Muzeu “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, që mbijetoi barbarinë serbe

145

Pas Muzeut Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu“ në Krujë, sot përmes 30 fotove do të fokusohemi te Muzeu Historik Kombëtar “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, ku më 10 qershor 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit dhe ku pas intervenimit të NATO-së, më 27 mars 1999, kriminelët serbë dogjën këtë muze, me qëllim që të zhduknin çdo gjurmë të trashëgimisë sonë kombëtare.

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Jo vetëm për shqiptarët, por edhe shumë turistë të huaj që vizitojnë Kosovën e që donë të mësojnë për të kaluarën e tonë, Prizreni paraqet një nga vendet më tërheqëse si për nga pamja ashtu edhe monumentet historike e kulturore, ku ndër to shquhet Muzeu Historik Kombëtar “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, ku më 10 qershor 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit.

Ndaj edhe me këtë rast, ca të dhëna për punimet e këtij kuvendi, që u drejtuan nga Iljaz pashë Dibra, ndërsa programi politik i vet kongresit ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar,  Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë.

Organizata e parë politike dhe ushtarake

Përndryshe, Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar e që duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët. Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane. Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan, pavarësisht ndryshimeve fetare.

Komitet Kombëtar me atributet e një qeverie të përkohshme
Organi më i lartë i Lidhjes së Prizrenit ishte Këshilli i Përgjithshëm, i cili kryente funksione legjislative. Ky organ krijoi një Komitet Kombëtar i cili mori atributet e një qeverie të përkohshme. Komiteti Kombëtar përbëhej nga tre komisione: Për çështjet e Jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri, për çështjet e Brendshme u ngarkua Shaban Prizreni dhe për çështjet Financiare ishte Sulejman Vokshi.
Sa i përket vet objektit të Muzeut Historik Kombëtar “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, ai shtrihet në pikën më delikate të hapësirës urbane të qytetit, i rrethuar nga Lumbardhi, Kompleksi i Marashit dhe shtëpitë e kalasë.

Do theksuar , se përveç vlerave të kulturës materiale, kompleksi ka një rëndësi të madhe historike, pasi që në Medresenë dhe xhaminë e Mehmed Pashës u mbajt kuvendi themelues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878. Ndaj edhe brenda objektit mund të gjenden shumë dëshmi nga ajo periudhë dhe njihet si destinacion vizite për shumë turistë vendas e të huaj.

Një tërësi urbane-arkitektonike

Pa u lëshua më tej në peshën historike e kombëtare të kësaj ngjarje madhore, po ndalemi te kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që paraqet një tërësi urbane-arkitektonike në aspektin hapësinor dhe është vendosur në bërthamën e vjetër të qytetit. Ky kompleks është formuar me ndërtimin e Xhamisë së Gazi Mehmed Pashës, ku pastaj rreth saj janë ndërtuar edhe objekte tjera si ndërtesa e Lidhjes, medreseja, tyrbja, leximorja dhe objektet e banimit.

Nga historiku i këtij muzeu mësojmë se: Pas viteve 50 të shek. XX fillojnë rrënimet masive të objekteve të vjetra duke zgjeruar rrugët, duke ndryshuar rrjedhën e lumit Lumbardh në emër të “modernizimit” të qytetit, ndaj edhe tani nga ky kompleks kanë mbetur pak objekte banimi të ruajtura sikurse që janë shkatërruar edhe disa pjesë të medresesë.

Digjet tërësisht ndërtesa e rezidencës së Lidhjes

Gjatë luftës së fundit në vitin 1999 digjet tërësisht ndërtesa e rezidencës së Lidhjes e cila rindërtohet në qershor të vitit 2000. Tani Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përbëhet nga tri sektorë: Ndërtesa e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ku gjendet Sektori Historik me tematikën historike te Lidhjes, ku janë të paraqitura dokumentet e shkruara, armë të vjetra dhe pamje të figurave historike e politike të Lidhjes së Prizrenit. Ndërtesa e medresesë ku në përdhese gjendet Sektori Etnografik, me veshje karakteristike nga trojet e banuara nga shqiptarët, dhe në katin e medresesë gjendet Galeria e Arteve me piktura me tematikë të kushtuar personaliteteve të Lidhjes Shqiptare .

Mbrëmja e kobshme e 27 Marsit 1999

Me rastin e terrorit ushtarako-policor serb në Kosovë, mbi 20 vjet më parë, që në fillimit të intervenimit ushtarak nga NATO, kundrejt  forcave serbe, mbrëmjen e 27 marsit 1999, kriminelët serbë dogjën Muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke kryer kështu një akt të qëllimshëm barbarë ndaj trashëgimisë sonë sa historike aq edhe kombëtare.

Mësojmë se me këtë rast u dogjën 188 dokumente me vlera historike, përfshirë gjësende personale dhe eksponate tredimensionale të cilat ishin të ekspozuara në muze deri natën kritike. Fakti se Lidhja Shqiptare e Prizrenit (LSHP) është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Fakti se ajo ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, pas kohës së Skënderbeut, ishte edhe motivi kryesor i pushtuesve serbomedhenj që synonin të digjnin e asgjësonin çdo gjë që lidhej me ngjarjet me peshë të veçantë për kulturën, traditën dhe trashëgimin tonë kombëtare.

Predhat që godasin: “Shpirtin e madh të kulturës kombëtare!”

Gjatë dy-tri vizitave që kam bërë në këtë muze qoftë vetë, familjarisht apo edhe me shoqata të ndryshme, nga ciceronët kemi mësuar detaje të shumta për të kaluarën dhe të sotmen e këtij muzeu. Ndërkaq detaje më të përafërta ofron historiani dhe përgjegjësi i LSHP-së, Parim Kosova, i cili lidhur me djegien e muzeut ka shkruar se: “ më 27 mars 1999,  rreth orës  20 e 50 minuta, kriminelët serbë me dy predha tromblloni e kanë goditur katin përdhes të Muzeut. “Shpirti i madh i kulturës dhe i historisë sonë kombëtare po i bënte sfidë terrorit barbar serb”. Sipas tij, kriminelët u rikthyen edhe një herë te Kompleksi historik, ndërsa brenda objektit u dëgjuan dy eksplodime të njëpasnjëshme, kurse eksplodimi i tretë ishte edhe më i fuqishëm,  andaj Muzeu, së bashku me eksponatet filloi të digjet”.

Serbët  ishin të vendosur të zhdukin çdo gjë shqiptare

Ndërsa ish-sekretari i Këshillit për të drejtat e njeriut në Prizren, Bashkim Gashi duke kujtuar momentet se si e kishte përjetuar aktin e djegies thotë: “kur e pashë Shtëpinë e Lidhjes të djegur mendova se serbët kanë vendosur të zhdukin çdo gjë shqiptare. Ndjeva dhembje për eksponatet e djegura, të cilat nuk mund të zëvendësohen, dhe se ky është një ndër krimet më të rënda ndaj trashëgimisë sonë historike”.

Në Kompleks rivendosen shtatoret e tre liderëve historikë

GazetaePrizrenit.net, shkruan se: në vitin 2018, në vargun e aktiviteteve me rastin e Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kontekstin e shënimit të 28 Nëntorit, sipas projektit të Qeverisë së Kosovës në hapësirën e Kompleksit u rivendosen shtatoret e tre liderëve historikë, Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit, porse për fat të keq, sot e kësaj dite askush nga kriminelët e “mesjetës” moderne nuk është dënuar për aktin e djegies së rezidencës së Qeverisë së përkohshme shqiptare, pra Muzeut të Lidhjes”.

( Fotot nga vizitat e realizuar, qoftë vetë apo edhe me ekipin e prointegrës.ch)