhe), tani janë në lëvizje. Tani për tani kufiri ndërmjet ditës dhe natës për ta nuk ekziston, siç nuk ekziston më kufiri që ndante Kukësin me Prizrenin. Këta njerëz janë në Kukës, Prizren, Prishtinë ose në lëvizje për kah Prizreni, Gjakova, Drenica, Prishtina, Mitrovica.
Dhe, autori i këtyre radhëve do t’u kthehet prapë fateve të këtyre njerëzve, banorëve të përhershëm të qytetit dhe bujtësve të tij të veçantë në pranverë të 1999-s.
Kukës, 17 qershor 1999
(Fotot nga Rexhep Rifati, ndërsa fotoja me Nexhmije Pagarushen nga Petrit Palushi)
























