Ky i ri me prejardhje nga Ferizaj, i diplomuar në shkencat politike në Universitetin e Lozanës e që në Institutin Evropian në Gjenevë ka mbrojtur magjistraturën, në zgjedhjet e së dielës fitoi 9459 vota, duke gëzuar paralelisht edhe mbështetjen e e zviceranëve e edhe të shqiptarëve
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
I riu Musa Kamenica pas migrimit me familje për shkaqe politike, iu përvesh shkollimit universitar këtu në Zvicër. Me të diplomuar në Universitetin e Lozanës, ai jo vetëm që ishte një aktivist i dalluar në komunitet, por edhe një urë lidhëse, midis komunës së tij të prejardhjes, Ferizajt dhe qytetetit të Lozanës. Kështu, dy herë radhazi solli delegacione nga qyteti i tij. Më parë kryetarin Agim Aliu ( më 12 prill 2013) dhe atë aktual, Muharrem Sfarqa ( 7 Mars 2015), meqë rast edhe u lidhë një partneritet jo vetëm mes dy komunave, por edhe bibliotekave të dy qyteteve. Që të dyja delegacionet u pritën edhe nga kryetari i qytetit të Lozanës, me një stazh prej dy dekadash në këtë post, z. Daniel Brélaz.
Pos dy delegacioneve nga Ferizaj në Lozanë edhe një delegacion nga Lozana vizitoi Ferizajn, në përbërje nga z. Grégoire Junod, (aktualisht përgjegjës për siguri publike, çështjeve banesore dhe të bibliotekave), kryetari i ardhshëm i qytetit Lozanës dhe z. Oscar Tosato, ministër për Çështje të arsimit primar, rinisë dhe kohezionit social.
Aktivitetin e Musa Kamenicës, qoftë si student, e deri tek titulli i magjistrit e kam përcjell në vazhdimësi, si edhe të shqiptarëve tjerë të suksesshëm në Zvicër. Përndryshe, Musa punon në administratën kantonale për çështje të refigjatëve, ndonëse edhe vet erdhi si refugjatë me familje.
Me tu zgjedh ansambleist në Lozanë, mora edhe një prononcim nga Musa Kamenica, i cili para se të flasë për punën dhe rrugëtimin e tij deri në politikë, për çka edhe ka një përgatitje universitare, ai falënderoi si zgjedhësit zviceranë ashtu edhe ata shqiptarë, duke përmend se shumë bashkatdhetarë, pavarësisht vendin e prejardhës e kanë mbështetur pa rezervë, duke i mundësuar atij që të jetë këshilltarii parë shqiptar në njërin nga tri qytetet më të mëdha të Zvicrës.Ja edhe disa të dhëna më të hollësishme për ansambleistin e ri të Lozanës:
Mr. Musa Kamenica nga Ferizaj, ka kryer Fakultetin e Shkencave politike në Universitetin e Lozanës si dhe studimet evropiane në Institutin Evropian në Gjenevë, ku edhe ka mbrojtur magjistraturën. Temë diplome në universitetin e Lozanës ka pasur: “Bashkimi Evropian dhe stabilizimi i Ballkanit Perëndimor”, ndërkaq në Institutin Evropian në Gjenevë: “Interesat gjeostrategjike dhe institucionale të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian në trajtimin e çështjes së Kosovës”.
Për atë se çka e ka nxitur t’i marrë temat nga rajoni, ai thotë: “Pos në aspektin teorik, unë edhe në atë praktik jam shumë i lidhur me Kosovën, prandaj edhe kam qenë i dërguar në Kosovë në një praktikë gjashtëmujore nga institucionet evropiane. Qëndrimi im në Kosovë ka qenë një përvojë, sepse është lehtë prej këtu të flitet për Kosovën, por kur shkon atje dhe ballafaqohesh direkt me probleme, atë realitet e sheh më ndryshe. Për mua ky qëndrim ka qenë më shumë se një përvojë, pasi atje pashë më për së afërmi ballafaqimin e njerëzve me problemet jetike, sidomos ato ekonomike e ekzistenciale përgjithësisht. Por, është një kënaqësi, që edhe në këto kushte shqiptarët kanë vullnetin e madh për të ecur përpara.
Krejt në fund do theksuar se me të migruar në Zvicër dhe fituar statusin politik, familja e Rexhep Kamenicës iu përkushtua me të madhe çështjes së shkollimit të fëmijëve të tyre, të cilët me talentin dhe angazhimin e tyre arritën një shkollim solid profesional, deri në nivel universitar.