Vështirë do i shkonte mendja se restoranti, gjegjësisht piceria “Romantica”, përballë katedrales monumentale në Einsideln të Zvicrës është pronë e një shqiptari, gjegjësisht Qamil Gërvallës, një bashkatdhetar me prejardhje nga Duboviku i Deçanit, ku tash shumica e personelit janë shqiptarë, që shërbejnë me shumë bujari mysafirë vendas e të huaj, që i tërheq ky qytet sa historik aq edhe turistik
Teksti : Rexhep Rifati
Fotot : Afrium Nevzadi
Në një mbrëmje shkurti bashkë me fotografin Afrim Nevzadi u gjendem në një ndejë darke me rastin e pensionimit të një bashkatdhetari tonë, pa ditur se ky restorant kaq reprezentativ ishte pronë e një bashkatdhetari. Ishte kënaqësi, që pos në tavolinën e ndejës që na ishte servuar, fjala shqipe dominonte edhe në mesin e personelit, gjegjësisht kamerierëve të zellshëm e gojëmbël që na shpërbenin. Në ato qaste as që më ka shkuar mendja se në krahun tim ishte pikërisht pronari i këtij lokali tejet tejet komod për një qytet të vogël siç është Einsideln, sa historik aq edhe turistik. Ishte ky Qamil Gërvalla apo Berisha një burrë me moshë mesatare me prejardhje nga Duboviku atdhetar i Deçanit.
Një histori me shumë drama e sakrifica
Edhe vet Qamili ka një histori më vete plot dromca jete, të përshkuar me shumë sfida e sakrifica, por që ka arrit t`u dalë ballë me stoicizmin e një mërgimtari e atdhetari të devotshëm si edhe shumica nga kushërinjtë e tij.
Qamili, gjatë mbrëmjes së përbashkët me mërgimta rët e pranishëm, që tash kanë shkel pensionin, tregon sesi ka ardhur në Zvicër. Edhe atë, për herë të parë në vitin 1996, derisa ishte student në Kosovë, por atëbotë nuk i kishte pëlqyer ky vend dhe ishte kthyer, sepse donte të vazhdonte studimet.
Më tej shpjegon se si në Kosovë në vend se të përmbushë ëndrrën e tij për shkollim, burgoset persekutohet dhe nuk i mundësohen studimet. Sa njëri nga pushtetarët i thotë se: “Kurrë për ju Gërvallët nuk ka pasaportë (!)”, duke ia kujtuar edhe aktivitetin e vëllezërve Gërvalla në mërgatë. Ndaj edhe në ato rrethana detyrohet sërish të kthehet në Zvicër, ku përqendrohet në profesionin e gastronomisë.
Po si ishte ky rrugëtim në afarizmin e tij personal, familjar?!
Për pak qaste tërhiqemi për një bisedë të shkurtër rreth një tavoline për të mësuar më shumë edhe në fushën e biznesit që zhvillon këtu biznesit të Qamili, filluar nga “Romantika” e Einsidelnit, që e menaxhon tash e 12 vjet , e ku ka rreth 15 punëtorë , 90 për qind shqiptarë e ku tash është shtuar dukshëm edhe numri mysafirëve shqiptarë me rreth 20 për qind pjesëmarrje. Dhe derisa e zhvillojmë këtë bisedë në një tavolinë darkonin autoritetet komunale të këtij qyteti, ku zakonisht gjejnë një mikpritje të ngrohtë dhe shërbime të mira nga personeli kryesisht shqiptar, duke mos e fsheh për asnjë çast identitetin e tyre.
Dhe kur kemi të bëjmë me emrin tërheqës “romantika”, mësojmë se Qamili në menaxhim, gjegjësisht në pronësi ka edhe disa piceri të tjera në kantone të tjera zvicerane, ndërsa që tash veprimtarinë e ka zgjeruar edhe në fushën e imobiljeve (shitblerjen e banesave).
Por se si e ndien veten tash në mërgatë, Qamili edhe pas gjithë këtyre arritjeve thotë se : “Edhe pse kemi krijuar një standard të mirë jetese, megjithatë këtu kënaqësia na mungon. Por e mira ishte se po të mos të kish qenë diaspora një pjesë e popullatës do ti dorëzohej serbit, sepse në rrethanat që u krijuan ne kemi nda kafshatën me njëri tjetrin, me të afërmit, vetëm e vetëm që të mos i bëjmë në gjunjë armikut.