Në defileun e Cyrihut vogëlushët shqiptarë prezantuan shtetin e Kosovës

Në mesin grupeve pjesëmarrëse ishin edhe rreth 40 anëtarë të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër, që drejtohet nga koreografi i mirënjohur, Agron Bajrami, të cilit edhe i përket merita për pjesëmarrje të vazhdueshme të shqiptarëve tash e dhjetë vite në këtë manifestim më masiv tradicional në qytetin e Cyrihut

 Foto e teksti: Rexhep Rifati

Ajo që i sjell shumë freski e kënaqësi qytetit të Cyrihut, mbi të gjitha janë mijëra fëmijë pjesëmarrës në festën pranverore tradicionale ka «Zürcher Sechseläuten», nga radhët e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në këtë kanton. Edhe kësaj të diele, më 27 prill, ndonëse në mot me shi, rreth 2000 pjesëmarrës të përcjell nga dhjetëra mija qytetarë parakaluan në rrugët kryesore të Cyrihut. Ishte ky një spektakël i vërtetë ku merrnin pjesë pjesëtarët e dhjetëra komuniteteve nga të gjitha kontinentet që jetojnë në kantonin e Cyrihut e më gjerë.

Duke i bartur simbolet e shteteve të tyre dhe kostumet kombëtare, pjesëmarrësit i japin një pamje shumë tërheqëse jo vetëm këtij defileu, por edhe shprehin bashkëjetesën e shumë kulturave në shtetin helvetik. Secili grup në krye kishte mbishkrimin e shtetit që i takon, si dhe simbolet kombëtare, ndërsa pjesëmarrësit shqiptarë bartnin mbishkrimin me emërtimin “KOSOVA”. Grupin pjesëmarrës të prej afro 40 fëmijëve e të rinjve shqiptarë e përbënin anëtarë të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” të Zvicrës, që drejtohet nga Agron Bajrami, të cilit edhe i përket merita për pjesëmarrje të vazhdueshme të shqiptarëve tash e dhjetë vite me radhë. Ndërsa që vetë anëtarët pjesëmarrës paguajnë nga 10 franga për të qenë pjesë e këtij manifestimi sa masiv aq edhe atraktiv.

Anëtarët e “Shotës”, me veshje e simbole kombëtare prezantuan, krahas Kosovës edhe shqiptarët tjerë në Zvicër, që përbëjnë njërin nga komunitete më të mëdha nga radhët e të huajve në shtetin helvetik. Gjatë defileut, vogëlushët tanë, që u përcollën me interesim nga spektatorët e shumtë, i përgëzoi e shoqëroi edhe zonja Shukrije Ramadani, ushtruese e detyrës së Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih.

Përndryshe, atraksion kryesore për këtë manifestim gjithë popullor, ku morën pjesë disa dhjetëra mija pjesëmarrës ishte edhe parakalimi i esnafëve me kostume historike nëpër qendrën e qytetit, si dhe vënia e zjarrit «Böög»-it (dordolecit) , si simbol i dimrit. Saktësisht në ora 6 të mbrëmjes në Sechseläutenplatz u mbajt ceremoniali kryesor, sipas të cilit: sa më shpejt që të digjet «Böög»-i, (dardaleci) aq më e nxehtë dhe më e bukur do të jetë vera.