Kështjella e mbretëreshës Teutë, që mbijetoi milieniumet

 

Gjatë shtegtimeve të mija trojeve shqiptare, vazhdimisht isha kureshtar që të vizitoja  kështjellës ilire, të mbretëreshës Teuta, emri i së cilës përmes 23 shekujve, arriti me lavdi deri në ditët tona. Gërmadhat e kësaj fortifikate në qyteti antik Risani në Mal të Zi, me kreshtat e maleve dhe kaltërsinë e Adriatikut, japin një pamje magjepse, por që të arrish deri duhet ngjutur këmba -dorës! .

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Përmes disa shënimeve që kanë arrit deri në ditët tona thuhet se mbretëresha, Teuta ishte një personalitet i rëndësishëm i historisë Ilire, që sipas Wikipendisë: “sundoi vetëm për 3 vjet, por që vepra dhe lavdia e kësaj gruaje ka triumfuar në shekuj”, sa sot ne pasardhësit e saj duke e ruajtur këtë emër me krenari e kemi bartë deri tek vajzat e mbesat tona, duke i pagëzuar me shumë kënaqësi me emrin e saj.

Mbretëresha që forcoi prestigjin dhe flotën ilire

Mësojmë gjithashtu se mbretëresha Teuta, vëmendjen kryesore ia kushtoi ushtrisë dhe sidomos flotës se fuqishme detare, jo më të vogël sesa ajo para saj. Dhe për ketë Teuta urdhëroi : “Prijësit ta konsiderojnë armik gjithë bregdetin”. Kështu, liburnët e flotës ilire bënin ligjin në Adriatik. Një shtet i përqendruar dhe me pretendimet e veta në të drejtë, me një fuqi detare që sfidonte deri në hyrje të Mesdheut, nuk mund të pranohej, qoftë edhe në heshtje, nga shtetet që e kufizonin Ilirinë”.

Kjo fortifikatë, prej nga mbretëresha Teuta kontrollonte Adriatikun, duke ua futur frikën edhe flotave të shteteve perandorake, sot ishte kthyer në një gërmadhë nga dhëmbët e kohës dhe gërmimet e pakta që janë zhvillua së voni.

Si arrihet sot deri te kështjella e Teutës në Risan (Rrizanë) ?!

Pikërisht me 14 Tetor 2019. Me mikun  dhe shoqëruesin tim, bashkatdhetarin me banim në Zvicër, Gjergj Prenkoqajn, me të cilin i kam bërë edhe dy udhëtime te vëllezërit arbëresh në Kalabri, ia  mësymë kësaj radhe edhe qytetit histori të Risanit, të njohur dikur edhe me emrin Rrizanë (Rhizon), në gjirin e Kotorit, në Mal të Zi , ku edhe gjendet vendbanimi më i njohur i antikitetit ilir në rajon. Në këtë lokalitet, që gjendet mes Shkodrës dhe Dubrovnikut e ku 23 shekuj më parë ishte selia ushtarake e mbretëreshës ilire Teuta.

Pas rreth dy orë udhëtimi nga Tuzi në drejtim të Risanit, u ndalëm për pak kohë në Kotorr një qytet atraktiv turistik në bregdetin malazez, ku edhe kishin arrit edhe dy anije tejoqeanike duke sjellë qindra turist nga mbarë bota , për të vizituar këtë qytet me histori mjaft të lashtë e ku ruhen shumë nga monumentet e së kaluar, sidomos nga periudha e perandorisë romake e këndej, por pak shkruhet e flitet për prani ilire, pos që me një prospekt përmendet Risani, si selia e mbretëreshës ilire.

Ndaj edhe ne të dy, me të arritur në Risan deshëm të pimë një kafe te Hoteli i madh “Teuta”, buzë bregut të këtij gjiri të Adriatikut, por ai ishte me rrethoja i mbyllur nga të gjitha anët. Ishte në renovim e sipër. E kur deshëm të ngjitemi te kështjella e mbretëreshës Teuta, shumë pak kush dinte të na thoshte, derisa nuk takuam ca të moshuar.

Jo vetëm për mua nga pozita e një kronisti shtegtar, tash kur kam shkel të 77 tatë, por as për shoqëruesin tim nga Zvicra, Gjergj Prenkoqaj, këtë atdhetar të flaktë, që njihet për vendosjen e flamurit të madh kombëtar në kalanë e Ohrit, për çka edhe për veprimin e tij patriotik u dënua nga autoritetet e atyshme policore-gjyqësore me pesë vjet ndalesë në Maqedoni, ishte jo vetëm një mbresë, por edhe një kureshtje që të ngjitemi lart, te kalaja për të cilën nuk kishte asnjë shenjë orientimi në rrugë.

Asnjë tabelë apo qoftë edhe një shteg bagëtie!

Për të arrit deri tek fortifikatat e kështjellës së mbretëreshës Teutë, një pjesë e rrugës deri te lagja e fundit arrihej përmes një rruge të ngushtë asfalti, ku edhe në fund të lagjes, një vendas na orientoj për rrugën deri te kalaja, por duke na sugjeruar se nuk ka ndonjë rrugë, por si të mundeni mund të ngjiteni lart

Vërtetë udhëtimi ishte shumë i mundimshëm, sa mu desh këmba doras të ngjitem deri te kështjella sepse nuk ka qoftë edhe një shteg bagëtie për të arrit deri atje. Por megjithatë ia vlejti! Bashkë me Gjergjin gjarpëronim shtigjeve të dhive, nga edhe rrëshqitnin edhe gurët, ndaj edhe atij pos vetës iu desh edhe të më ndihmonte përmes zgjatjes së dorës, që të mos bie në humnerë!

Brenda fortifikatës, që i kanë bërë ballë dy mileniumeve

Ngjitja ishte tejet e vështirë, por pas gjysmë ore rrugë thikë tatëpjetë, pamjet që vërejtëm në Gjirin e Teutës ishin më se mahnitëse. Ndaj edhe deshëm që ti prekim me dorë gurtë e murit rrethues të kësaj fortifikate rreth 2300- vjeçare, sa për tu bind se a jemi në ëndërr apo zhgjëndërr?!  Ajo që ishte më e rëndësishme sikur e harruam: lodhja pushoi kur përmes një moti  me diell u gjendem brenda fortifikatave të një kalaje që ka lënë gjurmë ndër shekuj e epoka. Në maje të kësaj kodre madhështore, kësaj fortifikata ilire vëreheshin gjurmë të gërmimeve, të lëna në gjysmë, të papërfunduara e që gjithsesi do të ishte mirë që të vazhdojnë gërmimet.

Monedhat ilire me kokën e mbretit Ballaios

Nga leximet e mëparshme, të një shtegtimi të disa bashkëkombësve tanë nga Ulqini kam mësuar se:” ky vend nuk është i njohur vetëm përmes Agronit e Teutës, por se këtu kohë më parë janë gjetur edhe monedhat ilire me kokën e mbretit Ballaios e që do të thotë këtu ka mbretëruar edhe një mbret ilir, të cilin historia e njeh më pak”.

Aq më parë që kah mot e kisha ëndërr vizitën e kësaj kështjelle, ku pak vite më parë gjeologët polak i filluan gërmimet, por ato mesa pamë ishin ndërprerë. Nga kjo kala antike, që pak gjë ka mbetur nga ajo, poshtë në gjirin e detit shtrihet një perle e mrekullueshme ujore ku depërtojnë vetëm barkat e vogla. Ishte më se mbresëlënëse pamja e qendrës së shtetit të dikurshëm ilirik, përgjatë Adriatikut që ofron edhe  tash një pamje vërtetë mahnitëse. Porse, do pranuar se menjëherë atë pamje dhe mrekulli ta fanit moskujdesi i dorës së njeriut, çka nuk është për habi se kush në një shtet të huaj do të kujdesej për një monumentet tua, derisa ti vet atyre nuk iu kushton kujdes, ndonjëherë as brenda kufijve të tu administrativ!

Fortifikata, jo vetëm fakt arkeologjik, po edhe atraksion turistik

Përndryshe, kryeqendra e madhe ilirike, Resani me rrethinë nuk flet vetëm se për një legjendë,  apo edhe për një fakt arkeologjik, por edhe për një trashëgimi materiale kulturore, e turistike, që po të hulumtohej e rregullohej dhe lidhej edhe me rrugë deri në maje të kalasë, do të ishte edhe një atraksion i vërtetë turistik, me përfitime financiare për vet shtetin malazez, në saje të vizitave turistike, siç përfiton mesa pamë në gjirin e Kotorrit.

Kësaj radhe lexuesit e portalit tonë duhet të mjaftohen me disa pamje që shkrepa nga fortifikata apo edhe  për përshtypjet nga gjiri i Kotorrit deri tek kështjella lartë , pa asnjë rrugë këmbësorësh, ku mu desh të ngjitem madje edhe këmba dorës! .Natyrisht, duke e harruar edhe rrezikun nga gjarpërinjtë, që kësaj radhe mesa duket me ne ishin paqësor, sepse edhe  qëllimi i vizitës sonë ishte i tillë!

Ndaj edhe kësaj radhe përjetoni, sa pamje nga vet fortifikata e mbretëreshës sonë nga gjiri i Kotorrit, ku sot ankorojnë edhe anijet tejoqeanike e ku dikuar frikoheshin të afroheshin edhe flotat e perandorive të kohës, nëse këtë nuk ua lejonte e mundësonte mbretëresha jonë Teutë , emri i së cilës bartet me lavdi në histori deri tek nipat e mbesat tona.

(Brenda këtij shkrimi mund ti gjeni fotot nga brenda fortifikatës, pamjet nga lartë të Risanit si dhe shtigjet e pa rrugë dhe florën e faunën që e rrethon kështjellën e lashtë ilirike)