Gjaku arbëror, tradita e mikpritja jeton kudo në mesin e vëllezërve arbëresh

Mbresa nga një udhëtim disaditor, shumë mbresëlënës në dhjetë katunde arbëreshe të Kalabrisë, ku edhe më tej kudo që shkon has në një mikpritje të paparë, por edhe në ruajtjen e vlerave kombëtare, qoftë sheshet e fshatrave të stolisura me bustin e Skënderbeut, apo të rilindësve të shquar tej Jonit, ku në çdo shtëpi përkundër trysnive të kohës ruhet gjuha e lashtë arbërore, ndërsa jo vetëm në muze por edhe në manifestime jehon kënga e lashtë, ndërsa që kostumet tradicionale qindvjeçare rinojnë e zbukurojnë manifestimet

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati (Ekskluzive për prointegra.ch)

Që nga 1-4 Mars 2019, në kohën kur në Tiranë mbahej Samiti i Dytë i Diasporës, unë në vend se atje kësaj radhe përzgjodha Kalabrinë, ku në katundin e vjetër Ungër (italisht: Lungro), mbahej një manifestim , tashmë tradicional ku grupet artistike dalin dhe parakalojnë rrugëve të ngushta që ndajnë godinat shekullore të vendosura në shkëmbinj, sikur donë të tregojnë historin të larta

Gjatë këtyre shtegtime studiuese të tretat me radhë, i shoqëruar me disa mërgimtar nga Zvicra vizituam 10 katunde arbëreshe, në gjurmë të shtëpive të rilindëseve dhe figurave të shquara arbëreshe, si dhe morëm pjesë në një manifestim madhështor tradicional që i kushtohet Skënderbeut, ku grupe artistike parakalojnë me kostume kombëtare, ndërsa që në balle të tyre është një nga artistët që paraqet Gjergj Kastriotin hipur në kalë.  Në përfundim të vizitës në Frasnitë patëm një pritje shumë të përzemërt vëllazërore nga kolosi i kulturës shqiptare arbëreshe, apostulli i shqiptarizmit, At Antonio Bellusci (Belushi).

Në fshatin e madh Ungër (italisht: Lungro), që është një lokalitet relativisht i madh dhe i vjetër, por edhe komunë në vete në Provincën e Kozencës, përcollëm një eveniment kulturor që tërheq gjithë banorët në një ngjarje festive kushtuar kryetrimit tonë, jeta dhe vepra e të cilit pos në zemrat e arbëreshëve është e skalitur edhe në sheshin qendror që mban emrin e tij, po në qendër të Ungrës.

Përndryshe, Ungra ndodhet në një lartësi prej 650 m mbi nivelin e detit dhe 67 km larg nga Kozenca, kryeqyteti i provincës me të njëjtin emër. Fshati u themelua nga refugjatët nga Shqipëria në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë dhe është ndër qendrat kryesore të komunitetit shqiptar në Itali, si dhe kryeqyteti fetar i arbëreshëve të Italisë kontinentale, që kanë ruajtur ritin bizantin. Po ashtu gjuha e lashtë, traditat dhe zakonet tipike të kulturës lokale shqiptare janë trashëguar me xhelozi në këtë katund tipik arbëresh ku shqipja dominon në familje por jo edhe në shkollë, pasi që shqipja në këtë pjesë të Italisë nuk është brenda sistemit shkollor, siç është në Hora të Arbëreshëve në Sicili. Sa i përket përdorimit të simboleve kombëtare, ato jo vetëm në këtë lokalitet prej disa mija banorësh, por edhe në të gjitha fshatrat tjera në sheshe, ku dominojnë bustet e Skënderbeut.

Shtëpitë e poetëve të mbyllura, por veprat e tyre bëjnë dritë edhe përmes busteve

Ditën e parë të vizitës jo pa qëllim i vizituam vendlindjet dhe shtëpitë e poetëve tanë të shquar rilindas: atë të Jeronim De Radës dhe të Zef Serembes, duke filluar nga Kolegji i Shën Adriani, ku u shkollua dhe më vonë edhe ligjëroi Jeronim De Rada. Do theksuar se Kolegji Arbëresh i Shën Adrianit  është themelua më1732 dhe ka vepruar deri më  1919, duke u bërë një qendër e rëndësishme arsimore e kulturore e Arbëreshëve të Italisë, ku vetëm në periudhën 1898 – 1919, mësimet në këtë institucion i kanë vijuar mbi 100 intelektualë shqiptarë, në mesin e tyre edhe Luigj Gurakuqi e Avni Rrustemi. Në Oborrin e këtij kolegji pos bustit të De Radës është edhe ai i Garibaldit , i cili e ndihmoi financimin e kolegjit me një shumë të madhe mjetesh, pasi qrbëreshët e ndihmuan atë gjatë revulucionit që ai udhëhoqi për bashkimin e Italisë.

Po ashtu vizituam edhe vendlindjen e De Rades, Makin, ku shtëpinë e lindjes e gjetëm të mbyllur, por që gjithçka për rreth saj ta kujton poetin e madh autorin e shumë poemave lirike me përmbajtje dhe dashuri atdhetarie.

Rrugëve të vendlindjes së Serembes pllaka me vjershat e poetit

 Edhe vendlindjen e poetit tjetër rilindës, Zef Serembe, katundi Strigari, apo italisht: S.Cosmo Albanese është një vendbanim interesante, ku po ashtu kot i ram ziles në shtëpinë e vjetër të poetit, por bëmë ca foto te busti i tij, në një nga sheshet ku është ngrit busti i tij. Karakteristike është se në muret e rrugëve mund ti lexosh edhe sot disa nga vargjet e Serembes!

Edhe këtu hasëm në mikpritje të përzemërt nga vëllezërit arbëresh, të cilët për afro gjashtë shekuj ruajnë me shumë përkushtim gjuhën, traditën dhe zakonet e të parëve.
Me këtë rast gjatë disa qindra kilometrave vizituam gjithçka na dukej se ishte me vlerë të veçantë për kulturën, traditën dhe trashëgiminë tonë kombëtare. Vizitori përjeton emocione të veçanta kur është në mesin e vëllezërve të një trungu, gjuhe, gjaku e flamuri, siç bëjnë arbëreshët e Kalabrisë, që për afro gjatë shekuj i kanë përballuar çdo rrebeshi të kohës, madje edhe atë në vend të huaj, ku rreziku i asimilimit ka qenë tejet i madh. Por megjithëkëtë ata kanë ruajtur të gjallë gjuhën, traditat dhe zakonet stërgjyshore.

Po ashtu gjatë këtyre udhëtimeve bashku me Gjergj Prenkoqaj, Bajrush Zekën dhe Ilir Xheladinin, mërgimtarë në Zvicër, vizituam muze, shtëpi kulture, e shoqata artistike. Ditën e fundit të udhëtimeve na shoqëroi edhe artisti i mirënjohur i valles shqiptare, arbëreshi Franco Vasto nga Firmo, një njohës i mirë i lokaliteteve arbëreshe.

Nga Kalabria u ktheva me mbresa të jashtëzakonshme, pasi në çdo katund që vizituam , pamë se edhe më tej rron e gjallë gjuha, tradita dhe mbi të gjitha mikpritja e çiltër dhe bujare kudo që shkon. Mjafton që të kesh takuar dikur ndonjërin nga artistët e kësaj ane që të kem takuar në Shqipëri, Kosovë apo Mal të Zi dhe ai nuk do të lëshon pa ja bërë një vizitë në shtëpinë tij, kështu ndodhi edhe me takimin që patëm me artistin Nicola Mele, në katundin Firmoza, i cili na morri në shtëpinë tij ku na gostiti  me pije.

Nga 20-24 prill, do të jem sërish në Kalabri për të marr pjesë në Festën e valleve kur grupe artistike të veshura me kostume kombëtare e banda muzikore defilojnë shesheve të katundeve Frasnita e Çifti duke e festuar një nga fitoret vendimtare të Skënderbeut, atë kundër Ballaban Pashës.