Në kryeqytetin Feniks të Arizonës (SHBA)
Përvjetori i sivjetshëm i njëmbëdhjetë i lumturimit të Nënës Tereze, në kryeqytetin e Arizonës, Feniks u shënua me një manifestim, mbajtur më 26 tetor 2014 në parkun e Bazilikës së Shën Mërisë, aty ku hijerëndë qëndron shtatorja e Gonxhe Bojaxhiut. Manifestimi kësaj radhe kishte një fizionomi krejtësisht të ndryshme nga ato të viteve të mëparshme. I konceptuar si një ekspozitë me fotografi të Nënës Tereze, manifestimi u përplotësua me fjalime të shkurtra për figurën e Nobelistes shqiptare, me thënie të Nënës Tereze, me pika koreografike e të tjera, shoqëruar gjatë gjithë kohës me muzikë kushtuar kësaj figure të madhe të kombit shqiptar.
Pas parakalimit të të pranishëmve përreth shtatores së Nënës Tereze, manifestimin e hapi profesoresha Jeta Hajra. Fjalën hyrëse shqip e lexoi dr. Elonia Lasku, dentiste, kurse zoti Anton Gegaj në gjuhën angleze. Ndër të tjera, ata theksuan se si Papa Françesku, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri (më 21 shtator 2014), tregoi episodin kur kishte takuar Nënën Tereze: “Unë admirova forcën dhe vendosmërinë e ndërhyrjeve të saj. Ajo nuk impresionohej nga Asambleja e Ipeshkëve,” dhe kishte shtuar me humor: “Do të kisha pasur frikë po të kishte qenë Nëna Tereze superiorja ime”.
Meqenëse ky manifestim kryesisht bëhet për brezin e ri (fëmijë e të rinj) që rriten jashtë Atdheut, për t’i frymëzuar e rritur në frymën bamirëse të Nënës Tereze, në emër të tyre foli vajza 13-vjeçare Rina Hamiti, e cila i përshëndeti fëmijët e të rinjtë dhe, ndër të tjera, tha: Nëna Tereze më inspiroi të jem një person më i mirë dhe t’i vë të tjerët para meje. Nëna Tereze do të jetë përgjithmonë hero në zemrat tona”
Vëllezërit Klevis e Andi Lasku, bashkë me të ëmën, Eloninë, veshur që të tre me ngjyra kuq e zi, lexuan thënie të Nënës Tereze, si: “ Njeriu nuk është i përkryer, është i palogjikshëm, egoist, duaje; Nëse ndihmon njerëzit, do të lodhesh, s’ka rëndësi, ndihmoji” etj.
Para se të mbyllej programi me një valle folklorike, Jeta Hajra foli për lumturimin e Nënës Tereze dhe për shenjtërimin që do të ndodhë në vitet e ardhshme. Pos të tjerash, ajo theksoi se Nëna Tereze ishte nisur për në Kalkutë tërësisht e formuar si njeri çudibamirës, sepse ajo kishte trashëguar gjenet bamirëse të prindërve dhe në përgjithësi të familjes së pasur e bujare Bojaxhiu. Ajo përmendi para të pranishëmve ca kujtime, të cilat Nëna Tereze ia kishte treguar biografit të saj më të mirë, Don Lush Gjergjit. Ajo i kishte treguar atij se si e vogël, bashkë me babanë e saj kishin pritur të errej dhe pastaj t’u dërgonin fshehtas ushqime e dhurata, ose para të varfërve. Baba Kolë i kishte thënë asaj se nuk është me rëndësi që ata ta dinin se kush u jep, është me rëndësi që ata të gëzohen.
Pastaj tregoi rastin tjetër, kur Nëna Drane i kishte thënë Gonxhes 14 vjeçe se do ta bënin një vizitë që do ta mbante mend gjatë tërë jetës. Ishte rasti kur Nëna Tereze, bashkë me të ëmën kishin shkuar t’ia pastronin varrët e shumta një gruaje të braktisur dhe t’ia pastronin shtëpinë e rrënuar. Këta kishin qenë hapat e parë të kësaj krijese të madhe, e cila kishte lidhur gjatë jetës së saj plagët e gjithë botës. Zonja Jeta në fund tha se ne rrjedhim nga i njëjti gjak, prandaj ashtu si Nëna jonë e Madhe, secili prej nesh duhet të bëjë diçka për të mirën e njerëzimit.
Në vijim të programit, Rina Hajra dhe Angelina Gegaj, të dyja me kostume kombëtare (të viseve të ndryshme shqiptare) ekzekutuan një valle shoqëruar me këngën e re kushtuar ardhjes së Papës në Shqipëri “Mirë se vjen Papa Françesku”, kënduar nga Tone e Mark Gjoka. Kjo valle krijoi nje atmosferë shumë të ngrohtë dhe bëri që të pranishmit gjatë gjithë kohës të duartrokisnin.
Pastaj në podium doli kryetari i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan “Shqipja e Arizonës, zoti Skënder Bajrami, i cili i përshëndeti të pranishmit në emër të Komunitetit dhe po në emër të këtij Komuniteti u dha mirënjohje zonjës Lule Lucaj – Lane dhe zonjës Jeta Hajra, për kontributin e deritashëm në organizimin e këtij manifestimi.
Pas programit të pranishmit u ftuan që ta shikonin ekspozitën me foto të ndryshme të Nënës Tereze, që nga fëmijëria deri në vdekje, përfshirë shpërblimet, takimet me diplomatë e kryetarë shtetesh, si dhe vizitat që ajo kishte bërë në Kosovë dhe në Shqipëri. Fotografitë e ekspozuara (mbi 60 sosh, pothuaj të gjitha nga koleksioni i zonjës Lule), ishim të shoqëruara edhe me informacione të tjera, me thënie të Nënës Tereze dhe me thënie të të tjerëve për veprën e Gonxhes Shqiptare. Ekspozitën në qiell të hapur, mu pranë shtatores së Nënës Tereze, e vizituan edhe shumë qytetarë amerikanë, shumica e të cilëve dëgjonin për herë të parë se ajo ishte shqiptare.
Në fund do theksuar se, përveç zonjave Lule e Jeta, të cilat e kanë pasur gjithë barrën e organizimit të këtij manifestimi në kuadër të Shoqates së Grave të Arizonës, ndihmesë teknike për organizimin e ekspozitës e të manifestimit kanë dhënë edhe Andrew Lane, i biri i zonjës Lule dhe bashkatdhetarët tanë, Arben Misini, Ruben e Marinela Konomi etj.
Hajro Hajra