Kosova ende ka nevojë për mbështetjen e vendeve mike

Kosova ende ka nevojë për mbështetjen e vendeve mike – theksoi i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mustafë Xhemaili, në pritjen e organizuar në Muri të Bernës me përfaqësuesit diplomatik të vendeve të ndryshme, përfshi edhe vende që nuk e kanë njëhur Kosovën.- Sa i përket marrëdhëniet midis Konfederatës së  Zvicrës dhe Republikës së Kosovës i vlerësoi të shkëlqyera   

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Me rastin e 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mustafë Xhemaili, me të shoqen organizoi në lokalitetin Muri në afërsi të Bernës një pritje për përfaqësuesit  diplomatik të vendeve të ndryshme përfshi edhe ato vende që nuk e kanë njëhur ende Kosovën. Në pritje merrnin pjesë pos dipmoatëve edhe përfaqësues të arganizimeve të ndryshme shqiptare në shtetin helvetik.

Me rastin e kësaj pritjeje, Mustafë Xhemaili mbajti një fjalë rasti, të cilën po japim me pak shkurtime në portalin tonë:

-Sot kremtojmë ditëlindjen e 8-të të Pavarësisë të shtetit të Kosovës, dhe, unë, ndihem shumë i nderuar t’ju shpreh mirëseardhje në pritjen tonë, theksoi në fillim të fjalës së zij z. Xhemaili, për të vazhduar se:

Republika e Kosovës, deri më sot, është e njohur nga 111 vendeve anëtare të OKB-së dhe 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ajo është anëtar e disa organizatave ndërkombëtare. Megjithatë, ende ka nevojë për mbështetjen e vendeve mike, që të integrohet plotësisht në familjen e kombeve globale.

Nga shpallja e Pavarësisë në vitin 2008, Kosova është bërë shtet që prodhon stabilitet, paqe dhe respekt për të gjithë shtetet e rajonit, me të cilat ka miqësi dhe relacione të mira e korrekte, përfshirë edhe  Serbinë.

Republika e Kosovës ka treguar aftësi për të përparuar përmes dialogut. Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel, po vazhdon në frymën e partneritetit, bashkëpunimit dhe konstruktivitetit nën patronatin e Bashkimit Evropian. Pavarësisht vështirësive që paraqiten në procesin e dialogut të Brukselit, ka përparime të dukshme drejt implementimit të marrëveshjeve për përmirësimin e kushteve të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Kosova është një shtet që ka përparuar shumë për 8- vite pavarësi. Ajo po e ndërton demokracinë institucionale, e cila ka edhe vështirësitë e veta. Megjithatë, është shënuar progres i madh në drejtimin e hapave për të hyrë në Bashkimin Evropian, që është synimi kryesor i Qeverisë dhe, mbi të gjitha, vullnet i gjithë popullit të Kosovës. Në fund të vitit 2015,  Republika e Kosovë ka nënshkruar MSA-së me Bashkimin Evropian.

Në zhvillimin ekonomik, Republika e Kosovës po bënë përparime të ndjeshme. Më lejoni të ju tërheq vëmendjen tuaj mbi faktin se Kosova vazhdimit ka pasur rritje ekonomike, në një kohë kur kriza globale sfidoi vende shumë të fuqishme. Veçanërisht, këtu dua të theksoj edhe perspektivën e shpejtë për realizimin e projekteve të ndërtimit të autostradave moderne dhe projekteve të mëdha ekonomike siç janë fillimi i ndërtimi të gjigantit energjetik “Kosova e Re” dhe së shpejti edhe projekti turistik “Brezovica”, më i madhi në regjion. Në këto projekte kanë marrë pjesë, dhe do të marrin pjesë me investimet e veta, ndërmarrjet e mëdha nga e gjithë bota. Kjo dëshmon se klima e investimeve në Republikën e Kosovës është stabile dhe e kënaqshme. Dua që të përfitoj nga ky rast dhe t’i inkurajoj ndërmarrjet zvicerane për të investuar në Kosovë.

Një kaptinë në vete Xhemaili ia kushtoi edhe çështjes së përhapjes së terrorizmit në bot , duke nënvizuar se: Një problem tjetër aktual është terrorizmi dhe përhapja e xhihadizmit. Në shtetin e Kosovës jetojnë tri religjionet më të mëdha të botës: kristianizmi, islamizmi dhe ortodoksizmi, të cilat kanë bashkëjetuar me shekuj. Ky është një shembull i jashtëzakonshëm, me mesazh pozitiv ndërkombëtar. Shteti i Kosovës ka ligjet përkatëse dhe vullnetin e fortë për të luftuar të keqen e sotme të njerëzimit si dhe është pjesë aktive e koalicionit botëror në luftë kundër terrorizmit, xhihadizmit dhe të ashtuquajturit kalifat të ISI-t.

Ndërkaq sa i përket relacioneve Zvicër Kosovë ai vuri në pah se: Në fund dua të theksoj marrëdhëniet e shkëlqyera në mes Konfederatës së Zvicrës dhe Republikës së Kosovës. Gjatë vitit të kaluar në Zvicër janë zhvilluar vizita të nivelit të lartë mes delegacione shtetërore dhe qeveritare. Vlen të theksohet vizita e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe e Ministrit të Ministrisë së Diasporës. Relacionet tona ndërshtetërore, janë të privilegjuara edhe për faktin se ne kemi të përfshirë diasporën e Kosovës në Zvicër, e cila tashmë është edhe pjesë përbërëse, aktive, e shoqërisë zvicerane.

Më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen tuaj të vazhdueshme, dhe, t’ju ftoj në vitin e ardhshëm në hapjen e një kapitulli të ri të historisë së Republikës së Kosovës, Kosovën evropiane, së shpejti anëtare në familjen e Kombeve të Bashkuara.

Do theksuar se edhe kësaj radhe në organizimin e kësaj pritjeje ndihmuan afaristët shqipztarë në Zvicër, si për sigurimin e sallës ashtu edhe për ushqimet, kryesisht nga kuzhina tradicionale shqiptare.