Isa Ferizaj – SHQIPTARË! FRYMONI SHQIP!

Sapo mora nga vellai im i idealit, autori i librit “Rrëfime nga burgu”, Agim Sylejmani, njoftimin se e kishte përfunduar shkrimin e këtij libri dhe do ta dërgonte për  botim, por  bashkë me këtë njoftim mora edhe këtë liber, përmes postimit të tij në adresën time elektronike, ndoshta për ta lexuar unë ndër më të parët lexues të shumtë të këtij autori, diçka e brendshme më ngacmonte e më yshtte që të reflektoja me shkrim diçka nga mbresat pas leximit të tij. Më dukej si një detyrim, a borxh moral ndaj atyre heronjve që kishin kaluar nëpër ferrin e vertetë të kësaj bote e jete. Menjëherë pas leximit të tij kuptova se ajo ndjesia që më ngacmoi në fillim paskej qënë e drejtë dhe me vend, vendosa t’i shkruaj ca fjalë zemre, ashtu siç bëj zakonisht me ato raste që lënë shenja frymëzimi në zemrën time e që, pas leximit të tyre e “shijoj” me më ëmbëlsi ndjenjën e krenarisë së të qënit “shqiptar”!

“Rrëfimet” dhe “burgu” si fjalë mbartin në vetëvete dy situ-ata përmbajtësore krejt të ndryshme. Rrëfimeve s’ka “burg” që t’ua burgosë lirinë. Ato dalin nga zemra e mendja dhe shpërndahen në eterin e paanë, por edhe mbushin letra pa masë e, “pushtojnë” sa e sa mendje e zemra, duke i kthyer ato në “robinat” e tyre dhe, duke i shndërruar të tillat rrëfime, në flakadanë në qiejtë e terruar nga mjegullnajat e retë e zeza të mendjes së çartur të antinjerëzve e regjimeve të tyre kur ata janë të veshur edhe me pushtet. Ato, rrëfimet, zgjojnë kush e di sa e sa ëndrra të fjetura e të harruara nëpër “kthinat” e kujtesës njerëzore, krejt papritmas, për t’i  shndërruar ato në harqe ylberjane, në dritëza vezulluese, në shpërthime diellore, në thirrje kushtrimtare që të lindin ngjyrat e jetës, qartësinë e dritës, përpjekjen e sakrificën, etjen e shpirtit për lëshimin e thirrjes së vet sihariqdhënëse e fitimtare për lirinë.

Sapo lexova me sytë e mendjes togfjalëshin emërtues të kësaj vepre letrare, “Rrëfime nga burgu”, të autorit Agim Sylejmani, nga Kosova, pjesë e Shqipërisë së përtej Drinit, djep trimërie, trevë heroike e legjendare, liridashëse e fitimtare, mendja ime, pasi u mrekullua nga ato rrëfenja plot nektar e tharm shqiptarie , u ndal tek kjo gjetje e këtij autori për titullin e librit të tij, gjetje gjuhësore plot domethënie, si dhe sa metaforike, aq edhe filozofike. Me anë të këtij titulli provokues e ngacmues, autori na bën të futemi menjëherë në thellësinë e përmbajtjeve të pafundme dhe në begatinë po kaq të pakrahasueshme të kuptimeve që mbartin mbi e, me vete, fjalët e bukura të gjuhës tonë amtare, shqipe.

Në vështrimin e parë mendor e kuptimor, fjala “Rrëfime”, në kontekstin e këtij libri, të duket se u përket dy palë rrëfimtarëve, në këtë rast, njëri – i burgosuri, apo të burgosurit politik, “klient” i këtij “institucioni” ndalues e prangues lirie dhe tjetri, vetë burgu. Të dyja palët kanë gjuhët e tyre, kanë kodet e tyre, kanë historitë e tyre, kanë mënyrat e tyre të të rrëfyerit.

Njeriu, i burgosuri, flet me fjalë e me zemër, ushqyer nga mendësia që buron nga vetëdija, kjo mrekulli natyrore e biologjike vetem njerëzore, ndersa burgu, flet me hijen e shenjat, me simbolet e me ëndrrat që mbeten brenda atyre mureve pa dyer e pa dritare, të burgosura, përjetësisht në luftë me të, për të dalë në hapësirat e lirisë.

Rrëfimi i njeriut është kumbues, klithës, piskamë, nganjë-herë i qetë, i ëmbël, i shtruar e, herë i dallgëzuar nga stuhitë që “fryjnë” brenda shpirtit të tij, stuhi që ngrejnë dallgë që përplasen në një areal natyror e mendësor që bien ndesh me njëri – tjetrin. “Rrefimi” i burgut është i rëndë, i frikshëm, “rrëfim” i mundimshëm, por edhe i sikletshëm, është “rrëfim” zori, është “rrefim” “bombë” që ka minuar fushën e lirisë dhe, s’dihet se në ç’hap mund të shperthejë e të plagosë, a vrasë përpjekjen për çminimin e rrugës së lirisë, pasi “gjuhën” e atyre “rrefimeve” burgnaje duhet ta lexosh e rilexosh disa herë dhe përmbajtjen duhet ta kërkosh diku fshehur nëpër nënrreshtat e pashkruar që vetëm një mendje e stërvitur fort mirë mundet ta dallojë, gati siç ndodh në raportet midis ndërgjegjes e nënndergjegjës njerëzore. Vetëm pas disa “transkriptimeve” të simbolikave e të shenjave, hijeve që fshehin e gojëmbylljes që mban një “kyç” mund të depërtosh tek domethëniet e mesazhet që përcjellin “rrëfimet” e burgut.

E, këtë mjeshtri prej artisti, të “skalitjes” së fjalës e shikojmë të qartë e të realizuar mjeshtërisht tek Agim Sylejmani, në këtë vepër sa letrare, por që ngjason edhe me një “monografi” për dy “rrëfimtarë” krejt të veçantë, njëri njerëzor, i burgosuri politik e, tjetri sendor, burgu. Vepra qendron denjësisht në këmbë si një dokument me vlerat e një testamenti filozofik e politik kombëtar, por edhe si një obelisk kushtuar qëndrestarisë së ajkës së rracës shqiptare përballë çmendurisë së  shpërfytyrimit njerëzor të shkjaut pa shpirt e pa zemër. Zaten, këtu qendron edhe bukuria e “rrëfimeve” kur ato i rrëfejnë vetë “aktorët” heronj shqiptarë që kanë “luajtur” nëpër “skenat” – qeli të atyre burgjeve aso lloj “dramash” e “tragjedishë”, në fakt jo letrare, por reale, jetësore, sa nuk ka shkrimtar e, as regjizor me trupat më të specializuara që mund t’i “luanin” aq realisht e me aq shpirt prej titanësh të pamposhtur! Sa herë “rrefen” vetë burgu, del në plan të parë shpirti kriminal i “drejtësisë” së një shteti të ngritur që nga themeli mbi krimin e padrejtësinë, siç ishte Jugosllavia titiste. Vepra e këtij autori vë në ballancë dy llojet e gjuhëve që flasin dy “rrëfimtarët” në vepër, njëri me “gjuhën” e tij të heshtjes dhe, tjetri, i burgosuri politik, me gjuhën e ndjesitë e veta reale e njerëzore. Ja, këtë “gjuhë” të burgut, në ish shtetin me emrin Jugosllavi, ka arritur ta zberthejë autori i librit        “Rrëfime nga burgu”, Agim Sylejmani, përmes nënteksteve që rrjedhin krejt natyrshëm edhe të pashkruara, përkrah atyre të shkruarëve, pasi ai vetë ka qënë njëri nga dhjetra e qindramijërat e bashkëkombasve të tij, të dënuar politik, që u detyruan t’ua “lexojnë” e kuptojnë, ndonëse pa pikë deshirë, “gjuhën” burgjeve çnjerëzore të ish  shtetit çnjerëzor, shovinist, pushtues e racist, Jugosllavisë titisto – antishqiptare.

Natyrshëm edhe burgjet e ish Jugosllavisë, që mbajtën në qelitë e tyre shumë e shumë shqiptarë, me absurdin më paradoksal, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë dhe, se vetëm e vetëm pse e donin lirinë dhe drejtësinë, tokën e gjuhën e tyre të lashtë, zakonet e vlerat e përkatësisë së tyre kombëtare të trashëguara që nga ditëlindja e tyre që s’mbahet mend, rrugëtuar pandashëm me to thellësive e shtigjengushtave të historisë, deri në ditët e kohës “mo-derne” e pasmoderne. (!!)

Burgu, në ish shtetin me emrin Jugosllavi, për pjesën e kombit shqiptar të mbetur padrejtësisht brenda atij “shteti” pseudoshtet, e kishte emrin “Jugosllavi” dhe, qelia më e tmerrshme e atij burgu, për shqiptarët, ishte “superqelia” me emertimin “Serbi”. Kampet e të burgosurve me shqiptarë në kohën e në tokën e Jugosllavisë, para e pas Luftës së Dytë Botërore ishin nga më famëkëqiat. Ato qenë kthyer në “giotina” për shqiptarët, për fjalën, ndjenjat, mendimin, ëndrrat e idealet e tyre liridashëse.

Ai ferr jete nëpër ato burgje, mund të tregohet vetëm nga ata që kaluan nëpër ato dhe, i kanë përjetuar sprovat torturuese nëpër të cilat u është dashur të kalojnë atje. Si njëri nga “banorët” e atyre “institucioneve” me përmbajtje tejet të dukshme kundërshqiptare e jonjerëzore, raciste e lirivrasëse, AgimSylejmani, ngjan me një kalorës që vrapon përmes flakëve e prushnajës së një ferri të vertetë e, që përcëllohet e digjet në shpirtin e tij të paepur liridashës, vetëm e vetëm për të dalë në botën e lirisë si një dëshmimtar real i kalvarit të vuajtjeve të Kombit të tij për ta fituar e rifituar për të kush e di të satën herë lirinë e vet, marrë, plagosur e dhunuar nga hasmi shekullor antishqiptar e çnjerëzor, serbo- shkja.

Duke na i sjellë para syve të mendjes tërë ato skena të përjetuara edhe vetë, por edhe nga bashkëvuajtësit bashkëkombas si ai, nëpër ato burgje ferri, që për shumë specialistë të kinematografisë kombëtare e botërore do të sherbenin si pikënisje për një krijim artistik kinematografik, nga ku mund të merrnin udhë skenarë të mëdhenj për filma po aq të  mëdhenj, autori në fjalë vjen para lexuesit “i bereqetshëm” e krenar. Vjen i tillë sepse lexuesi i shumtë i veprave të tij, tashmë pret me ëndje “prodhimin” e mendjepenës së Agim Sylejmanit. Kjo vepër shëmbëllen me një dritë të ndezur si “far”, në brigjet e detit pa anë të mendësisë, ende të  trazuar kombëtare, shqiptare. Kështu ai i bën edhe një shërbim madhor më shumë, Kombit e truallit të origjinës së vetë të lashtë, duke u përpjekur që t’ia kthjellojë gjykimin e shikimin atij, për ta parë realitetin kombëtar jo me syzet e pseudoaleatëve, por me sytë e mendjes e të zemrës se vet. Autori i librit “Rrëfime nga burgu”, Agim Sylejmani, ka ditur që me mjeshtrinë që zotëron si skalitës i fjalës artistike, të na sjellë në faqet e një libri – “testament” të kujtesës së yjeve të një pjese të kombit tonë, mbetur nën pushtimin e serbo-sllavisë shovene, kuintesencen e tharmit të rracës shqiptare, tharm ky që na ka bërë edhe të dallohemi për nga shumësia e vlerave, nga kombet e tjerë, por edhe t’u rezistojmë tramundanave të historisë si rrallë komb tjetër në hapësirat e këtij kontinentit plak. Agim Sylejmani merr përsipër që të na e përcjellë edhe në rrugë letrare idenë e madhe se, një komb, ose një pjesë të tij edhe mund ta burgosësh për një kohë, përmes pushtimit, por jo kurrë, përjetësisht, atë as shpirtin e tij liridashës, për çka edhe ia ka arritur fort suksesshëm e mjeshtrisht!

“Rrëfime nga burgu’ është një “testament” qëndrese, një “kodik” atdhedashurie, një “monument” moral, një “himn” madhështie, një “prelud” lavdie, një “simfoni” dallgënore e shpirtit kombëtar; një “flakënajë” e ndjesive që i kanë buruar përherë nga zemra si një vullkan, kombit tonë, një obelisk kujtese në hapësirat e pamatshme të jetës. Në këtë libër vijnë krejt natyrshën të gjithë këta “kapituj”, sa moral, aq edhe artistik, sa historik, aq edhe filozofik, sa gjuhësor, aq edhe psikologjiko-social, sa politik, aq edhe kombëtar. Pikërisht edhe kjo mënyrë ardhjeje është një meritë tjetër e autorit të librit.

Libri në fjalë ka si fill të kuq, motivin se s’mund të ketë “burg” që mund të burgosë një ide, një ideal, një ëndërr me përmasa kombëtare, një qëllim madhor, një përpjekje kolektive, një arsye të shëndoshë, një qëllim a një mision që historia ia ka përcaktuar një kombi për ta jetësuar e lartësuar, një dritë, a një flakërimë të shpirtit të një kombi, në rrugëtimin e tij historik.

Qoftë edhe vetëm perpjekja për ta shtypur e burgosur lirinë e një populli përmes  mbajtjes nën pushtim, e kthen “shpirtin” e kombit pushtues edhe për vetë atë, në një “makroburg” real e të llahtarshëm, që e gërryen me ndryshkun e prodhuar në terrin e shpirtit të tij dhe, e gremis drejt hullirave që të degdisin në grimcënaja e mbetje historike, mbuluar me mykun e urrejtjes e tisin e harresës.

Etjen dhe përpjekjen e paplakur asnjëherë të shqiptarëve për të realizuar ëndrrat e porositë madhore të një kombi të martirizuar gjatë gjithë shtegëtimit të tij të stërmundimshëm historik, nuk mund ta shuanin as serbo-shovenët, as koalicionet e fshehta antishqiptare me ta, as aleancat e hapura e të fshehta të vjetra e të reja, kundërshqiptare.

Libri “Refime nga burgu” nxjerr në dritën e diellit plot realitete të hidhura për shqiptarët e ndodhur nën pushtim, në ish Jugosllavinë e para e pas 1945-ës. Lakmitë e fqinjve ndaj trojeve tona dihet se kanë qënë të etura e të ushqyera me shovinizëm të hapur, mbarsur me plot dëshira të shfrenuara, që në pikësynim kishin, pse jo, i kanë edhe sot, si qëllimin e përhershëm, për të gllabëruar sa më shumë dhe me të gjitha format e mjetet, pjesë nga trojet tona natyrore, etnike, historike, gjuhësore, zakonore e kulturore, etje këto, për fat të keq, që edhe sot janë rizgjuar e janë bërë edhe më  kërcënuese për paqen e qëndrueshmerinë e saj në këtë rajon të mbushur me “barot” shpirtëror e mendor.

Aradha e heronjve të rënë në altarin e nderit të kombit tonë, dëshmitarë e vuajtës të jetës ferr nëpër këto burgje është e gjatë, e pambarimtë dhe, të duket se ka zgjatur duart për t’i mbajtur fort rrënjët e lashta të kombit tonë rrënjëthellë.

Ato vargje heronjsh na vijnë para syve si vargmale të patundura krenarie e, me qeleshen e tyre të bardhë si bora, të papërlyer nga asnjë papastërti morale a historike. Heronjtë e dëshmorët e burgosur politik për idealet kombëtare, për të cilat me vetëdije shkuan drejt vetëflijimit, duket se akoma rrojnë midis nesh, frymëzojnë dhe përhapin frymën e lirisë si një fllad pranveror në shpirtin ende të trazuar të kombit tonë. Zgjatimi i “aradhave” të tyre vijon e vijon pambarimisht duke u shfaqur e rishfaqur tek heronjtë e gjallë që vijuan, vijojnë e do të përcjellin deri në përmbushjen e plotë, ëndrrën e idealin për të cilin luftuan, u flijuan, ideal për të cilin përpiqen e sakrifikojnë edhe sot, edhe nesër.

Gjuha me të cilën flet autori dhe heronjtë e veprës së tij, “Rrëfime nga burgu”, është një gjuhë e thjeshtë, e bukur, e kthjellët, e pasur me plot “lulënaja” kuptimore figurative, ashtu siç i ka hije gjuhës tonë kombëtare, por edhe gjuhës së deshmorëve dhe heronjve të Kombit e të Atdheut tonë. Zatën s’kishte se si të ishte ndryshe, sepse gjuha e të vërtetës është gjithmonë gjuha më e bukur. Autori i ka sjellë ashtu, “bio”, rrëfimet e heronjve të veprës së tij dhe, kjo ia ka rritur edhe më shumë vlerën dhe “autoritetin” librit në fjalë. Sjellja e fakteve së bashku me fjalën e bukur e të pastër shqipe në këtë vepër, ka bërë që “rrëfimi”, si një variant letrar, i shkruar e i pashkruar, të marrë vlera të reja, të shkëlqejë me një dritë edhe më vezulluese e, të peshojë më rëndë në artin e bukur të fushës së letërsisë.

*     *    *

Hendeqet midis kombeve për shkaqe subjektive krijojnë, përveç të tjerave edhe “muret” e mëdha ndarës midis tyre, çka në vetëvete s’janë gjë tjeter veçse muret që i ndërton vetë njeriu “burgut” të madh, ku do të burgosë politikisht, ekonomikisht e psikologjikisht një pjesë të njerëzimit së bashku me vlerat e tij njerëzore të gjithëfarëllojshme, nga pozita e këndveshtrime jonjerëzore të realitetit që sundon botën. Bota dhe jeta e këtij planeti është fare e vogël për t’u ndarë e, aq më keq, për t’u burgosur.

Një pjesë e kësaj bote, e mendësisë njerëzore, për shkak të shmangjeve a kundërshtive nga boshti i “vlerave njerëzore a demokratike” të disa “politikave” të mëdha që sundojnë botën krejt pandershëm e padrejtësisht, sot vuajnë persekucionin politik të supershteteve politike, ekonomike e hegjemoniste, nga pozitat e më të madhit, apo më të fortit, larg asaj, apo atyre që trumbetohen me të madhe në mediat, platformat e tyre politiko-sociale, forumet nderkombëtare, a tribunalet e “drejtësisë”. Politikat hegjemono-shovene të Evropës plakë, i kushtuan shumë shtrenjtë kombit tonë të lashtë e, trojeve shqiptare. Ato politika ishin e janë, paradoksalisht, antishqiptare ende sot, në kohrat pasmoderne, çka përbën një turp të pashoq për “fuqitë e mëdha” të njohura me emrin ndjellës “Bashkimi Evropian”.

Ndjenja e lirisë lind bashkë me qënien njerëzore, prandaj lufta për ta fituar atë, kur ajo është rrëmbyer, nuk përbën asnjë lloj krimi, përkundrazi, afirmon virtytet e vlerat njerëzore në plan të përgjithshëm, por edhe në atë kombëtar.

Një komb që kurrë nuk ka zhvilluar luftra grabitqare ndaj kombeve fqinj, por edhe ndaj të tjerëve, nuk e ka konceptin për “burgosjen” e lirisë. Ai komb është shfaqja më brilante natyrore e qënies njërëzore në formën e në përmbajtjen e vetë lirisë. I tillë është kombi shqiptar, pa as më të voglin dyshim. Njerëzit e vlerave njerëzore, si heronjtë e këtij libri, pra edhe si autori, hero i gjallë, Agim Sylejmani, janë si gurët e çmuar të diamanteve në një gjerdan nusërie, që pritet t’i dhurohet më të bukures “nuse” me emrin, vlerën e ëndrrat e lirisë, janë “shkronjat” e arta me të cilat shkruhet historia; janë lisat viganë nën këmbët e të cilëve zvarriten ferrat gjëmbaçe të çdo kohe.

Trupi i njeriut, por edhe i një kombi, mund të marrë goditje fatale, tragjike, çnjerëzore, mund të kullojë edhe gjak zemre, por nga madhështia e dashurisë për jetën e lirinë, shpirti njerëzor brenda njeriut të vertetë dhe një kombi liridashës e heroik, kalitet e brumoset si çeliku në kudhrën e kovaçit “kohë” dhe njëherësh, shpirtligësia e mutacioneve njerëzore e shpirtkatile, shkërmoqet si balta e papjekur nga shiu.

Të frymuarit shqip, është një motiv që u jep kuptim jetëve të heronjve të veprës së autorit Agim Sylejmani dhe, kjo është një meritë tjetër e këtij autori, sepse ka ditur ta qëmtojë tek çdo hero rrëfimtar i librit, por edhe i atyre me të cilët ka jetuar, luftuar e bërë qëndresë, shqiptarisht. Këtë fakt autori e sjell shumë domethënshëm përmes shprehjes së heroit Rexhep Malaj, bashkëluftëtar e idhull i autorit, në kufirin që ia ndante jetën me vdekjen, falë torturave çnjerëzore mbi të prej bishënajës  së tradhtarëve e të armiqve të betuar serb, në burgjet e shkjaut.

Zemra e këtij flakadani të lirisë rrahte fort e më fort për lirinë, ndaj ajo zemer nuk dinte të ligështohej e, as të dorëzohej. Heroi thoshte me vete, por edhe ua përciellte edhe të burgosurve të tjerë politik, bashkëkombas shprehjen: “Akoma frymoj shqip”, sikur për t’u thënë se sa të na rrahë zemra, ajo do të na rrahë vetëm për shqiptarinë që s’duhet ta lëmë që të na vdesë në sytë tanë! Gjaku i të burgosurve politik shqiptarë nëpër burgjet serbo-sllave të ish Jugosllavisë, ishte “boja” me të cilën heronjtë e burgosur e shkruan edhe kapitullin e lavdisë edhe në këto sprova mbinjerëzore përballë çmendurisë e histerisë së një politike thellësisht kundërshqiptare. Ai gjak shkroi nëpër muret e qelive të errëta të burgjeve ferr, thirrjet për bashkim të kombit e, për kryengritje kundër pushtuesit, thirrje që kishin përmasat e vlerat e sa e sa volumeve të veprave të shkruara politike, pasi s’kishte rrugë më të lavdishme e më të sigurtë për ta risjellë lirinë e realizimin e kryeëndrrës kombëtare, bashkimin e kombit e të trojeve shqiptare nën një Flamur Kombëtar e, në një shtet gjithshqiptar.

Ky libër me sa duket është gurthemeli mbi të cilin do të ngrihet e lartësohet një korpus i madh veprash të këtij zhanri letrar, pasi fushënajat e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në ish Jugosllavi, janë më shumë se shumë, të mbushura me ngjarje, ndodhira e qëndresa të pashoqe e heroike të të burgosurve politikë shqiptarë, nga një shtet e regjim politik, thellësisht çnjerëzor, që në gjenezen e tij. Ky libër del në kohën e duhur dhe ngërthen në mënyrën më të mirë të mundshme idealin e idetë për të cilat u burgosën me qindra e mijëra shqiptarë për motive politike dhe që u dënuan, pse jo edhe me qindra e mijëra vite burg. Ja, këta ishin e janë qëndrestarët heroik, prijëtarët legjendarë, mendjendriturit flakëpashuar e atdhetarët zemërluanë, bijë e bija të Kombit tonë, në trojet amtare të mbetura nën pushtimin e sundimin e ish Jugosllavisë.

E uroj shokun e vëllain tim të idealit, Agim Sylejmanin, për këtë veper që peshon sa vuajta e shpirtit të kombit tonë, vuajtje e ardhur nga padrejtëstë e tepërta historike e njerëzore, politike e çnjerëzore. I uroj Agimit një muzë të kthjellët e të pashterrshme si uji i Valbonës e, frymëzuese si ylberet e ujëvarave të bjeshkëve tona krenare e plot me hire të pashoqe!

Edhe unë, pas leximit të këtij libri, thërras shqiptarisht e me piskamë:

– Shqiptarë! Frymoni shqip!

Tiranë, 2. tetor 2017