Ç’është dashuria
Shpërthim yjesh në natë të thellë,
Paqe që vjen pas një lufte të qetë.
Një betejë e shenjtë mes arsyes dhe zemrës,
Zë që thërret nga rrënjët e shpresës…
S’matet me kohë, as me trup e me sy,
Flet me një gjuhë që askush s’e di..
Dhimbje e ëmbël, gëzim që lëndon,
Portë e fshehtë ku ndjenja pushon…
Dashuria, është art, besim dhe revoltë,
Akt krijimi që magjinë kthen në botë.
Vetë jeta, me lakuriqësinë e saj,
Fuqi që shpirtin nuk e lë të ndalë…
Kujtime të lagura
Kujtime të lagura nëpër pikëza shiu,
Qielli shtrihet mbi horizontin gri,
Si një fije që lidh thellësitë e shpirtit,
Dhe një ndjenjë të largët e rizgjon përsëri…
Mendime të zbrazëta që enden nëpër rrugë,
Aroma e vjeshtës na i ngjit hap pas hapi,
Ecim në jetë pa ditur se ku shkojmë,
Duke pritur kohën që diku të na ndali…
Një çast me veten
Jashtë bie shi, i vrullshëm, i lodhur,
si të kërkonte të rrëfente gjithë botën për një ditë..
Dritarja është kufiri mes meje zhurmës, dhe rrëmujës së qiellit..
dhe qetësisë së një filxhani kafeje mbi tavolinë…
E rufis kafen symbyllur ngadalë,
si të përpiqem ta bind kohën të ecë më butë…
Avulli veson mbi buzët e filxhanit.
Dhe mendimet fluturojnë larg e më pas rikthehen sërish te unë…


















