Elmedina Buja: “Prekazi, altari i lirisë“

Doli nga shtypi libri “Prekazi, altari i lirisë“ – i autores së re shqiptare Elmedina Buja. Libri është përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën gjermane me titull: Prekaz – Opferplatz der Freiheit.

Elmedina Buja ka lindur në vitin 2000 në Rheinfelden AG, Zvicër, dhe që nga lindja jeton me familjen e saj në Möhlin AG.

Ajo përfundoi gjimnazin e Muttenzit dhe dhe aktualisht studion jurisprudencën në Universitetin e Bazelit. Qysh në moshën e saj aktuale të rinisë ajo është e preokupuar me temën e luftës dhe të masakrave në atdheun e saj (Kosovë) dhe do të donte që këtë preokupim ta tregonte në librin e saj të parë “Prekazi, altari i lirisë“.

“Mua gjithmonë më ka interesuar historia, thënë më shkoqur, historia e Kosovës, si dhe për trimërinë dhe tragjedinë e Familjes Jashari. Shpeshherë kam ndjekur emisione televizive, kam dëgjuar histori nga gjyshi im ose thjesht kam lexuar literaturë lidhur me këto subjekte, dhe doja të dija akoma më shumë mbi këtë familje. Fati tragjik i Jasharajve më ka shoqëruar qyshkur isha vajzë e vogël. Unë isha rritur në një familje ku i kushtohej rëndësi të madhe faktit se prej nga vinim, dhe këtu hynte edhe kjo ngjarje e vitit 1998.”

Për mënyrën e porositjes së librin mund të informoheni drejtpërdrejt nga autorja Elmedina Buja elmedina.buja@hotmail.com