Si rrallë ndonjë shoqatë në mërgatë, “Kërçova” në Zvicër, paraqet një trashëgimtare të denjë të zakoneve dhe traditës sonë kombëtare. Por, ajo që i bënë të njohur kërçovarët është edhe zelli për shkollim, punë e biznes, ndaj edhe nga radhët e tyre mund të gjesh nxënës e studentë të shkëlqyeshëm, por edhe të diplomuar në mjekësi, ekonomi, teknikë e gjetiu.
Teksti e fotot : Rexhep Rifati
Shoqata Kulturore “Kërçova” në Zvicër, padyshim paraqet njërën ndër shoqatat më masive në shtetin helvetik. Nuk shquhet vetëm për nga numri, por edhe organizimet e mira tradicionale, ku marrin pjesë mijëra kërçovarë. Disa prej tyre vijnë edhe nga shtetet evropiane dhe Amerika. Zakonisht, marrin pjesë edhe autoritet e komunës dhe artistë nga vendlindja, ndërkaq edhe programet kanë një ngjyrim autokton, si në veshje, këngë, valle e interpretim. Si rrallë ndonjë shoqëri në mërgatë, “Kërçova” në Zvicër, paraqet një trashëgimtare të denjë të gjuhës dhe traditës sonë kombëtare.
Por, kërçovarët, këtu në shtetin helvetik i bënë të njohur sidomos zelli për punë, shkollim e biznes. Nga radhët e tyre mund të gjesh nxënës e studentë të shkëlqyeshëm, por edhe të diplomuare të ri në mjekësi, ekonomi, teknikë e gjetiu.
Sa për ilustrim vetëm në organizimin e fundit të kësaj shoqate më 6 Nëntor 2016 në Hägendorf të kantonit të Soloturnit pati 7-8 mjekë me prejardhje nga Kërçova , kryesisht të shkolluar e të specializuar në Zvicër. Është ky Dr. Med. Gafur Sherbeti, i cili në fillim në praninë e qindra mërgimtarëve, përshëndeti praninë e ushtruesit të detyrës së ambasadorit të të Maqedonisë, Rifat Hajdari, drejtoreshën e Qendërs së Kulturës së Kosovës , Shukrije Ramadani, udhëheqësin e zyrës për investime të huaja në Zvicër, Kreshnik Bekteshin, si dhe kryetarin e Kërçovës, Fatmir Dehari.
Më pastaj Dr. Med. Gafur Sherbeti, përkujtoi se: “ Misioni i shoqatës sonë është kultivimi i vlerave kërçovare, përcjellja e traditave kërçovare brez pas brezi, mbetja gjallë e këngës dhe valleve kërçovare, tingëllimi i gjuhës shqipe dhe për më tepër dialektit tonë kudo që gjenden shqiptarët , vazhdimi i dokeve dhe zakonve kërçovare si dhe mbajtja afër e të rinjve kërçovar dhe bashkëpunimi i tyre për realizimin e qëllimeve duke mbajtur afër frymën tradicionale.”
Dhe vërtetë nga ajo që pamë si në veshjen e grupit artistik ashtu edhe në lojën e tyre, u bindës se rrallë ndonjë ansambël në mërgatë prezantohet me aq origjinalitet por edhe me një koreografi mbresëlëne¨se përgatitur nga koreografi i zellshëm dhe i talentuar Arsim Berisha.
Por, ajo që e shquan i dallon këta mërgimtar është edhe lindhja e fortë me vendlindjen, Por edhe anasjelltas: vendlindja dhe komuna e tyre në çdo manifestim vjetor në Zvicer, ka prezencën e vet, në krye me kryetarin e komunës së Kërçovës, Fatmir Deharin, i cili tash e katër vite uron e inspiron zgjedhësit dhe bashkëqytetarët e tij për zhvillim, prosperitet e integrim në shtetin mik zviceran. Edhe në takimin e sivjetmë, z. Dehari, falënderoi bashkëvendësit e tij në Zvicër për këtë organizim të mirë, si dhe shprehi kënaqësinë që këtu po rritet një brez të ri i shkolluar, në kushte tejet të avancuara që ka ofruar vendi mikpritës. Ai falënderoi edhe drejtuesit e shoqatave si në Evropë ashtu edhe në Amerikë, për kontributin e madh për mirëqenien dhe zhvillimin e infrastrukturës në vendlindje.
Që këto tubime të kërçovarëve të jenë sa më masive e të organizuara sa më mirë, kontribut të veçantë po japin edhe mjaft firma me pronarë mërgimtarë nga komuna e Kërçovës por edhe komuna të tjera të Maqedonisë. Ndërkohë me fjalë përshëndetëse tubimit iu drejtuan edhe mysafirët e pranishëm. Kryesia e shoqatës falënderoj edhe dy anëtarët e nderit . Prof Rexhep Bajramin dhe Qani Xhambazin.
Programi vazhdoi në një atmosferë sa festive aq edhe familjare, përcjellë edhe nga grupe tjera artistike.















































