Pika shiu
Në livadhin e fëmijë(ri)nisë
Pika shiu bien mbi brymë…
Ditë shi-mjegulle
Je në mes të rrugëve
Nuk e di ku je
Për një kohë të shkurtër
E gjen rrugën
Përhirtësi dimri në dritare
Dikur në shtëpi
Nga dritaret e saj
Në të ftohtë
E në ditët me borë
Kur nëna vazhdonte ndonjërën nga punët e nisura
E unë merresha me ndonjë detyrë shkollore
Hapeshin e mbylleshin dyer nga gjyshja
E ne familjarët
Sorrat kalonin përmes
Pikëkalimeve të dritareve tona
Pa viza
Nëpër çaste të ndryshme dite
Në drejtim të Prishtinës
Në këtë drejtim vazhdojnë përsëri
Edhe sot
Nga shtëpia e shndrruar në banesë
Rrugës së njejtë
Me dritare veç nga njëra anë
Mund t’i shohim
Pa e ndjerë vërvishtjen e erërave nëpër përhirtësi
Në park
Zogjtë cicërojnë
Ky fëmijë blen akullore
Rri në mbretërinë e këtyre çasteve parajsore parku
Urë
Të shtrirë
Duart në supet tona
Urë ku kalojnë engjëjt
Mes nesh vogëlushi ynë fle
A thua ç’ëndrra sheh?
Ëmbëlsi rrite
Pasdite shtrihemi në shtrat
Fëmijën e zë gjumi
Kokën s’e ka vënë mbi jastëk
Mbi kokë i rri ky libërth përrallash
Mbi kopertinë të tij kjo kutizë me bonbone
Duket se kjo është ëndrra e tij
Ata dhe ne
Një engjëll fle
E ne të mëdhenjtë
Bëjmë llafe,
Poterë
Që nuk ia prishin gjumin,
As ëndrrat
Në ditëlindjen e një fëmije
Në ditëlindjen e një fëmije në „Amazonë“
Fëmijët kënaqen duke luajtur e vrapuar
Ne të mëdhenjtë paksa të ftohtë…
Tri çanta
Me fëmijët sot
Te kjo hapësirë rrethuar me ndërtesa
Sot secili me nga një çantë
I kemi hedhur ato në këtë ulëse
Dhe duket se po pushojnë
E diela me fëmijë përdore
Me djalin tim
Dhe me djalin e vëllait
Dalim në qytet
Bredhim në disa vende
Stacione e hapësira gjelbëroshe
E nëpër kënde lojërash,
Fundprill i ngrohtë pranveror
E diela me fëmijë përdore
Rrebe
Fëmija-engjëll me pak rrebe
Na e mori atë reket badmingtoni
Në parkun e qytetit
Reketi që tash e solla në dhomë
Ma kujton fëmijërinë që nuk kthehet
Rrebesh rrebesh të rrebafta
Sa do të pikoni të egërsuara
Mbi atdheun tim-
Tokën e askujt…
Shtyrje kohe
Ulur në një cep të kafenesë në qendër
Buzë sheshit
Pimë nga një pije
Shtyjmë çaste kohe
Me zemra të ftohta akull
Dikush shtyn një karrocë me një të moshuar
E ca nëna shtyejnë karrocat me vocërrushët e tyre.
Më pas dalim mes një grumbulli pamjesh të tjera,
Bredhim,
Fryn erë, buzët pëshpërisin etshëm fjalët
Fry moj erë, erë e dashurisë…
Nga-një-herë
E thjeshtë të duket kjo jetë:
Një kafe,
Një gotë ujë,
Një shpuzore që s’të duhet
Dhe ca gjethe pishe mbi tavolinë
Në kokërr të shpinës
Janë shtrirë e po rrinë
Një çaj i gjelbër më vjen
Me një copë limoni që e shtrydh
Flasim në telefon për çështje dorëshkrimesh e botimesh
Fëmijët luajnë në këtë hapësirë
Vendi ynë nuk i ka punët mirë
Lëngon e lëngon
Për këtë flasim e flasim
Nga brendia duam ta heqim gjithë këtë
Mllef të grumbulluar
Po ku ta hedhim,
Ku ta përplasim?
Këndlojërat ngjyrëndezura
Qiell i përhirtë i kësaj dite korriku
Ca pika shiu i përplas në dritare
Bien pikat ujore mbi fletë drunjsh
Mbi çadra prej gjethesh
E mbi supe kujtimesh
Si faqe ditarësh përbërë nga çastet që s’harrohen
Nguliten stacioneve të kujtesës
Çfarë zihet në shpirtin tim
Në shpirtin tënd
Për vetjaken dhe të përbashkëtën tonë
E nga këndlojërash ngjyrëndezura
Gumëzhijnë fëmijët
(Zh)veshje
Koha ishte e mirë
Derisa ecnim në park
Dhe shihnim zhveshjet e degëve të drunjëve
Diell na zgjat dorën edhe pak
Tash dolëm për të blerë një xhaketë dimri
Për njërin nga ne
Shkruar nga shtrati
Në tepihun e dhomës së fëmijëve
Në sofrën e saj rrijnë bashkë
Një këpucë sportive
Një bluzë krahëshkurtër me numër
Një top ragbi
Një top tenisi
Një reket
Një rrjetë
Një shtagë golfi a hokeji
Një top futbolli
Një shteg atletike
Një top basketbolli
E koshi
Një shkop e një top beisbolli
Ç’ironi
Kaq pak aktivitete
Kaq pak alternativa
Kaq pak hapësirë
Çaste përpjekjesh
Barten rraqe
Me multikultivatorë
Me biçikleta
Vazhdon gjahu nëpër kontenjerë
Një grua me fëmijë përreth
Numërojnë centët e mbledhur
Në këtë copë trotuari
Të këtij çasti me diell
Lajthitë
Dolëm për të blerë
Çorape për fëmijë
E ndonjë rrobë për vete
Që do na binte në sy
Kur dolëm nga ajo qendër tregtare
Morëm dhe një qese me lajthi
Që i shiste ai fëmijë
O Zot sa sytrishtuar
Kujtim i freskët i një çasti
Kupës së mbushur me neskafe
Padashur i bie me bërryl
Kupë e dashur pak e zbrazur
Po fshij tavolinën dhe kam për të pirë
Tash po flasim për kupën metaforike
Që mbushet zhgënjime e trishtime
Sikur kësaj kupe t’i bijmë
Me hir a pahir
Dhe le të zbrazet e tëra
Për të filluar me rrugën e mirë


















