Këta njerëz po përpiqen ta marrin veten pak nga pak. Kur unë i them se ata e kanë mendjen top për t’u kthye në Kosovë dhe përveç kësaj s’mund t’i qetësojë asgjë në botë, ai thotë se zemra e njeriut duron, duron edhe pak ditë.
Nga Ditari i shkrimtarit Petrit Palushi Kukës
Greg English, kameramani me një mbiemër të këndshëm është londinezi që punon këto ditë me grupin e gazetarëve gjermanë të RTL-së.
Ai më thotë se ka punuar në shumë vende dhe shton se shtëpia e tij është kudo dhe askund. Me Volker Albers-in, gazetarin gjerman kanë formuar një dyshe simpatike, të admirueshme, në një harmoni pune dhe korrektesë njëkohësisht. Kameramani ka një humor të tillë që e përdor në çdo kohë: Në punë, gjatë kohës së ngrënies së bukës, në shëtitje. Në një rast ai tregoi tri anektoda rresht. Si në anekdotat angleze. Unë i thashë se edhe unë po tregoja një anekdotë tonën. Duke i shpjeguar se dy personazhe të kësaj anekdote janë Tito dhe Enver Hoxha, për të cilët ai kish dëgjuar dhe s’pati nevojë t’i jepja shumë shpjegime:
“Një ushtar, aty kah vitet gjashtëdhjetë, kish pa n’andërr sikur po bënte mundje Tito me Enverin. Tito e mundi Enverin tri herë, ndërsa ai e mundi Titon vetëm një herë. Ushtari të nesërmen ua tregon këtë andërr shokëve të vet. Por komanda e merr vesh se ç’andërr kish pa ushtari dhe e arrestojnë menjëherë. Atë e dënojnë shtatë vjet burgim, me akuzën: Nuk ka pa n’andërr që Enveri e ka mundë Titon, por që Tito ka mundë Enverin. Ne s’mund të pranojmë që kapitalizmi e mund socializmin. Përkundrazi. Socializmi është i fortë, i pathyeshëm”.
Ai filloi me qeshë me të madhe dhe mbas pak tha se për sa kohë që do punonim së bashku ai s’do bënte më humor. Por s’kaluan as dy minuta dhe ia nisi përsëri nga të vetat. Nja dy a tri herë ndejti në tavolinën tonë edhe Ibsen Elezi, që punonte si përkthyes me një grup tjetër gazetarësh. Ibseni thoshte se në grupin tuaj gjithë ditën bëhet humor, kurse ata me të cilët punonte, as e hapin gojën. Kurse Greg-u ia priti se, mesa duket ata punojnë, kurse ne punojmë e bëjmë humor.
Gazetari Volker Albers thotë se po përpiqet t’i kuptojë sadopak njerëzit që i kanë larguar nga shtëpitë e tyre. Ai thotë se ata s’e japin veten dhe sikur kanë një lloj fisnikërie edhe në vuajtjet e tyre. Këta njerëz po përpiqen ta marrin veten pak nga pak. Kur unë i them se ata e kanë mendjen top për t’u kthye në Kosovë dhe përveç kësaj s’mund t’i qetësojë asgjë në botë, ai thotë se zemra e njeriut duron, duron edhe pak ditë.
I them Volker-it për simpatinë që kanë banorët e këtij qyteti për kombin gjerman dhe Gjermaninë, madje, kur u hapën ambasadat në verë të 1990-s, rreth 50 banorë të këtij qyteti, kryesisht të rinj, ambasadën gjermane nuk e ndërruan me asnjë ambasadë të botës. Ai thotë se është një lidhje që tashmë vetëm do forcohet. Aq më tepër që tani edhe Kosova do hapet, pasi janë me mijëra e me mijëra shqiptarë të Kosovës që punojnë në Gjermani. Njerëzit s’kanë kufi ndërmjet tyre dhe kufijtë e shteteve, dalëngadalë do mbeten vetëm si nocione gjeografike.
Në një rast, Fiqiri Cengu, shoferi që punon me këtë grup, thotë:
- Millosheviçi e ka marrë teposhtëzën. Volker Albers ia pret:
– Ka kohë, Fiqiri. Ka prapë kohë. Duhen të paktën edhe dhjetë ditë. S’është vetëm Millosheviçi.
- Volker, – thotë – E pat edhe Millosheviçi.
Atij i ka dalë uji si qenit të Hafuzit.
Frazën “I ka dalë uji si qenit të Hafuzit”, rrekem t’ia përkthej, duke i dhënë një kuptim sa më të përafërt. Ndërkohë, Fiqiriu ndërhyn dhe thotë: “Kallëzoja pak punën e Hafuzit”. Unë e tregoj menjëherë: “Në Kukës të Vjetër, shumë e shumë kohë më parë njani me emrin Hafuz kishte një qen. Kudo që shkonte e merrte qenin me veti dhe thoshte se nuk kishte si qeni i vet. Por një natë, një derr afrohet pranë koshit të misrit. Hafuzi aty kishte lidhë qenin të ruante koshin e misrit. Por qenin e kish zënë gjumi dhe s’e ndjeu derrin që ia përlau misrin. Të nesërmen njerëzit e morën vesh atë gjë dhe e pyesnin Hafuzin: Çfarë thotë qeni? Dhe Hafuzi, deshi s’deshi, u thoshte: “Unë s’kam hallin që e hëngri derri misrin, por kam hallin se m’i doli uji qenit”.