Bazilika e Mesaplikut

Statusi i objektit: Bazilika e Mesaplikut, e cila në listën e monumenteve të kulturës është regjistruar me emrin “Moziaku në vendin Bregu i Qishë Murajve” është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës me vendim Nr. 266/1, Datë16.02.1979.
Viti/koha e ndërtimit: Shek. VI m. Kr.
Vendndodhja: Fshati Mesaplik, Bashkia Selenicë.

Përshkrimi: Rrënojat e Bazilikës së Mesaplikut u zbuluar në pranverën e vitit 1978, në fshatin Mesaplik rrëzë kodrës së Smokthinës në vendin e quajtur “Bregu i Kishës” gjatë punimeve për ndërtimin e një banese. Në gërmimet arkeologjike të drejtuara nga Damjan Komata, u hap një sipërfaqe prej 180 m² dhe dolën rrënojat e një bazilike paleokristiane me përmasa 13.80 x 11 m, me tri aniata, por pa narteks. Aniata qëndrore është më e gjerë 4,5 m, ndërsa anësoret janë: verioria 2,25 m dhe jugoria 2, 5 m. Gjurmët e mureve që dolën nga gërmimet ishin mjaft të dëmtuara dhe ruheshin në një pjesë të absidës, të aniatës veriore dhe të altarit. Si lëndë e parë për ndërtimin e bazilikës janë përdorur guri e llaçi, ndërsa për mbulesë druri dhe tjegullat. Tipologjikisht Bazilika e Mesaplikut përfaqëson një objekt të thjeshtë kulti trenefëshe pa narteks. Rrënimi i saj, siç tregojnë gjurmët e djegies mbi mozaik dhe në muret anësore, ka ardhur si pasojë e një zjarri të fuqishëm. Të tri aniatat e kësaj bazilike ishin shtruar me mozaik polikrom. Mozaiku është realizuar me kubik shumëngjiyrësh prej tulle të pjekur dhe më rrallë prej brumi qelqi, me përmasa 1 x 1 x 1 cm. Në aniatën veriore pjesa më e madhe e shtrojes kur doli nga gërmimi ruhej në gjendje të mirë dhe përbëhej nga shtatë medaljone me figurë kryesore tetëkëndëshin. Shtroja e dyshemesë së aniatës qëndrore përbëhet nga dy panele katërkëndësh kënddrejtë, të cilat siç tregojnë gjurmët kanë qënë të zbukuruara me motive gjeometrike, floreale e zoomorfe. Mozaiku i aniatës jugore, i cili përgjithësisht ruhet në gjendje të mirë përfshihet në një panel kënddrejt. Ajo që ngjall interesin e arkeologëve dhe studiuesve të ndryshëm dhe vijon të gjenerojë debate është kompozimi i një portreti dhe një mbishkrim pranë tij në hapsirën e medaljonit të parë, në mozaikun e aniatës veriore. Pranë portretit, me shkronja të mëdha i vendosur në katër reshta, lexohet AΠAPKEAC, të cilën autori i gërmimit e lidh me fjalën aπapktiaς, që do të thotë “era e veriut”, duke dashur ta lidhë me personifikimin e një hynie pagane të erës. Arkeologu Skënder Anamali e lidh këtë figurë ose me portretin e një perandori ose ndonjë individi të rëndësishëm lokal, ndërsa Neritan Ceka propozon se mbishkrimi i vendosur përpara fytyrës shpjegon emrin e këtij personazhi. Pierre Cabanes dhe Faik Drini, e lidhin portretin me dhuruesin apo mirëbërësin që ka kontribuar për ndërtimin e kishës, ndërsa fjalën me termin grek άπαρχή që do të thotë ofrimi i frutave të para, si një llojë metafore për xhestin e mirëbërësit.

Për shkak se strukturat e kishës nuk ruheshin mirë ose ruheshin shumë pak, në vitin 1980 mozaiku u hoq nga specialistët e Instituti të Monumenteve të Kulturës, të cilët e transportuan në fondet e këtij institucioni, ndërsa paneli me portret u ekspozua në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës. Aktualisht panelet e mozaikut që ndodheshin në I.M.K, ruhen në ambientet e D.R.K.K-Vlorë.

Bibliografia: D. Komata., Bazilika Paleokristiane e Mesaplikut, Iliria 1, 1984, f. 183-198; N. Ceka., Ilirët, ShB Migjeni, Tiranë, 2005.

Funksioni: Bazilikë paleokristjane, monument kulture.

Hyrja: Pa biletë