Krahas promovimit të librit tim « Arbreshët… » në Shën Mitër Koronë (San Demetrio Corone), patëm vizita shumë të këndshme të Prof. Dr. Antonio Bellusci në bibliotekën e tij të famshme si dhe dhe te Prof.dr. Francesco Altimari në katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Kozencës, si dhe vizituam vendlindjet e tre poetve të shquar : Jul Variboba (Mbuzati/San Giorgio Albanese), De Rada (Maqi (Macchia Albanese) dhe Zef Serembes (Strighari/ San Cosmo Albanese) si dhe ngulimet arbëreshe Ungrën, Firmen e Vinen
Teksti e fotot : Rexhe Rifati
Ekipi i platformës prointegra.ch nga Zvicra ndonëse pa kurrfarë burimesh financiare, por vetëm në saje të vullnetit të mirë të gazetarëve e bashkëpunëtorëve, krahas asaj që po kryen një rol në informimin nga ngjarjet e ndryshme kulturore, deri me tash ka arrit të botojë edhe disa tituj veprash si dhe të organizon e ndërmerr udhëtime nëpër viset e ndryshme të Italisë së Jugut ku jetojnë motrat dhe vëllezërit e një gjaku. Udhëtimi apo misioni i fundit nga data 8-13 Nëntor 2022 që përbëhej nga 6 veta, kryesisht drejtues, gazetarë dhe bashkëpunëtorë të këtij portali, siç ishin: Osman Osmani, Hazir Mehmeti, Shenasi Aliu, Muharrem Blakaj, Skender Hasani dhe unë.
Kësaj radhe ndonëse ishim ftuar për promovimin e librit tim në Shën Miter Korone, ku dikur veproi kolegji i famshëm i Shën Adrianit ku ligjëroi poeti i madh i Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada, vizituam edhe vendlindjet e poetve: Jul Variboba, De Rada e Serembe, si dhe vizituam At Antonio Belluscin ( Belushi) në Frasnitë dhe profesorin e shquar Francesco Altimari, që prej vitesh me shumë sukses drejton katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Kozencës, ku edhe u mahnitëm me punën e madhe që bënë ku personalitet i jashtëzakonshëm jo vetëm i shkencës e kulturës arbëreshe por edhe asaj shqiptare për gjithësisht.
Edhe promovimi i librit tim , kaloi në një atmosferë tejet të këndshme e vëllazërore ndaj edhe falënderoj të gjithë ata që kontribuuan në këtë organizim, duke filluar Kryetari i Bashkisë së Shën Mitër Korona Dr. Ernesto Madeo,; Zëvendës Këshilltari i Kulturës avv. Emanuele D’Amico, Damiano Guagliardi, presidenti i F.A.A. (Federata e Asociacioneve Arbëreshe); publicisti Prof. Gennaro De Cicco e në veçanti skulptorin preshevar, Hevzi Nuhiu, që jeton prej vitesh në Shën Mitër dhe i cili inicio dhe veproi aktivisht për mbajtjen e këtij organizimi. Edhe një ndej kafeje që patëm me këta dy të fundit dhe i këshilltarin për kulturë Emanuele D’Amico ishte shumë e këndshme dhe vëllazërore.
Kënaqësia tjetër ishte se në të gjitha katundet ku vajtëm hasëm të folmen tonë shqipe, ku më shumë e ku më pak, porse ajo megjithatë edhe në rrethanat e globalizmit ka arrit të gjallërojë. Ndërsa në muzetë në Çifti/ Civita dhe në Vinë / Vena de Maida pamë aq shumë artefakte e dëshmi për të kaluarën arbëreshe , sa mbetëm të mahnitur, sesi ruhen e përcillen ato si kulturë materiale e shpirtërore te brezat që pasojnë. Po ashtu vizituam edhe shumë kuriozitet natyrore, ndër to edhe “Urën e Djallit” në Çifti/ Civita, ku na shoqëroi Mimmo Imbrogno, kryetar i Shoqatës „Vëllezërit Arbëresh“.
Me këtë rast një falënderim për të gjithë ata që na pritën e ndihmuan që këto ditë ti kalojmë sa më mirë duke e arrit një bilanc sa më produktiv të këtij misioni.






























