E atjeatëhershme

Një kujtimth i lashtë trokiti te unë
I hapa shteg e lashë të hyj brenda
Filloi rrëfimin për të cilin kishte ardhur
Ai fol, unë dëgjo, të dy të përtëritur, të ringjallur!
Me barut fijeshkrepsesh mbushnin ato doreza dritaresh
Të vogla, metalike me grykë, si pulla, si vath
Që i quanim kapsolla e pushkalla
E lënim jehonë krismash “bam, bum “!
Këtë solli kujtimthi dhe u largua si vello mjegulle,
Iku, shkoi matanë.
E ne fëmijët që jehonë krismash lamë
Endemi nëpër botën e të rriturve, të shpërndarë!

Fat peshqish

Nga lumi i vendlindjes
Patëm sjellë
E në bunarin e oborrit të shtëpisë
Patëm hedh
Ca peshq të vegjël
Me ndihmën e diellit
E të pasqyrës
I shihnim duke notuar
Gurëve të kështjellës së bunarit
Herë herë u hidhnim
Trosha buke
E kokrra gruri
Më pas lamë shtëpi e katandi
Për t’u kthyer përsëri
Ushtarët e armikut
Kishin pas mbushur bunarin me mbeturina
E varrosëm bunarin
Dhe tash sapo u zgjova
E sapo kujtova
Atë varr të rrafshët

Përurimi i pambajtur

E filluam si një lojë fëmijësh
Tre vetë për tre libra u bëmë bashkë
Erdhi i ashtuquajturi “Covid 19”
Vendosi shiritin e tha: “Ndaluni pak!”
Sapo patëm caktuar vendin
Dhe filluam të dërgojmë ftesa,
Papritur u tërhoqëm nga ky vendim
Pasi filloi pandemia, masat e pengesat!
E tash pas një viti e pashë këtë shënim,
E shkoi gjithë kjo kohë, po bëhet një vit,
Kur erdh ky mysafir e po endet nëpër botë,
E pos tjerash ndaloi dhe një përurim!

Dembelizëm dinamik

Zgjohem dembelisht
Me lodhje, plogështi, rutinë
Si i kapur me ngjitës special për shtrati
Pasi ngritem në këmbë
Me letër grrithëse
Filloj t’i heq ashklat e tejdukshme
Të ngjitësit gjysmë të tharë e gjysmë të lagur
Laj duart, i fshij me peshqir
Pastaj gostis veten me kafe
Pse jo dhe pastaj edhe me një çaj
Me se të merrem tash
Diç më vërtitet kokës
Ku është hapësira
Ajri i pastër
Qetësia
Bio-ja
Drunjtë
Lulet
Zogjtë
Parqet
Një pjesë e jetës shkoi
Duke u përhumbur
Nëpër ditë dembelizmi dinamik
Ku po hedhim hapa të çuditshëm vallesh

Përsëritje

(Ritransmetim i drejtpërdrejt)

Tash kur po i shoh këto vargje
Që i paskësha lënë këtu mbrëmë,
Zingjirë zbrazëtie më vërtiten dhe sonte
Dhe sikur s’kam asgjë për të thënë.

Të mundja të heshtja mirë do të bëja,
Përmbrenda le të gjëmoj mllef e zhurmërimë,
Grumbuj zbrazëtie ndoshta do lodhen
Dhe nuk do shfaqen më si “live-reprizë”!

Përpjekje

Tash
Sapo e pyeta veten
Ç’janë gjithë këto përpjekje
E mundime përengjëll a përdreq
Jo për të bërë ndonjë gjë të madhe
Po për t’ia dalë mbanë
Të mbetem veç pak i mirë
E të mos bëhem shumë i keq

Për postimet e sotme

S’di pse s’po bëhem rehat
Pa bërë dhe një postim,
Le të jetë i pesti për sot
Si pa farë caku e pa ndonjë qëllim!
E filloj me një këngë që marr nga youtbe,
Një duet i njohur këndojnë:
“Një lule në Gostivar”
Një shënimth i hedh mbi supe e me “share” e shpërndaj!
Vazhdoj me një thënie që facebook-u ma kujton,
E marrë para vitesh s’di qysh e s’di pse,
Qenka fjalë e mençur e që më ngacmon
Edhe një herë nga muri po e marr e në mur po e vë!
Vijmë te postimi i radhës,
Një prozë poetike e nxjerr nga një libër
Të cilën e hedh me një shkrepje që sapo e bëra,
Shkrimi nxjerr kokën përmbi ilustrimin.
Të katërtën e nisi si lojë
Marr një foto-shkrepje nga iPhone-i im
Dhe në google gjej një poezi
Mollëkuqja kryefjalë: përfundi e përmbi!
Mur i gjatë, i lartë, i gjerë
Që mbushesh dhe nuk mbushesh dot,
Koha është për ta ndalur dorën
Dhe një premtim vetes t’ia bësh sot!

Rrjedhë dite

E diel
Zgjohem
Ora gati 11
Me Besimin
Nisemi e vijmë
Në Gërmi
Bora tash në lojë
Pasi që zëvendësoi
Lojtarin shi
A thua do zgjidhet
Presidenti i Republikës sonë
A thua do mbyllemi përsëri
Për shkak të pandemisë
Sa po më pëlqen këtu të rri
Brenda në Freski
E një rrjedhë uji
Zbret gjurmëbardhë
Në këtë ditë
Në rrënzën e kësaj faqeje mali
Mes lisave këpucë-myshk

Rrëzim e ringritje

Një fëmijë u rrëzua
Në një trotuar qyteze
Pluhuri i rrugës për rroba iu ngjit
Shtrembër pa atë pllakë të shtrembër e të çrregullt
Tash për tash e rëndësishme
Se fëmiju u ringrit

Vend i pakënaqsive

Po gabojnë të moshuarit
Dhe ata që po shkojnë drejt pleqërisë
Kur po thonë
Se në ditët e sotme
U e po kënaqen të rinjtë
Kështu njejtë do gabonin dhe të rinjtë
Nëse mendojnë
Se u e po kënaqen fëmijtë

Prioritet

Përkundër të gjithave
Të mirave e të ligave
Ka shpresë
Si s’mund të këtë
Edhe këtë vit
Edhe këtë ditë
Përpjekje e shpresë
Prioritet