Kolonel Ahmet Krasniqi, pjesë e trinomit historik të Kosovës

Në piedestalin e trinomit historik të Kosovës: Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, komandanti legjendar Adem Jashari dhe koloneli Ahmet Krasniqi, që i pari në historinë e Kosovës që iu rrek krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, i vetëdijshëm se kjo ishte mënyra më e mirë dhe më efikase e mposhtjes së robërisë dhe e krijimit të shtetit të mirefilltë, të lirë dhe të pavarur

Nga Skënder Zogaj, shkrimtar e publicist 

Më lejoni ta shpreh kënaqësinë time të madhe, për këtë tubim solemn dedikuar dy librave të burrit të madh – kolonelit Ahmet Krasniqi, ish ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe komandantit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, i cili për meritat e larta ushtarake dhe atdhetare është dekoruar me titullin Hero i Kosovës. Po e theksoj këtë fakt sepse, në meritat e kolonlit Ahmet Krasniqi, bëjnë pjesë edhe të gjithë shqiptarët e Kosovës që kanë investuar djersën dhe frymën e shpirtit të tyre, për ta nxjerrë vendin nga robëria serbe dhe për ta realizuar ëndrrën shekullore për liri dhe pavarësi, që ishte qëllimi jetik edhe i kolonelit Ahmat Krasniqi.

Historia shqiptare, përplot me ngjarje e personalitete të përmasës botërore

Historia shqiptare që nga zanafilla e saj, është përplot me ngjarje e personalitete të përmasës botërore, që kanë sajuar epoka, siç është Hyjnesha me emrin e pastër shqip Afërdita, dhe pas saj emrat mitik, frymëzues të mbarë njerëzimit si: Pirroja, Aleksandri i Madh, Mbretëresha Teuta, Agroni e Bardhyli, Papa Klementi, Niketë Dardani e deri te Skënderbeu, që edhe sot, 500 vjet pas vdekjes, qëndron hijerëndë ndër 200 kryetrimat më të spikatur të botës.

Kësaj tradite i përket edhe trinomi historik i Kosovës, Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, komandanti legjendar Adem Jashari dhe koloneli Ahmet Krasniqi, i pari në historinë e Kosovës që iu rrek krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, i vetëdijshëm se kjo ishte mënyra më e mirë dhe më efikase e mposhtjes së robërisë dhe e krijimit të shtetit të mirefilltë, të lirë dhe të pavarur.

Pinjoll i denjë i familjes së Aziz Zhilivodës

Janë të freskëta faktet që flasin se kolonel Krasniqi simbolizonte shpresën e fitores, sepse ishte ushtaraku me përgatitjet më të larta shkollore dhe me përvojën ekselente në artin luftarak. Këtë e kanë theksuar oficerët e karrierës, kolegët, bashkëpunëtorët dhe bashkëveprimtarët, shokët dhe miqtë e Kolonelit, të cilët në filmin dokumentar të Shoqatës Sali Cekaj, kanë dhënë dëshmi të rëndësishme që pasqyrojnë figurën madhore intelektuale, atdhetare, profesionale dhe të gjithmbarshme kulturore e historike të Ahmet Krasniqit. Po e theksoj filmin dokumentar sepse është dokumenti i parë serioz, që pa glorifikime i qaset përmasës reale të kolonelit, pinjollit të familjes së Aziz Zhilivodës, luftëtarit të paeur për çlirimin dhe bashkim kombëtar, rrugën e të cilit e ndoqi edhe Ahmeti, deri në mesnatën e 21 shtatorit të vitit 1998, kur plumbat ia ndalën ecjen. Sa trishtuese dhe e dëmshme ishte kjo vrasje, po e tregon paslufta, sepse  edhe  20 vjet pas çlirimit, Kosova ende nuk e ka arritur konsolidimin e duhur të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Sintezat e botës së tij shpirtërore e mendore

Për jetën dhe veprimtarinë e kolonelit Ahmet Krasniqi, mbetet që ta thonë fjalën e tyre institucionet shtetërore të Kosovës, hulumtuesit, historianët, studjuesit, ushtarakët, studentët dhe publiku i gjërë, të cilët, për ta njohur mirë thellësinë e figurën poliedrike të kolonelit, nga ky cast promovues, domosdoshmërisht duhet të shërbehen edhe me dy librat e tij – ditarin “17 shtatori” dhe me librin “Shqiptarët në luftën kroate”, që janë sintezat e botës së tij shpirtërore e mendore, ndër ballafaqimet jetësore, me përjetime, qëndrime dhe botkuptime të autorit, në kohët më dramatike për te dhe për popullin shqiptar në përgjithësi.

Për dorzimin e kazermës së Gospiqit, kroatët e shpërblejnë me burg!

Për kolonelin, koha e kaluar në burgjet serbe është nga më të rëndat. E keqja zë fill nga Kazerma “Kanjizha” e Gospiqit, (më e madhja në tërë e R Kroacisë), të cilën komandanti i saj, koloneli shqiptar, vullnetarisht ia dhuron Ushtrisë Kroate, e cila përfiton mbi 10 mijë tyta armësh nga revolveri e deri te raketat tokë-tokë e tokë-ajër. Rënia në duart kroate e këtij arsenali luftarak e  trishton APJ-s, e cila menjëherë e burgos kolonelin, me akuzën për “rrënimin e fuqisë mbrojtëse të FA të RSFJ-s” Nga këtu për Kolonelin fillon golgota!

Vdekjen më afër se këmishën

Pas hetimeve në Burgun e Tërsatit, koloneli ekstradohet në Burgun hetues të Beogradit. Hetimet nuk japin rezultatin e dëshiruara prandaj Kolonelit i vazhdohet syrgjynosja në Frontin e luftës, në Sllavoninë Lindore, ku vdekjen e ka më afër se këmishën. Por Ahmet Krasnqi rreziston si i ka hije një ushtaraku të vërtetë, dhe jo vetëm se nuk thyhet, por forcohet për ta realizuar misionin që ka para vetes. Në rastin e parë të volitshëm, ik në Kosovë, prej aty kalon në Maqedoni dhe në fund arrin në Shqipëri.

Në vend të luleve e presin prangat!

Është qershori i vitit 1992 kur Shqipërinë e ka mbërthyer kaosi. Koloneli e kupton se nuk ishin rrethanat e duhura për synimet e tij. Prandaj vendos të kthehet në Kroaci, i bindur se, për  shërbimet që ia kishte bërë luftës kroate atje do të pritej si një hero. Por, në vend të luleve e presin prangat. Gjykata e Qarkut në Karlovc e dënon me dy vjet burg, me akuzën – për bashkëpunim me ushtrinë serbe e kundër ushtrisë kroate!

Ky është syzheu i Ditarit, për të cilin vet autori thotë: ”…asgjë nuk zbukurova, nuk ndryshova, nuk fsheha; pra, është një ditar origjinal… shërbimet sekrete të burgjeve (KOS dhe SIS) padyshim që e kanë fotokopjuar të tërin, kështun që, po iu dha dikujt mundësia që t’i ketë, do të shihet se kjo që po them është plotësisht e vërtetë…”

Krahas ditarit për figurën brilante ushtarake, profesionale dhe intelektuale të Kolonelit lexuesit kanë rastin të binden edhe nga libri i dytë – “Shqiptarët në luftën kroate”, që përbëhet nga dy analiza të thukta ushtarake.

E para titullohet “Analiza e shkaqeve kryesore të luftës në hapësirën e ish Jugosllavisë, shikuar nga pikëpamja ushtarake”– ku koloneli Krasniqi konstaton:

Hegjemonizmi serbo-sllav, thelbi i problemit

Në pikëpamjen time, hegjemonizmi serbo-sllav është thelbi i problemit. Ky akrep i fatkeqësisë shekullore në hapësirat ballkanike tashmë është identifikuar si i këtillë dhe është detyrë jona për ta provuar e për ta treguar, sepse vetëm kështu mund të pasqyrohen rrënjët e kësaj dukurie denigruese dhe të merren masa konkrete – të korrigjohen padrejtësitë historike të hegjemonizmit serb, që ua ka shkaktuar popujve të tjerë, sidomos ne shqiptarëve, që jemi viktimizuar deri në absurd.

Pikëpamjet e autorit në këtë analizë nuk janë përshtypje por janë vlerësime shkencore të një oficeri elitar, që e argumenton shkatërrimin e jugosllavisë nga eskalimi ushtarak i hegjemonizmit serb kundër popujve tjerë jo-serbë, e veçmas kundër shqiptarëve të Kosovës duke kërkuar zhdukjen e tyre, me qëllim të krijimit të Serbisë së madhe.

Vetëm në frontin e Vukovarit- 10 shqiptarë të vrarë

Analiza e dytë titullohet: “Shqiptarët në luftën kroate” dhe bën fjalë për shqiptarët që APJ-ja ua kishte mbushur zemrat me dëshpërim dhe me urrejtje të pafund, prandaj masivisht ia kthejnë shpinën dhe’ia drejtojnë pushkën e hakmarrjes. Kështu veprojnë të gjithë shqiptarët në Kroaci që vetorganizohen dhe formojnë grupe të pastra ushtarake dhe luftojnë për Kroacinë që e konsiderojnë atdheun e tyre të dytë. Koloneli me mburrje flet për heroizmin e Shqiptarëve të Bogdanovcit (me prejardhje nga Gjurakovci i Istogu), të cilët në Frontin e Vukovarit tregohen më të fortë se granatat e artilerisë dhe urrejtja e kriminelëve të Serbisë, nga të cilët janë vrarë 10 dhe janë plagosur 6 shqiptarë të Bogdanovcit.

I thjeshtë dhe modest, por burrëror dhe i vendosur

Në dy librat që po i promovojmë sot, lexuesi e gjen Ahmet Krasniqin ashtu siç ishte, i thjeshtë dhe modest, por burrëror dhe i vendosur për ta shprehur të vërtetën, pa ua vënë veshin thashethemeve të koluare prapa hijes së trupit të tij. I ka përjetuar të gjitha llojet e intrigave, prandaj më mirë se gjithkush e di peshën e padrejtësisë. Por, kundërvënia e Kolonelit është thellësisht e pikëpamjeve iluministe, sepse, i përket gjakut fisnik. Kjo është edhe mënyra e shkrimit që i karakterizon dy librat, sidomos Ditarin, që unë e konsideroj “model” të memoareve në publicistikën shqiptare.

Kështu kanë vlerësuar edhe katër recensentët e librave: akademiku Frashër Demaj, koloneli Anton Quni, eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi dhe shkrimtari e publicisti Rexhep Shahu nga Tirana, që me recensuat e tyre janë bashkudhëtarët e përjetshëm të librave të Kolonelit.

Veprat, që 20 vjet pritën dritën e botimit

Shumë të respektuar pjesëmarrës, ndjehem i shpërblyer, shumë i lumtur dhe krenar që, bashkë me ju, nga ky takim kaq vëllazëror, po ua dëshirojmë udhën e mbarë dy veprave të kolonelit Ahmet Krasniqi, të cilat më shumë se 20 vjet kanë pritur dritën e botimit.

Dhe krejt në fund: Për organizatorët e kësaj veprimtarie kaq nderuese, e kam vetëm një fjalë: Falemderit!

( Fjala e Skënder Zogajt, në promovimin e dy librave të kolonelit Ahmet Krasniqi, në Zofingen – Burgdolf, më 25-26 maj 2019 )