Hapet një shkollë shqipe edhe në Seebach të Kantonit të Cyrihut

Në këtë fillim tetori të vitit 2021, nxënësit e vatrës sonë arsimore:  “Shkolla Shqipe” në Buchwiesen, të Seebachit, në Kanton e Cyrihut, filluan mësimet në gjuhën shqipe. Kjo ditë ishte ditë e veçantë jo vetëm për nxënësit, por edhe te prindërit dhe veçanërisht te mësuesi i tyre Ardjan Shaqiri.

Nxënësit e shkollës sonë në Buchwiesen (Seebach) të kantonit të Cyrihut, së bashku me mësuesin e tyre Ardjan Shaqirin dhe koordinatorin e shkollave shqipe në Zvicër Vaxhid Sejdiun

Sukseset e vatrës sonë arsimore “Shkollës Shqipe” në Zvicër nuk kanë të ndalur. Nga javë në javë jo vetëm që rritet numri i nxënësve nëpër pikat shkollore ku ekzistojnë, por edhe vazhdimisht hapen shkolla të reja shqipe, të cilat kanë një shtrirje më të gjerë të shkollave shqipe jo vetëm në Kantonin e Cyrihut, por edhe në kantonet e tjera.

Kjo përpjekje është shembulli më  mirë, se si aty ku bëhen bashkë mësuesit dhe prindërit nuk mungon edhe mbarëvajtja dhe shkëlqimi i shkollës shqipe.

Ky aktivitet kombëtar hedh poshtë të gjitha vlerësimet e atyre, të cilët deri dje fajin ua linin prindërve. Pra dhjetëra e dhjetëra shkolla të hapura gjatë këtij viti shkollor dëshmojnë interesimin e  prindërve shqiptarë, të cilët dëshirojnë t`ua ruajnë gjuhën amtare fëmijëve të tyre.

 

Mësuesi Ardjan Shaqiri së bashku me nxënësit e shkollës shqipe në “Buchwiesen” (Seebach) të kantonit të Cyrihut. Ejani nxënës në shkollën shqipe, shqip të mësojmë!

Dhe, ky interesim është menaxhuar në mënyrë te shkëlqyer nga Këshilli i Arsimtarëve të Shkollës Shqipe në Zvicër. Këto fakte dëshmojnë punën dhe angazhimin e tyre në shërbim të gjuhës dhe shkollës shqipe. Një mbështetje e madhe ishte dhe është vazhdimisht nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, stafi i së cilës kujdeset në mënyrë të rregullt që të na ndihmojë sa më mirë në hapjen e këtyre shkollave.

Shkolla shqipe Zvicër

Sektori për informim