Gjurmëve të kristaleve të Trepçës nga Stantërgu deri në Säntis të Zvicrës

Jeta në Zvicër, më ka mundësuar që ti regjistroj disa pika që i ofrojnë popujt e dy vendeve: Kosovë- Zvicër, ndaj edhe kësaj radhe për portalin tonë: prointegra.ch, përzgjodha një nga vlerat më të çmueshme që ruan nëntoka e Kosovës: kristalet e Trepçës, sesi ato pos në Muzeun e Kosovës në Stantërg, ruhen prej gjysmë shekulli në një nga qendrat më atraktive turistike të Zvicrës, në Säntis, në një lartësi mbidetare mbi 2500 metra 

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Gjatë një shtegtimi tim dje Alpeve zvicerane, pata rastin nga afërsia të kapi me objektiv majën e Qendrës rekreative turistike Säntis në kantonin e St. Galenit në Zvicër. E rëndësishme është për ne shqiptarët dhe vet Kosovën se po në këtë  qendër, ku mund të arrihet vetëm me teleferik, se aty ruhen tash e gjysmë shekulli një koleksion kristalesh, ndër më të mirat në botë, në mesin e tyre edhe disa nga kristalet e Trepçës, me emërtimin e vendit të prejardhjes, Kosovës.

Pra në Zvicër, pos shumë dokumente arkivore, si dëshmi e pranisë së hershme shqiptare në këtë shtet, ruhen edhe disa ekzemplarë të çmueshëm të pasurive nëntokësore të Kosovës. Në fakt, kristalet e Trepçës, janë ato që mahnitin edhe specialistët më të njohur të fushës së mineralogjisë, e të cilat pos në Muzeun e ri Shtetëror të Kristaleve në Stantërg të Kosovës, me shumë kujdes po ruhen edhe në ekspozita dhe institute hulumtuese të shtetit mik helvetik.

Nga të dhënat që ofron kjo qendër atraktive turistike mësojmë se këto kristale me ngjyrime fantastike, që janë të ekspozuara në Säntis, në një lartësi mbidetare mbi 2500 metra, e ku mund të shkohet kryesisht me teleferik janë pjesë e Fondacionit të njohur Bertold-Suhner, që ka arritur të tubojë diku rreth 5000 lloj mineralesh, duke veçuar kristalet më impozante, prej të cilave nga Ballkani ka veçuar disa eksponate kristalesh nga Trepça (Kosovë).

Prej vitesh këto eksponate të kristaleve u ofrohen vizitorëve brenda vitrinave të qelqit dhe me tabela përkatëse, ndaj edhe vizitorët e vendeve të ndryshme tash e gjysmë shekulli më parë kanë pas rast të shohin këto minerale që mahnitin me bukurinë e tyre. Sa për informimi, vetëm disa kilometra nga vendbanimi im në Cyrih, ndodhen edhe disa ekzemplarë të rrallë të kristaleve të Trepçës, që ruhen në universitetin me renome botërore, në ETH të Cyrihut, e që shërbejnë, pos për ekspozime, edhe për studime.

Ndërkaq, në rrugëtimet e mija trojeve shqiptare pata rastin që të vizitoj edhe Muzeun e Kristaleve të Kosovës  “Trepça” në Stan Tërg, që burojnë nga thellësia e nëntokës së kësaj miniere, si njëra nga më të mëdhatë në botë për nxjerrje të metaleve të plumbit e zinkut, arit e argjendit, e ku kristalet përbëjnë një vlerë dhe një perlë bukurie të veçantë. Sa për ilustrim të asaj se çka ruhet në këtë muze mjafton të shënohet ajo që thotë Ibrahim Musa, ciceron i Muzeut të Trepçës në Stan Tërg, se: “këtu janë të ekspozuara mbi 1900 eksponate kristalore dhe se aty pos pak mineraleve të minierave të tjera të Kosovës e vendeve të tjera, nga minierat e Trepçës ka mbi 65 lloj të kristal-mineraleve, e që kryesisht përbëhen nga galenitisfaleriti, piriti, pirotina, kuarci, kalciti etj”.

Gjatë kësaj vizite të realizuar me 3 Mars 2017, në mesin e minatorëve të “Trepçës”, u ballafaqova me dy realitete: me këto lloje të kristaleve që përbëjnë bukurinë dhe begatinë e madhe jo vetëm të nëntokës së Trepçës e të vet Kosovës, por edhe me mbijetesën e rëndë me të cilën përballen minatorët, ata që çdo ditë derdhin mundin e djersën për nxjerrjen e këtyre mineraleve me vlerë të veçantë.

Pra krahas begatisë e pasurisë, shtrihet edhe mjerimi i jetës së minatorëve të Trepçës, që dikur ishte jo vetëm burimi kryesor i të ardhurave të Kosovës, por edhe më shumë vet krijesës së quajtur Jugosllavi, themelet e së cilës ndër të parët ia dridhen pikërisht këta xehetarë, duke hyrë në analet e historisë më të re të Kosovës si hero të vërtetë, por që për fat të keq edhe sot në Kosovën e re trajtohen shumë keq.

( Pamje të kristaleve dhe muzeve të Säntis/ Zvicër dhe vizita në Stantërg/ Trepçë)