Hapet pika shkollore në Flamat të Kantonit të Freiburgut

Të premten e kaluar edhe nxënësit e “Shkollës Shqipe” në Flamat të Kantonit të Freiburgut filluan me orët mësimore në gjuhën shqipe.

Një ditë e shënuar në shërbim të gjuhës shqipe. Mësuesi Sejdi Rexhepi së bashku me nxënësit e ”Shkollës Shqipe” në Flamat

Se çdo përpjekje sjell edhe rezultatet e saja dëshmon puna dhe angazhimi i veprimtarëve të “Shkollës Shqipe” në Zvicër. Pas një angazhimi dhe bashkëpunimi me prindërit e këtij rrethi, të premten e kaluar me datë 23 shtator hapi dyert edhe “Shkolla Shqipe” në Flamat te kantonit të Freiburgut, për fëmijët shqiptarë.

Si çdo nismë ka vështirësitë e saj por edhe në këtë rrethinë ku jetojnë me vite shqiptarët, interesimi është i dukshëm. Vlen të përmendet në shenjë falënderimi bashkëpunimi me Drejtorinë e shkollës në Flamat si dhe angazhimi i disa prindërve që sa më shpejt fëmijët e tyre të fillojnë me mësimin në gjuhën amtare. Dhe për këtë arsye mësimi filloi javën e kaluar por në ndërkohë janë paraqitur edhe fëmijë të tjerë, të cilët do t`iu bashkëngjiten bashkëmoshatarëve të tyre me qëllim që ta mësojnë gjuhën e tyre amtare.

Fakt është se “Shkolla shqipe” në Zvicër i ka tejkaluar të gjitha parashikimet. Përkushtimi dhe angazhimi i veçantë me prindërit shqiptarë kanë dhënë në këto 3-4 vitet e fundit edhe frutat e saj. Hapja  e shkollave të njëpasnjëshme kanë tubuar me qindra e qindra nxënës në kuadër të pikave shkollore në 17 kantone të Zvicrës.

Jo vetëm fëmijët, tani më nxënës të shkollës shqipe, që ishin të gëzuar dhe të lumtur,  por edhe prindërit ishin bashkë me ta në këtë ditë festive.

 Vaxhid Sejdiu