KA NDËRRUAR JETË VEPRIMTARI I ÇËSHTJES KOMBËTARE MASAR KRASNIQI

256

Më 7 gusht 2019 në qytetin Gold Coast (Queensland, Australi) ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Masar Krasniqi. I lindur në tetor të vitit 1929 në Prishtinë, për shkak se ishte i përndjekur politikisht, ai është detyruar ta braktisë vendlindjen fare i ri, në moshën 21-vjeçare. Që nga viti 1950, kur është shtrënguar ta lërë atdheun e tij të shtrenjtë, Kosovën, deri në vitin 2007 ai ka jetuar në Zelandë të Re, ndërkaq 12 vjetët e fundit të jetës së tij në Australi, ku edhe ka vdekur.

Nga Hajro HAJRA, Arizona

Ndonëse larg Atdheut, ai kurrë nuk ka reshtur së vepruari për çështjen kombëtare. Atdhe i tij nuk ka qenë vetëm Kosova, ku ai ka lindur. Atdhe ka qenë Shqipëria, Atdhe kanë qenë të gjitha trojet shqiptare për lirinë e të cilave ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij.

Angazhimi i tij për çështjen kombëtare është intensifikuar, sidomos në kohën kur Kosovës iu morën edhe ato pak të drejta që kishte. Ishte koha kur shqiptarët e Kosovës po largoheshin masivisht nga puna dhe po privoheshin nga çdo e drejtë dhe liri qytetare e kombëtare. Ishte fundi i viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ’90. Lëvizjet për këto të drejta e liri të shqiptarëve në Kosovë kishin marrë hov dhe Masar Krasniqi ishte vënë tërësisht në shërbim të çëshjtes kombëtare.

Themelimi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në janar 1989, nga ish-kongresisti Joseph J. DioGuardi, mik e bashkëpunëtor i afërt i Krasniqit dhe zgjedhja e këtij të fundit në kryesinë e saj, si përfaqësues i interesave të lobit amerikan për Shqipërinë, për Kosovën, për Maqedoninë dhe për trojet e tjera shqiptare, shënon kulmin e angazhimit të Masar Krasniqit për kauzën shqiptare.

Që nga vizita e dytë e Ibrahim Rugovës në SHBA, në prill 1990, Masar Krasniqi e ka shoqëruar Rugovën pothuaj në çdo takim me personalitete të shquara të Amerikës e të shteteve të ndryshme të Europës dhe pjesë e shumë prej këtyre takimeve, sidomos në SHBA, ka qenë edhe ish-kongresisti me prejardhje shqiptare, Joseph J. DioGuardi.

Masar Krasniqi ka takuar shumë personalitete të huaja e shqiptare dhe të gjitha këto takime kanë qenë në shërbim të çëshjes kombëtare. Nënën Terezë e ka takuar në Zelandë të Re në vitin 1970 dhe në Shqipëri në prill 1993 (gjatë vizitës në Shqipëri të Papa Gjon Palit II). Krasniqi ka takuar dhe Ibrahim Kelmendin, atdhetarin e veprimtarin preshevar si dhe atdhetarin e veprimtarin Luan Gashi, edhe ky mërgimtar si vetë Krasniqi. Pjetër Arbnorin e ka takuar disa herë, vetë ose bashkë me DioGuardin, në kohën kur ai ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë (1992-1997). Kongresistin republikan, Benjamin Gilman, mikun e madh të shqiptarëve e të Kosovës, i cili më 1992, bashkë me Tom Lantosh kishte bashkësponsorizuar Rezolutën e paraqitur në Kongres nga LQSHA-ja, e cila bënte thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e ka takuar 4-5 herë.

Në fund të këtij shkrim-përkujtimi për Masar Krasniqin, një kritikë, e sugjerim njëherësh, për pushtetarët e Kosovës: ky bir Kosove, i injoruar në të gjallë, të dekorohet pas vdekjes, së paku me një mirënjohje.