Disa personalitete emblematike të çështjes kombëtare – Pjesa e dytë

Nga Sami ARIFI

Vrasjet dhe burgosjet e veprimtarëve shqiptarë të Organizatës së LNDSH-së nga OZN-ja dhe UDB-ja jugosllave. Ekzekutimet, burgosjet, arrestimet arbitrare dhe arratisjet e patriotëve shqiptar nga OZN-ja dhe UDB-ja jugosllave-pjesa e dytë

 Shkruar nga Sami ARIFI

 

Ramadan Rexha

U lind më 11 mars të vitit 1922 në qytetin e Mitrovicës, veprimtarinë atdhetare e trashëgoi nga prindërit e tij, shkollën fillore, katërklashe e mbaroi në qytetin e tij të lindjes, ndërsa në vitin shkollor 1935-1936 e vazhdoi në Medresën e Madhe në Shkup. Atdhetari Ramadan Rexha ishte nxënës i zgjuar dhe kështu kishte rënë në kontakt me shumë shokë, të cilët në vitet e mëvonshme lanë emër në Lëvizjen Ilegale shqiptare poashtu edhe në shkencë. Në Medrese ishte njohur me Adem Gllavicën, Idriz Ajetin, Omer Qerkezin, Ali Sokolin, Selami Hallaqin, Kadri Halimin e shumë të tjerë. Ramadani pas përfundimit të gjysmëmaturës punoi dhe preku hallet e popullit, padrejtësitë që iu bëheshi atyre.

Atdhetari Ramadan Rexha u arrestua nga UDB-ja më 10 maj të vitit 1945, derisa Gjykata Ushtarake me 18 maj 1945 në Mitrovicë e kishte nxjerrë me akuza të rënda kundër shtetit serbo-sllav dhe i shqiptojnë dënimin prej 15 viteve burg të rëndë. Për hirë të festave të nëntorit, në vitin 1958,  Kuvendi Federativ i Jugosllavisë kishte bërë amnistinë e të dënuarëve për delikte politike, sipas kodit penal të Jugosllavisë, ku nga ky rast edhe Ramadan Rexhës i falët një vit burg. Më 30 nëntor Ramadan Rexha lirohet nga burgu. Atdhetari Ramadan Rexha pas tri viteve prapë arrestohet, më saktsisht më 22 maj të vitit 1961, nga UDB-ja, tani me një grup tjetër të Burgosurëve. Ramadan Rexha u burgos me grupin e Kadri Halimit, Gjykimi i të cilit grup zgjati katër ditë, nga 14-18 shtator të vitit 1961, nga ky proces Ramadan Rexhës iu shqiptua dënimi me 1 vit burg, i cili qëndroi deri nëntor të vitit 1962. Atdhetari gjatë kohës së burgut u shoqërua me Metush Krasniqin, Ramiz Cërnicën, Enver Talin e shumë atdhetar të tjerë. (Nga autorja e librit Sabile Keçmezi-Basha Vep. cit., fq,100).

Zhukë Haxhi Haxhiu

U lind në fshatin Jashanicë-komuna e Pejës, në vitin 1885, ai rrjedh nga një familje me tradita patriotike, njihet si luftëtar dhe udhëheqës i spikatur rugovas. Zhukë Haxhiu në vitin 1912 mori pjesë në Luftën e Mokrës, ai në vitin 1941 ishte, me çetën e tij, në mbrojrjen e kufirit etnik shqiptar, dhe ishte vënë në krye të vullnetarëve nga Rugova dhe ishte i graduar me gradën major. Atdhetari Zhukë Haxhiu mbante lidhje të gushta me atdhetarin, Demë Ali Pozheranin, Ramë Mujën nga Shqipëria e me shumë të tjerë. Zhukë Haxhiu arrestohet nga UDB-ja më 25 janar të vitin 1947 dhe në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë në procesin gjyqësor në Grupin e Adem Gërgurit, Gjon Serreçit dënohet me 20 vite burg të rëndë, ai ndërroi jetë në vitin 1965. (Marrë nga autorja e librit Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Lëvizja ilegale patriotike…fq,207).

Xhemil Fuka

U lind në qytetin e Prizrenit në vitin 1907, ai me profesion ishte zdrukthëtar. Xhemili në lëvizjen ilegale atdhetare ishte angazhuar që nga viti 1945, kur edhe u formua Organizata Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH-ja), qëllimi i tij ishte që trojet shqipare jashtë Shqipërisë t’i bashkoheshin shtetit amë, Shqipërisë. Në verë të vitit 1945 zbulohet veprimtaria e Halim Spahisë dhe anëtarëve të tjerë ku aderonte edhe Xhemil Fuka, kështu që për një kohë të shkurtër një grup i madh nga ta arrestohet. Procesi gjyqësor që u organizua për ta ishte prej 26 vetash, nga ta 6 vetë u dënuan me pushkatim, ndërsa Xhemil Fuka u dënua me 10 vite burg të rëndë, të cilin burg e vuajti në Mitrovicën e Sremit.

Ukshin Nuhë Kovaçica

U lind në fshatin Kovaçicë (Ukshinaj), ai ishte pjesëtar i Lëvizjes Çlirimtare ndërmjet dy luftërave Botërore në mbrojtje të trojeve etnike shqiptare (1941-1944), kurse pas 1944 ai ishte formacion i qëndresës kundër aneksimit të Kosovës nga Serbia-Jugësllavia. Ukshini luftërat më të ashpra i zhvilloi në kullën e vet, ku u vëran 27 partizanë, pastaj në Vesekovc, Firishte, te Guri i Mullirit, në Barel te Guri i Sokolit, në Batahirë e të tjera. Atdhetari Ukshin Kovaçica ra në luftë kundër forcave të UDB-së më 20 shkurt të vitit 1947. (Marr nga autori i librit Mehmet Gërguri, Ajet Gërguri dhe lëvizja NDSH (1945-1947).

Sefedin Hajrullah Ahmeti-Lumi

U lind në Prizren më 20 qershor të vitit 1927, ai me profesion ishte saraç, njihej me pseudonimin plumbi. Sefedinin, për shkak të veprimtarisë si sekretar i Komitetit Qarkor të Organizatës LNDSH-së të Prizrenit, e arrestuan autoritetet jugosllave, u hodhë në gjyq dhe u dënua me vdekje/ pushkatim, por ai arriti të ikte nga burgu, atë e rrethuan në shtëpinë e tij dhe duke luftuar me forcat e OZN-së ndërroi jetë së bashku me nënën e tij.