Fitnete Rexha, që ngriti në piedestal këngën popullore të Shqipërisë së Mesme

Zëri i saj i mrekullueshëm, repertori i larmishëm, tingujt e melodisë popullore dhe hareja e këngës e bënë atë të dashur, të kërkuar e të duartrokitur në Shqipëri e në vendet ku ajo ka kënduar, si edhe në trojet tjera etnike, ndërsa që, Fitnete Rexha,  për herë të parë në Kosovë ishte  më 1968 me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, ku bashkë me artistët tjerë nga Shqipëria u prit me shumë përzemërsi.

Sa i përket biografisë së artistes, Fitnete Rexha, lindi në Tiranë  3 prill 1933, vdiq në Tiranë më 14 gusht 2003. Ajo ishte një prej mbretëreshave të këngës popullore, zëri i bilbilit të Shqipërisë së Mesme. Ka realizuar me mijëra koncerte, me një repertor prej 900 këngësh. Vështirë të gjesh qytet, fshat, shkollë, qendër, zona malore, fshatra të largët, ku kjo artiste të mos ketë debutuar e përçuar këngën e saj. Fitnete Rexha si soliste e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore ka marrë pjesë në koncerte në mbi 44 shtete, por dhe në festivale botërore si: Festivali Ndërkombëtar i Rinisë Moskë 1957, Festivali i Vjenës, i Helsinkit, Dizhon në Francë, Greqi, Turqi, e shumë vende të Evropës. Sa i përket, Fitnete Rexha, ajo ishte për herë të parë në Kosovë, edhe atë më  1968 me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore

Zëri i saj i mrekullueshëm, repertori i larmishëm, tingujt e melodisë popullore dhe hareja e këngës e bënë atë të dashur, të kërkuar e të duartrokitur në Shqipëri e në vendet ku ajo ka kënduar, duke patur një vlerësim maksimal nga personalitete e juri të ndryshme ndërkombëtare. Gjatë karrierës së saj artistike është vlerësuar me mjaft medalje, çmime e tituj nderi si: “Fisnikëria e Tiranës” (2003) nga Shoqata “Tirana”; “Mirënjohje dhe nderim për promovim të vlerave artistike kombëtare” (2003) nga AKKVP; “Mjeshtre e Madhe e Punës” (2007) nga Presidenti i Republikës, etj, shkruan në faqen e Teatrit Kombetar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Me këtë rast shkëputëm edhe një pjesë të intervistës së kësaj këngëtare dhënë, gazetës “Bota sot” , gjatë vizitës së saj në Amerikë:

Bota Sot: Po mirë a mund të na thoni, përafërsisht sa këngë keni kënduar gjithësejt prej këtyre këngëve të para dhe sa koncerte konkretisht keni arritur të bëni?

Fitnete Rexha: Po, si jo!, gjatë karrierës sime kamë arritur të inçizoj mbi 200 këngë vetëm të miat, duke mos përfshirë këtu këngët që unë kam kënduar nga repertori e të tjerëve. Ndërsa ç’faqje zyrtare ose koncerte si mund të quhen ato, kamë dhënë rreth 10800 të tilla, duke mos përfishrë këtu ato ku unë kam marrë pjesë si mysafire e rastit ose ndonjë aheng. Pra këtu më duhet të potencoi një thënje timen, se për më se 45 vite unë mendoj se i kam qëndruar, me sa kam mundur, besnike këngës shqipe, pa e ndalur asnjë moment dhe pa e huazuar atë.

Bota Sot: E kështu Ju, Zonja Fitnete në sa shtete të botës keni kënduar?

Fitnete Rexha: Kam dhënë koncerte të shumta, të lutem të më kuptoni ju dhe lexuesi, këtu bëhet fjalë në kuadrin e ansambleve kombëtare, e grupeve të ndryshme, pra në 44 shtete, Koncertin e parë jashtë shtetit e kam dhënë në Moskë më 1957-tën. Madje kemi marrë pjesë në festivale të rëndësishme, që organizoheshin gati çdo vit nëpër vende të ndryshme. Kam marrë pjesë në festivalin e Vjenës, në Helsinki, në Greqi, Turqi, Rusi, e tjerë. Kemi marrë pjesë edhe në festivalin francez “Dizhon” në Francë, ku unë kam kënduar këngën “Ç’u dëshrum me të pa”, këngë të cilën edhe në Kosovë, ma kanë adhuruar shumë.

Bota Sot: Ç’mund të na thoni për këngën popullore shqiptare, sot, dhe çfarë porosie keni për të?

Fitnete Rexha: E dua shumë këngën popullore shqiptare të të gjitha trevave dhe të gjithë këngëtarët i dua shumë, e këngëtaret e rinj më dhimbsen. Kur shoh se te ata askush nuk i drejton rreth drejtkëndimit të këngës shqipe, siç u veprua me ne brezin e parë të kësaj muzike. Unë them se ka pak tendenca për “huazime” në veshje e stilizimin e këngëtarëve dhe këngëve. Por, do të thoja, këto janë shumë të vogla që nuk duhet të jenë fare, se nuk është edhe e nevojshme pët të qenë. Edhe ne artistët e njohur, nuk lindëm të tillë, por me ndihmën e të tjerëve, me përvojën e pasionin që na karakterizoi, ruajtëm të pastër traditën e muzikës popullore shqiptare, u bëmë të njohur, të dashur dhe të dëgjuar me këngën popullore të të gjitha trevave, ashtu siç ato buronin. Unë mendoj se të gjithë duhen të nisen nga talenti, interpretimi në skenat ku edhe vetë vlersuesi më i madh, që është populli ynë muzikë-dashës dhe i respektueshëm, të të mësojnë më mirë si si të këndosh dhe se si të kesh suksese.

Bota Sot: Si e kaloni ditën në Tiranë, veç muzikës e artit, a të pëlqen politika si të gjithë shqiptarët?

Fitnete Rexha: Kohët e fundit ndjej shumë kënaqësi, por edhe një farë “lodhje”. Njerëzit vazhdimisht më takojnë e më pyesin, kërkojnë të takohemi, janë shumë-shumë gjëra që s’mundet t’i bësh të gjitha. Unë në radhë të parë, jam e dhënë shumë pas familjes sime, dy fëmijëve të mi Arbenit (që jeton këtu në Amerikë) e Shpëtimit në Tiranë, që s’i ndaj asnjëherë me këngën time popullore, e lidhur marrëzisht me të, e cila më freskon dhe më bën çdo ditë edhe më të re. Mundohem me sa mundem, me sa kohë që kam, të plotësojë edhe ftesat nga dashamirë, miq, kolegë, adhurues që më thërrasin, anembanë Shqipërisë, në Kosovë, Kosovën Lindore, shqiptarët e Malit të Zi, dhe ata të FYROM-it. Dy herë kam qenë e pranishme në Kosovë, Prishtinë e Gjakovë. Me thënë të drejtën, ruaj mbresa të jashtëzakonshme me Radio Gjakovën. Kur gjatë një interviste dhe komunikimi të drepërdrejtë me audiencën e kësaj Radioje, nga më të dëgjueshmet në Kosovë, adhuruesit e mi kërkonin të dëgjonin këngët e mia, u befasova se edhe nga burgu i Nishit, disa të dënuar shqiptarë, që mbaheshin peng atëherë në burgjet serbe, kërkonin këngët e mia, shumë prej të cilave i kam çuar peshqesh më vonë, se arkiva muzikore e Radios nuk i kishte. Ndërsa, për politikë, di shumë por… them që jam një këngëtare, një shqiptare e mirë, që e dua vendin tim të lirë, demokratik dhe të prosperuar.

Krejt në fund po sjelli një deklaratë të Çesk Zadesë, i cili ka thënë: Se sa herë të dëgjohet kënga popullore e Shqipërisë së Mesme, gjithmonë do të kujtohet këngëtarja Fitnete Rexha.