“Drita” nikoqire e “Dardania” mysafire, shkëlqyen në Kreuzlingen me program festiv

Anë e këndë Zvicrës, në kuadër të shënimit të 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u organizuan një varg manifestimesh me prezantimin e grupeve artistike dhe pjesëmarrjen relativisht të madhe të mërgimtarëve, ku nuk munguan as përfaqësuesit konsullor e diplomatik të Republikës së Kosovës në shtetin helvetik

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Në kuadër të shënimit të kësaj ngjarje me peshë të veçantë për Kosovën, mbrëmë në qytetin e Kreuzlingenit të Zvicrës Jug- Lindore, u mbajt një koncert i organizuar mirë me një program tejet përmbajtjesor e cilësor.

Si edhe gjatë 18 viteve të fundit, që nga themelimi i saj edhe mbrëmë Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Drita” nga Kruzlingen , në cilësinë e organizatorit, defiloi në skenë me një program mbresëlënës festiv, duke pas në krah edhe SH.K.A „Dardaninë” nga Winterthuri, me drejtues Shefqet Cakollin, e cila si me lojë ashtu edhe kostume, bënë që edhe më shumë të fitojnë admirimin e publikut.

Që në hapje të programit të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua udhëheqësi i Misionit të Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati, i cili pasi me pak fjalë foli për rëndësinë e kësaj date, pati një fjalë mirënjohëse edhe për kontributin e madh të mërgimtarëve për zhvillimin e Kosovës në etapa të ndryshme kohore, duke falënderuar njëherësh edhe Zvicrën si një nga shtetet mike , që jo vetëm ndër të parat u deklarua për njohjen e pavarësisë por edhe të vetë zhvillimit të mëtejshëm të Kosovës, përmes investimeve tejet kapitale në raport me shumë shtete të tjera.
Përndryshe ansambli “, Drita” që udhëhiqet nga veprimtari i palodhshëm, Haradin Gashi, që me gjithë fëmijët e tij i janë qas që nga themelimi këtij grupi artistik që tash ka bërë emër edhe jashtë këtij kantoni, , duke pas krah edhe familjet Ademi, Myrtaj, Kastrati, Kryeziu dhe Fezullahu po dhe emra të tjerë anëtareve të kryesisë shumë të vyeshëm , arriti stabilitet dhe avancim të grupit, në mënyrë që sot “Drita” të radhitet në mesin e ansambleve më të mira në Zvicër.

Programi u pasurua edhe me disa këngë të këngëtarit të mirënjohur Nikollë Nikprelaj.