Lëmsh kohe ose nëpër valët e virusit

Tregimet disi më kanë tërhequr gjithënjë. Që nga fëmijëria. Qysh kur dikush i afërt, a mysafir ka rrëfyer për ndonjë ngjarje, ndodhi, a ndonjë gjë sado të thjeshtë.

Vetë kam qenë një fëmijë i qetë, i heshtur, i ndrojtur, pa ndonjë dëshirë e talent për t’i hyrë komunikimit a valleve që shpiejnë andej ku unë do merrja rolin e rrëfimtarit. Kam qenë më i prirur për të dëgjuar. Kam heshtur mbase bukur, e për dikë kjo ishte e tepërt. Bëhu më i gjallë, më këshillonte e na thonte gjyshi. Gjyshet, nëna e babai sa i përket kësaj, s’kanë thënë ndonjë gjë. Edhe tash  sikur i shmangem kësaj valleje. Ndonëse herë-herë rrëmbehem nga papërmbajtshmëria.

Nëpër klasë shkollash kur bënim hartime me shkrim merrja nota e fjalë të mira prej mësimdhënësve. E tash kur numrit 4 të moshës sime i është shtuar dhe një dysh i mirë, sot derisa rrija në një restaurant kafene hapur së fundmi (pse a mos po hapet ndonjë biblotekë, park, kinema e fushë rekreative a…)me emrin që është i njohur për autorin e këtyre rreshtave, po mrizoja  ulur në karrigë, përballë gruas, ndërsa fëmijët merrnin fije bari këtej pari dhe shkonin ua hidhnin ca lepujve në një kafaz, por edhe vizitonin kafeze me shpezë, dhi, dhe ndonjë kaproll a drenushë të lodhur e të mërzitur që na kujtojnë gjendjen tonë, që të paktën të bëjmë një krahasim. Ç’ambient, si një lloj oaze në i thënçin,  rrethuar me shumëkatëshe disa prej tyre në ndërtim e meremetim e sipër.

Jam hedhur në krahët e një mëdyshejeje  jo dhe aq të vogël. T’ia nis a mos t’ia nis  apo tashmë të vazhdoj provën për ta thurur tregimin tim të parë. Po t’ia nisësh mund ta bitisësh, po mos t’ia fillosh, kushedi, do ta lësh për ndonjë herë tjetër, ose do ta lësh fare këtë punë. Vetë vendos!

Ti tashmë ke botuar një libër tëndin me skica dhe vargje, sikur i thua vetes, pse të mos provosh se si e çfarë do të ndjesh po të ndërrosh paksa udhë e stil, e ndoshta s’të kushton gjë. Është kohë pandemie katër-pesë muajshe, që s’dihet si do e mund të shkojë, e ç’kahje e ç’drejtim mund të marrë. Sidoqoftë nxjerr telefonin shumëfunksional nga xhepi dhe përpos ca shkrepjeve që bëj rreth e rrotull, në mesin e tyre, përqëndrohem te këto lozë kungulli me një lule të verdhë të çelur dhe ca tjerave që janë duke vazhduar rrugën që të hapen si bashkëfamiljarja e tyre që mrizojnë mbështetur për murin kufitar të kësaj hapësire. Vështrimi përveç se kthjellues e çastëmbël të kthen në kohë te oborri i shtëpisë së dikurshme me një mur ndarës, ku njëra pjesë e oborrit me pemë, që na “takonte” neve, e tjetra e rrafshtë, e fortë, e “shkretëtirtë”, pa bar që atëbotë shfrytëzohej nga dy qiraxhinjë që merreshin me shitjen dhe përpunimin e granitit e mermerit. Pikërisht për murin ndarës të oborrit të shtëpisë rrinin e rriteshin  ca lozë kungujsh të tilla që hidhnin kokën edhe matanë. Dhe seç të vijnë dhe ca vargje që ne dëgjonim nga të afërmit tanë më të mëdhenj: “Pite, pite kungullor, qitma lamshin kush ma mor…”

Kalon e kalojmë nëpër këtë lëmsh kohe sa të  hapësh e të mbyllësh sytë, a sa kjo shkrepje e radhës që bën, për të “ngrirë” si të ishte farë shtaze a farë shpezi e zënë dhe e kapur peng.

Fotoja tjetër “mbushet” më filxhanin e espresos mbi tavoninë dhe pranë saj duke ndenjur me  maskën a gojashkën (siç po e quajnë tash ca gjuhtarë a letrarë) ngjyrëbardhë me “llastikë” (jo për të gjuajtur zogj, a për t’u gjuajtur mes vete si dikur…) do rrijnë varur për veshësh sapo ta marrësh për ta veshur për të mbuluar gojë, hundë, faqe e mjekër.

Koha po rrjedh. Nën dritë-hije, e këtë  çati druri e mbajnë trupa pishash të prera e paksa të gdhendura. Derisa gruaja flet në telefon me të afërmit, e të tjerët vazhdojnë ndejat e tyre, pasi fëmijët kanë rrethuar kafshët e shpezët e mbyllura, unë shfletoj facebook-uk tim, për të parë dhe reagimet (kryesisht me pëlqime) të dy postimeve që bëra sot, jo shumë kohë më parë. Njëri përbëhet nga një fotografi ku dy fëmijët tanë ia bëjnë me dorë një helikopteri që lundron nëpër qiell para pak ditësh, derisa endeshin arave e livadheve, aty ku dalim ndonjëherë për të kaluar kohën. E përfundi kësaj shkrepjeje personale, në fakt përmbi të qëndron poezia e arbëreshit Vorea Ujko me titullin: Aeroport. Postimi tjetër është i librit tim me një titull të gjatë, që s’prish punë edhe po mos ta përmendi, në fakt janë dy shkrepje njëri në një qytet verior të Shqipërisë londineze të cilën e bëra para jo shumë kohësh gjatë një vizite me vëllaun e vogël, (bile vëllau i madh, mërgimtari, më njoftoi se më kishte parë në një kronikë televizive për turizmin, për dy-tre sekonda derisa zbrisja nga autobusi, dhe vëllaun tjetër po aq shkurtë, duke ecur) e shkrepja tjetër e një qyteti andej kah jugu ku sugari qe për pushime dhe ma dërgoi në viber të nesërmen që u kthye me ndjenja ëmbëlsie në të ëmblën shtëpi. Për pak e harrova mbishkrimin për dy fotot që e vura: “Pranë malit, pranë detit, pranë vetit!”

Pas edhe ca bredhëritjeve tjera nëpër virtualitet, aty këtu flasim edhe ndonjë fjalë, derisa fëmijët vijnë për ca çaste për t’u larguar me të shpejtë në drejtim të kafazeve. Kosovës përveç kafazit që kishte tash iu shtuan edhe këto kafaze taze, por edhe  kafazi pandemik, nëse kemi të drejtë të shprehemi kështu. Që si duket do të sjellë ca ç’rregullime shtesë.

Sivjet  siç duket do na mungojnë të afërmit mërgimtarë. Edhe motra që gjendet në New York e ka shtyer fluturimin për këtë verë.Ia kalofshim sa më mirë e sa më lehtë përgjatë këtyre sfidave. Si e qysh po themi: të kujdesemi për veten dhe për të tjerët. Në këtë shtet pa shumë gjëra nëpër vend të vet, që kur do fillojnë të bijnë e kemi mjaft të vështirë ta dijmë…Sa të mundemi le t’i biem vetes pas, që ta kemi atë nën kontroll, e të kaluara qofshin edhe ngritja e zërit, bërtima, neurozat,  thyerja e ndonjë gote, rrëzimi i ndonjë karrigeje, e situata sado me elemente dramatike, po në(n) kontroll të jetë. Qysh u përhap dhe fjala se kush ka qenë këtu gjithmonë normal, ai me të vërtetë s’është as pak normal. E sot vëllau që jeton në kryeqytet na trokiti në derë, bashkë me të dy fëmijët, për të na u kujtuar dhe shprehja migjeniane por tashmë e ndryshuar: qeshu, fëmijëri qeshu… Këta rreshta të derikëtushëm mbase nuk i përngjasin një tregimi, por mbase një prove për të ndërtuar një të tillë. Kjo kështu shkoi deri këtu, kështu që tash e tutje mund të fillojë të vërtis mendjen për tregimin tjetër, rrëfimin e dytë…

 

Dolëm, po ç’mblodhëm?

Pasi parkojmë e zbresim nga vetura në parkingun e këtij restauranti, në këtë pasdite, ulemi  në një tavolinë me shumë karrige, (na duhen dy) e përballë kemi reklamën e mbështetur për drunjsh me emrin: “n’…”,  vëni një emër këtij vendi, çfarë të dëshironi, n’ Mal, n’Det… mbase mund t’ia qëlloni se për kë është  duke u bërë fjalë…

E kishim në plan të dilnin diku, por këtu erdhëm pa e planifikuar. Derisa bëheshim gati për t’i lënë të vetmuara muret e banesës me fjalët e djalit të vogël: “A po dalim ma”,  vije vëllau i vogël me katër akullore. Pasi freskohemi me to, dhe nën lëkurën e tyre prej çokolate, përsëri përbrenda janë të mbushura po me çokolatë,  dalim, hipim në veturën katër rrotëshe e katër dyershe me targa të matanëgardhshme dhe vazhdojmë duke dalur e duke u armatosur me maska që rrinë varur edhe aty ku qëndrojnë jo pushkët, po xhaketat vjeshtore a verore. Mos të harrojmë se mjaft shi ra këtë verë, ndonëse sot ngrohtë.

Kah po ia mësyejmë e ku do të përfundojmë, është njëra nga pyetjet që pret përgjigjje. Vetëtimthi me vije dhe jap propozimin për këtu ku u ulëm siç e ceka në fillim, vend ky që sipas përllogaritjeve, janë bërë diku tre vite pa shkelur në të, e që lidhet me një çështje  personale që ka lidhshmëri me publiken… Dhe siç e patë u vendosën “tri pika”, për të mos vazhduar më tej me këtë shpjegim.

Sidoqoftë ky këtu është e duket një vend mjaft i qetë e me gjelbërim e në njërën anë të tij me tij si kufi pas një muri të gjallë si ushtarë garde, a truproje kryetari, kryeministri a mbreti, ku “gatitu” rrijnë ca shelgje e ca arra të mëdha në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale; e tek-tuk mes tyre ca trupa kumbullash e kajsishë gjatoshe e me mjaft moshë mbi supe me kokrra të zverdhura, të verdha, të kuqe e të kombinuara. Era e lehtë është si mysafire e mirëseardhur. Fëmijët janë pozicionuar  në vargun e lodrave skaj drunjëve gjetheshumë e gjethegjelbër, kryesisht në luhatëset rrumbullake me shufra të holla e të forta katrore ngjyrëndezura, kurse ne të mëdhenjtë nën hijet që janë shtrirë në pjesën e kësaj vije territoriale mbuluar me hije. Zhytemi në një bisedë të zakonshme për udhëtimet dhe rëndësinë e tyre në jetën tonë.

Herë duke folur e herë sytë në telefonat tanë.  Këtë herë shoh se çka ngjarë me foton që postova nga banesa para se të vinim këtu, selfijen që bëra dje me tupanxhiun dhe dy surlaxhinjtë pasi që kisha dalë për të marrë bukë, në furrën ku kam lënë ata dy thasë me miell 25 kilogramësh që na patën ardh në fillim të valës së parë të pandemisë, (pas merakut të shfaqur se mos po mbetemi pa ta, e po ka farë bllokade afatgjatë) e sjellur te bukëpjekësit me rënien e numrit të të infektuarve sipas institucioneve e autoriteteve shtetërore. Tashmë po përballemi me një “ofensivë” të re covidiane. Ndërkohë që mendja të vërtitet te numri i madh i të infektuarve, një shok nga mërgimi të  dërgon në mesengjer një shkrim të dikurshëm me bashkautor mua dhe një shok timin për gjendjen në veriun e Mitrovicës para nja dhjetë a 11 vitesh, por në stinë dimri e me borë. E kjo që sheh seç t’i përzien stinët, por edhe pandeminë globale me çështjet e nxehta e të mprehta nacionale. Pas një hedhje të shpejtë syri,  biseda jonë vazhdon aty ku e lamë, te udhëtimet, te dielli, te deti, te pushimet, te sefaja, te…belaja…

Era vazhdon të jetë këndellëse dhe një muzikë e lehtë jo zëngritur si ajo e ahengjeve ku për të biseduar duhet afrim bashkëbiseduesish duke bërtitur. Ndërkohë njëri nga djemtë sjell një tufë gjethesh të gjelbërta arrash që mbulojnë një pjesë të madhe të tavolinës e  largohet për t’u kthyer me një pendël shpezi në dorë. Këto gjethe janë për ju thotë, e puplën ma ruani se atë do ta shndrrojë në laps që shkruan. Tri orë para orës policore,(tash për tash orari i saj është 5 e mëngjesit 21 e mbrëmjes), nisemi drejt strehimores sonë, rrugës duke parë njerëz hundë-e-buzë-mbuluar, sikurse ne, që janë  duke ecur, duke ngarë veturat a  motorët, një zhurmëshumë, e tjetri zhurmëpa-k-ndier, pasi është me energji elektrike.

Këta biçiklistë, mbase për të ma kujtuar biçikletën e vetme të fëmijërisë sime, BMX-in tim, që e vozisja kryesisht nëpër oborr(dhe ca përpjekjeve të pasukseshme për t’u mësuar për ta ngasur atë me një rrotë, i nxitur nga të rinj që më pat rënë t’i shihja korzos së kryeqytetit, por edhe nëpër lagje, a motoristët fitues,në fund të garës, para cakut, në televizor), nëpër rrugë qyteze, e disa herë pata shkuar me të edhe në shkollë, ku rrinin në një klasë që e mbyllte me çelës arsimtari i Bazave të Arsimit Teknik, dhe na i rikthente pasi përfundonim orët e mësimit… Rrugës së kthimit bëj një foto me  libër në dorë, derisa jam ulur në karriken e përparme pranë shoferit. Në këtë foto që në prapavijë duket një polic i uniformuar e me kapelë në kokë me shpinën kthyer (ca kalimtarë me maska për fytyrë, varur qafës e duarve) fytyrë kthyer kah ne, e të tjerë profilesh të ndryshme seç më shkon mendja te shprehja “dashamirët e  leximit”, edhe si një lloj kritike për fjalën “maniakë të…” që po përdoret me të madhe për lloj-lloj veprimtarish. Sidoqoftë vazhdojmë rrugëtimin nëpër këtë kohë pandemie…

Kalim i këndshëm kohe, jo fort larg shtëpisë

Në këtë mesditë udhën marrim për te vendi që ka kohë që po e quajmë “Te fushat “.  Unë me fëmijët përdore. Gjatë fillimit të periudhës së koronavirusit ky vend u pat shndrruar në një lloj shëtitoreje, në një lloj azili, ku shfrytëzoheshin periudhat e orareve me numra letërnjoftimi. Kishte shumë nga ata që dilnin e thonin, po vend i mirë, e hapësirë çlodhëse për të ecur e kaluar kohën. Këndej s’dukeshin policë, e s’i nënshtroheshe farë kontrolli.

Ka vite që dal këtej, sidomos verës, me fëmijët e vëllezërve, djalin e motrës e fëmijët e mi, herë bashkarisht e herë ndaras. Tashmë “boemët e pandemisë” këtej paksa janë pakësuar.

Kroit që ndodhet, jo fort larg kodrinave të hirit të hedhur të termoelektranave, tash mund t’i afrohet edhe ndonjë punëtor arash, ndonjë mbikëqyrësh parcelash, mbjellur me trupa e fidane pemësh, ndonjë zog, pilivesë…

Nëpër këto “vise” ndodhet dhe një kënetë, një kotec pëllumbash ca punëtori të firmave ndërtimore dhe ngrehina e lënë tashmë sa kohë ashtu, si një magazinë e madhe çatimbuluar e muregjysmëzhveshur prej llamarine. Këtej, në këtë tampon zone të gjelbër ku në njëren anë duket kryeqyteti e në tjetrën kryeqyteza, po vazhdojmë të dalim ndonjëherë. Sot morëm këtë udhë pas mëdyshjeve: po nisemi, po për kah… Harruam maskat por po vazhdojmë hapat. Derisa  shpesh çadrat e kam zakon t’i harroj pasi të kem dalur me to jashtë shtëpisë, nëpër kafene, autobusë, taksivetura, maskën po e harroj e po më bie në mend për të kur po dal prej shtëpie, e kur po has njerëzit tjerë me to. Herë po kthehem ta marr e herë jo, dhe ende se di se ky harrim a paraqet farë vepre penale a jo, bile po përtoj të informohem për këtë problem. Po, hajt se mësohesh dhe me këtë, tha dikush. Sikur kot mundohesh të gjesh përgjigje në vet-pyetjen: ç’është ky dembel-llëk, e ky vullnet-vakët nëpër qenien tënde!  E me na ndal policia, do na dënojnë thotë i vogli për të na shtyer në debatin “rrugaç” (që s’ngjan, e është i tjetër niveli me tv-debatet) mua dhe djalin e madh.

Sido që të mund të na ndodh vazhdojmë rrugën dalngadalë duke hyrë rrugës mes ndërtesave bllokkuqe e të palyera e dritare veshura e zhveshura. Punëtorët vazhdojnë punën, një tufë dërrasash i tërheq për litari njëri vinç që kushedi se nga kush komandohet në këto çaste. Kalojmë rrugën hekurudhore, me telefonin që nxjerr nga xhepi zë një pamje jo dhe aq të qartë fluturimin bukurosh të një harabeli mbi liqenin me grurë kallinjartë. Si gjë të çmuar, si çdoherë me vete kam telefonin, shokun tim të mençur, të cilin e ngopa  mirë e mirë me ushqim-infuzioni elektrik. Dhe sikurse ndonjë piktor që ia mësyen peisazheve natyrore me këmbëza druri, pëlhurë, penel e ngjyra edhe unë mundohem ta shfrytëzoj iPhone-in 5, për të fotografuar e për të shkruar. Të paktën, një udhë e dy punë.

Dielli është i fortë e djeg, ndërkohë dhe fëmijët mund të ta humbin qetësinë ndonjëherë, që siç tha dikush, nëse të bie të kalosh kohë të gjatë me ta s’të duhen kurrfarë ushtrimesh gjimnastikore a farë fitnesi. Nganjëherë tekat e tyre të lodhin shumë psiko-fizikisht. Jo vetëm mosha po e bëka të veten.

Hedh ca rreshta brenda “kutisë magjike” që nxjerr nga xhepi, për t’u lidhur papritur me një fije kujtimi të fëmijërisë sonë, me  atë filmin vizatimor “Sport Billi”, që  nxirrte çantën e tij të mrekullirave, si për të dashur me thënë se po shkruaj, a raportoj nga vendi i ngjarjes  ku po qëndroj me ara gruri e misri, me copra livadhesh të kositura a të pakositura, me fusha dedelinash që majave janë të qëndisura kaltërsisht e me ngjyrë të jargovantë ku për bukuri enden ca flutura pikaloshe të kaltra. Rreth e përqark edhe lloje fluturash tjera krahëverdha, krahëportokallta, krahëbardha, e pikaloshe bardhezeza që fluturojnë e pushojnë,  harabelë, insekte, lule kamomili, ca luledielli, re të bardha të zhytura në këtë kaltësi qielli që pakashumë është mozaiku ku po lundrojmë.

Kalon treni rrugës së tij, pasi është pak minuta pas orës dy, i cili  tremb trumcakët e shkurreve me therra skajeve të binarëve. Si këta zogj marrim një rrugë kthimi duke u ndalur te mustaqet ngjyrë  ari e diku dhe të një kuqrremteje, dhe bëhemi musteqoshë për ca çaste.

Shenjat e variantet e shumta në këtë hapësirë shumëhektarëshe shfaqen gjatë hapave që hedhim, duke lënë gjurmë në kujtesën tonë. E kujtesa mund të kthejë te ara e peisazhe nga vendlindja, a nga fshatra të afërmish, ku kemi qëndruar për vizita a kohë pushimesh. Tash seç më erdhi në mend ky element kujtese, kur përtypnin kokrra të pjekura druri dhe ato u shndrronin në çamçakëz, që i përtypnin, paksa të habitur nga ky zbulim.

Ecim kujtimeve, vrojtojmë.

I afrohem një lulekuqeje të vetme që rri mes një are me grurë që e shoh nga largësia, afrohem te kufiri i arës me grurë, duke qenë larg saj rreth dhjetë metra. Ndalem pak për ta vështruar dhe u përgjigjem pozitivisht thirrjes së fëmijëve: “Hajde, a po shkojmë ma…” Dhe kthehemi. Nëpër këto rreze dielli të forta e me njëfarë lloj energjie që morëm jashtë mureve që po na presin me mall që të kthehemi tek to…

…Dhe në mbrëmjen e sontme dolëm andej kah “fushat”. Me vëllaun këtë herë. Tashmë shumica e arave me grurë ishin korrur, kështu që më pëlqente të hyja sërrnishtave, duke shkelur mbi kallinjtë e kositur dhe të dëgjoja zhurmërimën që krijoja me hapat e mi. Një fluturim i vrullshëm thëllëzash përsëri më bën të mbetem me gishta në gojë, a në maskë më saktë, pa “ngrirë” pamjen e tyre. Më tej, i  afrohem një luledielli dhe gjithë shkëlqimin që ia dhuronte ky diell që po udhëtonte drejt perëndimit, m’u duk se luledielli ma dhuronte mua. E unë kujt do ia dhuroj se… Këso përjetimesh pata  dhe pas vështrimit të lulekamomileve në disa vende. Pas lodrimit sa këtu e sa atje, loza dhe pak me fjalë kësisoj: fort po rrezojnë këto lule për diellin e tyre. Dhe kah kthehemi rrugës shohim mjaft njerëz që kanë dal si këta dy fëmijë që ngasin biçikletat e mbrapa të mëdhenjtë që vijnë pas tyre. Marrim rrugë kthimi, rrugës takojmë një shok tonin që e kemi edhe fqinj, e unë vendos ta zgjas ndejën këtyre anëve me të. Rrugës furnizohemi me kokrra kajsishë, te dy trupa të tyre, njëri themi se qenkan bio e tjetri gjysëm bio, dhe duke shijuar ato, mbërrijmë te një hamullore e djegur, ku dy minj me të shpejtë ikin e strehohen në vrimat që kanë hapur vetë… Aty marrim dhe ca kallinj që kanë mbetur dhe zjarri i ka pjekur dhe pasi i provoj më ngjajnë me shijen e kokrrave të shtalbave. Vazhdojmë rrugën, ngjitemi kodrinës së hirit, mbuluar me barishte të gjata e therrishta për të parë tashmë kryeqytetin e qytezën si në shuplakë dore, e dritëndezura. Ngjitemi dhe më lart, te kjo pjesë e rrafshët dhe e kositur dhe pamja që shohim nga këtu vërtet mbresëlënëse dhe e bukur. Me të purpurtën magjike andej kah perëndimi. Rreth e rreth male e ne dukemi se jemi në qendër të tokës. Vështrojmë rreth e rrotull kah Prishtina e kah Gërmia, për të dalur në Çyqavicë, në Golesh e në Lypeten.  Në qiellin e hapur shndrit hëna me ca yje. Marrim rrugë kthimi dhe shohim një dritë xixëllonje dhe ndalemi për të parë këtë mrekulli që ka kohë që s’e kemi parë. Ecim nëpër këtë qetësi të këndshme nate me fëshkëllimë gjinkallash. Dhe hyjmë në tollovinë e qytezës. Zëmë vend në njëren prej bijave të saj, nën ca kalaveshë të gjelbër rrushi të kësaj kafeneje. E shtyjmë ndejën me të qeshura, është nata e parë kur ka ndryshuar orari i ndalimqarkullimit…

Ndoshta ca shënime të tepërta…

Edhe sot dalim në mesditë. Duke ecur nëpër rrugë qyteze. Veç kur njëri nga fëmijët e vëren një shenjë në njëren nga veturat e parkuara. Ca shenja rruge seç ta tërheqin vëmendjen për t’u ndalur për ca çaste pak më shumë tek to. Fëmijët afrohen ku një në një cep të një veture të parkuar zgjasin duart kah ajo figurë vogëlushi me plis që e shoqëron mbishkrimi  në anglisht: Little Kosovar on Board. Mua më erdhi në mendje statusi që shkruava mbrëmë a parëmbrëmë: Ajo që çdoherë e më shumë po më bie në sy është se janë kah shkruhen shumë e shumë statuse në gjuhën angleze nga shqiptarët. A thua pse?!…Mund të përmend edhe nja dy kafene, një në kryeqytet e një në qytezë. E se dy kafeneve iu avulluan emrat shqip për t’u zëvendësuar me emra joamtar. Njëri në italisht thotë: “Shtëpia ime”, tjetri s’më kujtohet por ka zëvendësuar emërtimin: Syri i kaltër.  Vazhdojmë rrugën me një drojë e një shqetësim më shumë. Zë vend në qoshkun e verandës, fëmijëve  u them të lozin hapësirës përpara që tashmë së fundmi e kanë rrethuar duke ia vënë shenjën lajmëruese se këtu kjo hapësirë mund të shfrytëzohet vetëm nga banorët e këtushëm. Mjaft shkurt e mjaft shqip. Po ne që ulemi në restaurantin e këtij vendi bëjmë përjashtim, apo jemi pjesë e një rregulli të pashkruar. Dhe çdo gjë është në rregull. Një të madhe, i them kamarierit, dhe këtë herë ma sjell makiaton, ka kohë që vendin e tyre e kanë zënë ekspresot gjysmë, shtatëdhjetëshet ose të gjatat. Më vije filxhani me kafe me një zemër qëndisur mbi sipërfaqen e saj, në të cilën hedh sheqerin për t’ia filluar përzierjen e dëgjoj dhe zërat e pëzieshëm përreth, të klientëve, kamarierëve, trumcakëve, fëmijëve, e ndonjë zhurme. Koha kalon edhe me dritë-hije mërzie. Herë-herë vijnë fëmijët për ndonjë gotë ujë, të skuqur fytyrave nga vrapet e vrullet e valles së lojërave ku janë hedhur. Vije koha për të lënë ndejën e lojën dhe e marrim rrugën e kthimit fytyrëmbuluar ku natyrisht krenar që janë të pambuluar qëndrojnë balli e sytë…

E sytë janë pasqyra e shpirtit. Që rrëfejnë për gjendjen tonë, si thonte  dikur një profesor në një klasë shtëpie të shkollës sonë të mesme. Ja ku na hodhën valët te mosha tjetër e pafajësisë, pas fëmijërisë. Ndonëse ke dhe përshtypjen se mosha e jeta mund të shkojë (pa)fajësi pas (pa)fajësie. Mbase jo si përdreq siç e thotë Ismaili te poezia: “Mall”, po si për engjëll, të vije shprehja, titulli a konstatimi se: Ti, shpesh nuk e di se çfarë bën, dhe ai që të dëgjon, e do të të ngushëlloj disi, të thotë: Pse, a është duke e dijtë kush, çka është duke ba, a?!…Njëri nga të rrallët që erdhi me na e uruar Festën e Kurban Bajramit, na tha që një shok i tij, ishte interesuar në një institucion komunal se sa vdekje ka pasur një vit më përpara për të bërë një krahasim, e për të mundur të gjej një lloj përgjigjjeje për pasojat e pandemisë. Sidoqoftë kujdesi le të kultivohet. E të rrugëtojmë pa frikë, pa panikë. Covid 19-shi,  rri në mes Festës dhe pushimeve të verës me kryefjalë detin…

 

Mbresa të bardha nga Shëngjini

 

Nisemi me autobusin e agjencisë turistike që mban emrin e një ngjyre që i përket detit e qiellit dhe jo vetëm. Drejt Shëngjinit për të parën herë. Çdo gjë ecën mirë. Në pikat e kota e të pakuptimta kufitare mes shqiptarëve, me plot vetura e autobusë as që na kontrollon kush. Dalngadalë e mbërrijmë. Gjejmë një strehëz. Dhe dita e parë, kohë për t’u çmall me plazh e det dhe me një perëndim të mrekullueshëm dielli me pak distancë, andej ku mbaron porti i kësaj qyteze bregdetare.

Në ditën vijuese, një ecje mëngjes-hershme vijës ku valët e detit puthen me rërën e plazhës, në drejtim të portit. Te dhiarja gurëhedhur seç takohemi me ca luleverdha, të bukura ku enden dhe ca bletë, te mbishkrimi ende në këmbë emri i këtij vendi, mes zemrës qëndisur me thupra është kacavarur dielli që sapo ka lindur.  Dhe një foto e shkrepur të vetëdijëson se kemi të bëjmë me një copë zemrushe atdheu. Anës tjetër të vijës së plazhit udha është më e gjatë dhe pas një orë udhëtimi do kthehemi se kushedi sa mund të zgjasë e sa larg mund të na shpie…

Në mbrëmje, pas një shëtije në shëtitoren që mban emrin e kryetarit amerikan Wilson, hedhim sytë e këmbët te plazhi  që e ka mbërthyer nata, për  të parë këtë hënë shkëlqimhedhëse e cila pikturon një lum mbi det. Dhe kur kthehemi shëtitores pllakështruar pos bustit të amerikanit dashamirës, takohemi dhe me shtatoten e At Zef Pllumit…

Pas natës në strehëz, dita  e mirë nis në mëngjes, me këta trumcakë që mbledhin thërime nëpër rërë, me ca pëllumba, me ca gaforre sa një pëllëmbë dore që kanë hedhur dallgët në breg. Te gurët pranë detit nën ujin e qetë bredhin ca peshq nëpër alga e barishte si formë kërpudhash. Notojnë, ushqehen, lodrojnë e maskohen…Ndërkohë njerëzit lahen e mrizojnë nën çadra, tregtarët-plazhistë ofrojnë gjëra të lloj-llojshme, më së shumti fruta pemësh: fiq, rrush, dardha, nektarina… Të popullarizuara mbeten petullat e çastit e misrat e pjekur.Enden grupe muzikantësh me def, harmonikë, klarinetë dhe melodinë e tyre tekstin paksa ua ndryshojmë: Hajde ta vallzojna vallen e distancës, deri ku po mbetet kufiri i shqiptarëve. Ndërsa ka dhe ndonjë pushues të rrallë që kalon me maskë. Kalojnë dhe dy të veshur njëri si Mickey Mouse e tjetri si Spider-Man me shoqëruesin e tyre fotograf që joshin fëmijët për një shkrepje si kujtim. Ka disa që lexojnë e njëri librabartës ndalet tek të interesuarit për këtë mall.

Shumë malle, mallëra e halle përzihen si peshqit në fëltere nëpër plazhin e madh.

Vendosim dhe pas propozimit që na vije nga një vendali, ndërrojmë vend, ndërrojmë plazh, duke u “hedhur” te Rana e Hedhun. Me atë që na dërgon bisedojmë rrugës jo më të gjatë se tri-katër kilometërshe. Lezha e Shëngjini janë vende stresi, thotë taksisti. Pse, mos jemi ndryshe ne them unë. Deri vonë ky vend ka qenë i lejuar vetëm për politikanët tregon lezhjani, ndërsa tash po e vizitojnë politikanët tuaj, vazhdon ai. Oh, ishalla s’i takojmë se përsëri do futemi në zonë stresi, vazhdojmë bisedën duke mos ditur se cilët nga politikanët tanë janë më zemërgur e më zemërvrugët. Sidoqoftë mbërrijnë te Rana e Hedhun, vend i cili të bë për vete, shenjat e emërtimit të këtij vendi janë të dukshme e të prekshme, edhe kur ngjitemi kodrinës ranore, edhe pse siç duket nuk dihet koha kur dallgët e kanë “kryer” këtë veprim. Sa bukur këtej det, këtej mal, ballpërballë këto dy  mrekulli të Zotit. Ajo që habit jo pak janë dhe këto lule të bardha që qenkan rritur e paskan lulëzuar nëpër këtë plazh. Ca pika shiu veç ia shtojnë freskinë e bukurinë kësaj dite me valë-dallgë të bardha borë…

E dielli ngadalë ngadalë perëndon duke lënë shenja të këndshme, madhështore…

Nata në qiell ndriçohet nga shkrepëtima rrufeshë të purpurta pa zhurmë e për së kthjellti si thonë të moshuarit.

Mëngjesi tregon shenjat e tij me rërën e lagur si farë sherbeti kur u hidhet ëmbëlsirave. Bie shi, rigon, fryen erë, dhe dielli rrezon butësisht e fortësisht kur zbulohet nga retë…

Ecja e zakonshme deri në afërsi të afron te ata dy peshkatarë që të lënë që me peshqit e tyre të bësh ndonjë selfije si kujtim i këtyre çasteve me vranësi e shi…

Rrugës së kthimit kënaqësi me pa këto re të bardha, këto pulëbardha e dallëndyshe gushëbardha por edhe valë të bardha që po lundrojnë kaq bukurisht nëpër kaltërsi qielli e deti që të bëjnë të harrosh të gjitha qoftë edhe për ca minuta…

Kalon edhe një ditë, edhe një natë me erë e shi…

Lufta me vranësisë dhe kthjelltësisë përfundon me fitoren e kësaj të dytës dhe qielli kaltërohet ngazëllyeshëm, malet e pishat përreth shkëlqejnë gjelbërueshëm.

Dita e tjetër me larje në det, me ecje, me shijim të çasteve që na kanë mbetur nga ëmbëlsia shëngjinase ku mbushëm shportat nga të mirat e tij…

 

Qëmtime nëpër qytezë

 

Pas një rruge kthimi ku kisha për ta kryer një punë, një obligim timin familjar, dredhoj ca rrugëve e rrugicave të qytezës që udhëtimi im të zgjas. Te një mur shtëpie, te pjesa e jashtme e tij shoh këto lloj lulesh që më kthejnë te disa fije kujtimesh, atëbotë, në fëmijëri. Te shtëpia e parë veshur me tulla fasade(që më vonë pat mbetur si shtëpi në mes dy shtëpive, të pronave ku jetonim…) u patëm vendosur pas zhvendosjes nga ajo lagje kryeqyteti në qytezë. Janë fije sa thupra e të gjata sa kallami që  “mbajnë” lule mjaft të mëdha e të hapura me atë “sythin” ngjyrë verdhë në të kremtë ku shpeshherë aterojnë por edhe pudrosen bletët. Por edhe anzat e grajzit ndonjëherë. Atëherë por edhe tash. Ngjyrat e luleve varësisht prej farave që janë mbjellë, (fara këto ngjitur për kërcelli të tyre, rrumbullake, si pulla të mëdha xhemperësh, veshur me një kapak të gjelbërt, ku i zhveshnim herë-herë pa farë qëllimi dhe i hidhnim, këto fara të ngjashme me ato të specit…) të kuqe, të kuqe të ndezura, të bardha, të kremta, të jargovanta. Mbas sa bletëve kemi parë, prekur e vrapuar, saqë ndonjëra nuk na ka lënë pa na pas thumbuar duke na nxjerr në sipërfaqe vajin. Tashmë pamje të tilla janë mjaft të rralla e dikur me to stoliseshin shumë oborre shtëpishë. Për to, këtë herë kaq, dhe po vazhdojmë të hedhim pothuajse kuturu edhe ndonjë hap, periferive në të cilat me hapa të shpejtë po u afrohen ndërtimet. Afrohemi të një mur tjetër bllokkuq dhe mbështetemi për tij, pa ndonjë qëllim të caktuar, mbase diç tjetër për të kujtuar nga koha e shkuar. Dhe tashmë sikur po na pëlqen të mbështetemi për muresh. Udhës na del para një mur me blloka të hirtë e hijerëndë të betontë mbi të cilin qëndron kjo hardhi rrushi, degë e kalaveshë të saj kanë dalë dhe pjesës së jashtme të tij. Edhe muret me blloka të tillë kanë qenë mjaft të popullarizuara si vendeve rurale dhe atyre sadokudo të urbanizuara. Bile ky mur paska dhe ca shenja grafiti që kushedi mund t’i këtë shkruar Graniti. Sidoqoftë zgjasim duart kah kalaveshët e këndejshëm dhe rrugës na del përpara dhe një magazinë a punëtori që kushedi a është funksionale dhe a shfrytëzohet për ndonjë gjë, me blloka të bardhë, pa vrima si dy llojet e bllokave që përmendëm më lart dhe të cilët vëhen njëri mbi tjetrin me ngjitës të hollë betoni. Edhe këtu një selfije dhe vazhdoje rrugën prej banese duke u kthyer një kthese tjetër kujtimi, me ecejake nëpër jetë, kohë, botë.  Disi pak para se të përfundoj orari i lejuar, po shohim dhe këtë “koritë” metalike me hi dhe gaca që vazhdojnë të digjen, dhe pranë saj thesin e mbushur me fletë misrash që u poqën deri para pak çastesh. Një blerës është klienti i fundit për sonte, duke zgjedhur e “rrëmbyer” kumbulla e ekspozuara në këtë supermarket që po i vëhet dryni. Vetura policie enden për të parë e për të tërhequr vërejtjen për zbatim masash. E brenda mureve bëj me viber ca telefonata të shkurtëra e të gjata me të afërm, miq e dashamirë të afërm a të largët. Caktojmë një takim që realizohet me njërin prej shokëve as të luftës e as të paqes, por të pandemisë, e rrugët degëzohen, njëri në drejtim të banesës e tjetri në drejtim të shtëpisë, pas kafe-llafeve nëpër tri a katër lokaleve me maska të vëna duarve ose mbi tavolinë. Duke marrë me vete gjithë ato fjalë, duke hedhur valle nga tema në temë, nga halli në hall, nga derti në dert. E herë-herë duke vënë në pah dhe shenja lodhjesh nga tejzgjatja e ndejes, ndonjë element paknaqësie, mburracakërie, madhështie e ironie, si për të na u kujtuar një thënie që po thonë se është e popujve të lindjes dhe këtë herë po i japim trajtë shumësi: “Mos të bëhemi kaq të mëdhenj se ne nuk jemi kaq të vegjël”.

Dhe kur kthehemi strehëzave ca përsiatje me vargje mbase përmbledhin këtë lloj gjendjeje të tashme:

Ca çaste vetmie
Ca çaste zbrazëtie
Seç të mbërthejnë
Dhe të tillë mund ta kesh një ditë
A ca ditë
Në këtë verë
Sikur në çdo stinë

Dhe vijojmë me tjera mëngjese, me tjera ditë, me tjera net, herë në qytezë e herë në qytet. Fillova ta lexoj një libër që bleva dje, (po bëhen tri libra që i kam lexuar deri kah gjysma)që për të po shkruan në kopertinë se në bazë të këtij romani tashmë është realizuar dhe një film.  Sytë hodha dhe të tri fotografi të mia, njëra si fillorist, tjetra si gjimnazist, e treta si student…O jetë, o kohë… ti rrjedh, unë bredh, bjerr.

Ndërkohë  një ngjarje e rëndë ndodhi, ca valëve të pakëndshme na hodhi…

Dhe pëshpërisim: O Zot, ndihmona sot!

 

Një ecje e ëmbël

 

Duke ecur nën këtë qiell të kësaj të shtuneje as fort të kthjellët e as fort të vranët, e që nga mbretëria e tij herëdokur mund të fillojë shiu, hapat “trokasin” lehtas e pa zhurmë nëpër trotuarin vijëdrejtë të rrugës kryesore që të shpie në kryeqytet, në dy anët e rrugës me objekte biznesesh, punëtorish. Dikush ecën me fëmijë përdore, ca ngasin biçikletat, dhe ca roje lokalesh lëvizin andej-këndej. Afrohemi skaj një dyqani të vogël, rri ku trup dardhe që është përplot kalaveshë të këtyre frutave picigate. Dhe ca çaste te kjo dardhë “urbane” të largojnë nga rrëmuja, ndërkohë që makina e autobusë qarkullojnë, sot më rrallë. Rrijmë edhe pak, sikur të lutet ky dru frutor, edhe pse diku në një cep të lokalit sheh njoftimin: Kujdes se ky objekt vëzhgohet nga kamerat. Vazhdojmë rrugën me ca ndjenja ëmbëlsie duke këputur një kokërr dardhe me bisht e me gjethe. Kthehemi te kthesa që na shpie te zona industriale  ku nën njërën këmbë gjigande të urës së autostradës një vogëlush qëndron dhe pret myshterinjtë me ato katër-pesë gajbe me rrush të zi e të bardhë, apo më mirë të kaltëremtë e të artë. Ecim tashmë  rrugës së gjerë e pothuajse të zbrazët, aty-këtu kalon ndonjë automjet e ndonjë veturë autoshkolle, aty-këtu ndonjë lokal hapur, si kjo gjelltore e ky sallon makinash luksoze, e objekte biznesesh disa prej tyre jofunksionale, mbuluar e zbehur nga pluhërimat e kohëve, e ndonjë që sapo paska filluar të ngre kokën lart. Pas trotuarit  mbi ca tela armature e kësaj pëlhure të gjelbërt të mbyllët gardhore rrijnë ca trumcakë si të ishin duke bërë farë provash akrobatike, dhe të cilët largohen sapo na shohin si duke ruajtur farë sekreti, për t’u kthyer sapo të largohemi. Afrohemi deri pranë objektit me tabelën që njofton se kjo është shkollë profesionale e shtetit në formë të çizmes së gjatë, sikur atyre që vishen kur ka vërshime, dhe këpusim një kokërr molle dega e së cilës ka dalë përtej rrethojave grilbardha duke parë trupa tjera mollësh në oborrin e këtij objekti. Fluturojmë “trumcakisht” deri në fund të rrugës dhe kthehemi për të u kthyer te rruga që na shpie për te “pazari i kerreve” që është i zbrazët, dhe ka kohë që nuk hapet shkaku i pandemisë, ose mund ta kenë zhvendosur, kushedi… Ecim. Në shtegun që na shpie te një qendër e madhe tregtare, nëpër këtë rrip udhe, nëpër ca degë të larta shohim këtë zog të zi e pikalosh, që pasi e fotografojmë ik me të shpejtë dhe sikur na bë me dije se do të na padisë për këtë foto të paautorizuar nga ana e tij. Derisa rripit të hollë me bar rrinë gatitu ca trungje drunjësh e pishash, pas rrethojës metalike duken gjithë këto lozë manaferrash, që kanë mbuluar një copë të madhe sipërfaqeje, shumë  prej tyre të pjekur dhe të pluhurosur e menjëherë pas tyre, si për të na zhytë në ca valë rrëmuje rrijnë këmbëkryq këto  automjete të vjetra që janë duke kaluar kështu pleqërinë e tyre të thellë, një rrotë në dhé, një mbi dhé. Dalim te parkingu i madh i betontë i kësaj ngrehine ngjyrëkuqe ku hyjnë e dalin konsumatorët, lë fëmijët te këndi i tyre i jashtëm i këtyre lojërave. Ulem në një ulëse druri pranë një trungu druri, dhe rrezet që bien mbi të e ndriçojnë këtë skenë, ku shumë buburrecë ngjiten e zbresin trungut, para e mbrapa, poshtë e përpjetë duke vazhduar alpinizmin e tyre edhe nëpër degët e tij. Siç thotë një shok imi këto “vogëlsira” që pak po i shohim, e vazhdoj të rri, këmbën mbi këmbë duke parë këto lëvizje të këndshme, që tash po më kujtohet se ndonjëherë të tilla ma kanë tërhequr vëmendjen edhe në oborrin e fëmijërisë, para shtëpisë… Rruga e kthimit këndej kah erdha, do na gjej përsëri nën dardhë, pas ca blirëve që lëmë pas. Do dalim në anën tjetër të rrugës për t’u ndalur te një hapësirë gjelbëroshe sa për të vizituar katër pesë trëndafilë te katër gëmushat e tyre, njëri prej tyre duket për mrekulli, aromëdehës. Kur dalim nga këtu, s’kemi si mos të afrohemi te rrethoja e jashtme metalike për të cilën rri varur një lozë me kalaveshë ngjyrë-artë rrushi, si për të na bërë të ditur se ecjen duhet ta vazhdojmë me hapa të ëmbël, sado që po dëgjojmë të përmenden lloje pandemish nëpër tranzicionin e egër… Dhe këtu ku gjendemi tash, një anzë vërtitet e është kapur në lugën që qëndron pjerrtazi në gotë, e sikur përpiqet ta tërheq atë për të marrë pikat e fundit të lëngëta të akullores së mbetur. Ec e ec, sa të mundemi ta shtyjmë me ëmbëlsi lëvizjesh, edhe tash kur dielli djeg,  duke parë këto flutura që duket se po presin shiun, sikurse ne, mbase për të gjetur ndonjë strehë…

 

 

Muzg dhe natë shiu, zdritur prej vetëtimash

 

Është muzg dhe dal në ballkonin e banesës sonë. Doja të dilja për të ecur pas një ftese që mora, por e lamë këtë punë, këtë herë, jo për arsye të këtij shiu që filloi. Marr me vete dhe një tavolinë të vogël rrumbullake, ngjyrëkaftë e këmbëzezë këmbëkryqëzuar që palohet, për arsye më të lehtë përdorimi, dhe marr kafenë që vloi mbi pllakë shporeti. Nga ballkoni xhammbuluar tejdukshmërisht, njërën nga dritaret e tij hap, si për ta kujtuar Lorkën dhe fëmijën që ha portokaj, shohim këtë lum automjetesh por edhe ata dy vetë duke ecur nëpër trotuar. Semaforët ndërrojnë ngjyrë si për t’u dhënë leje vetëtimave që ndrisin qiellin e ndonjëherë shoqëruar me ndonjë vijë të përdredhur rrufeje. Derisa vetëtimat i “kapim” me aparatin telefonik, rrufetë dy-tri sosh, vertikale që prekin tokën, dhe ndonjë horizontale që rri si farë litari akrobatësh në qiell, i zë vetëm blici i syve.

Kështu ndodhi edhe parmbrëmë, natën, nën hijen e një arre të madhe, te lokali “Shpija e vjetër” jo në kryeqendër, po në kryeqendërz po të emërtuar joshqip në gjuhën më të popullarizuar të globit, sot. Kur shiu paksa pat pushuar, u çuam edhe ne duke lënë njëren nga ato dy macet, duke u ngjitur trungut e degëve të lagura të arrës. Pasi po shijoj tash kafenë “ballkonike”, marr dhe “krojshen” me manaferra që erdhën si dhuratë nga fshati, që duken si diamante të zinj shkëlqyes.

Vështrimi i vetëtimave e rrufeve më nuk t’i sjellin ato ndjenja me ankth, makth e frikë mbështjellur me mister si dikur në fëmijëri, ku familjarët lexonin ndonjë lajm nga gazeta për vdekjen e ndonjë bariu, a lënien në vend të deleve, a bagëtive të tij. Kjo na kujton dhe tregimin e Ernest Koliqit: “Hanë gjaku”, kur gjatë një ecjeje, natën vonë, kur e dashura e detyron të dashurin të tregoj për trishtimin që e kaplon pasi e sheh hanën e verdhë me do danga të kuqe. Ai i tregon se gjërat që po sheh tash, po i sheh më me ftohtësi dhe jo më me atë gjallërinë si i shihte në fëmijëri.

Ankesat tona, mbase jo vetëm në kërkim të kohës së shkuar, por të zbehtësisë së ndjenjave, të mpirjes, të ftohjes së tyre, sikur s’kanë të mbaruar.

Sikur jemi në kërkim të rilindjes së tyre. “Ma pak kemi pas, e ma shumë jemi knaq”, themi unë, ti, ai, ajo…, si të zhytur në do vorbulla vetijakizmi si për të na sjellur ndarjen në copa të ndonjë ftoi të ruajtur për ditë më të ftohta të gjysheve tona. E tash? Nëpër labirinthin kompleks të një kësaj kohe, që u mboll shumë dëshpërim dhe drojës që do korrim fryte rrënimesh me pasoja afatgjata. Por pa humbur shpresën se mundi i vepërmirëve s’do të shkojë kot, e do arrijmë rrugën e ndiçimit për ta mundur errësirën.

Paksa jemi kapluar nga malli e melankolia. Dhe të tillë mund të na gjej dita tjetër. E cila vjen. Dhe endet si ky trumcak që rri në luhajën e zbrazët i këtij këndi lojërash. Ose që tash rri në cepin e drurit të cilin e mbajnë rrathët metalik, ku tash në këto çaste mungojnë fëmijët, të cilët do shkonin lart e poshtë. Bilbili duket se flet me trëndafilin që ka pranë. Dielli nëpër re zhytet, kryshytet  e del e rrezitet duke na ngrohur edhe ne. Një erë e lehtë freskuese shpupurisë jo vetëm fijet e barit. Dielli djeg. Shtrirë në bar nën ulësen e drunjtë rri e përmbledhur çadra ngjyrëzezë… Helikopteri lart s’ndalet për ta dëgjuar teshtimën që jehon, e kushedi se kah po shkon…Largohemi sikurse ai, me ca mendime që na vërtiten kokës.

Në fillimet e saj s’besuam aq në covid 19, ose na u duk se do të kaloi si gripi i shpezëve, i kafshëve, e ai, i derrit, më vonë menduam se ia hodhëm, e tash sikur kemi hyrë në një valle paparashikueshmërie. Ateroi nata e re, pa vetëtima e pa shkarkime rrufeshë. Vazhdojnë ecejaket pandemike. E në pamundësi për një arsye ose tjetër, me anë të telefonit, dikush bëhet pjesëmarrës ‘online’ i një dasme…

 

Ecje e freskët nëpër Lumin e Shalës

 

Herët në mëngjes dalim të presim autobusin që do na merr me vete dhe të cilin do e ndal shoferi, te vendi i caktuar, jo fort larg strehëzave tona. Dielli lind e ecën ngadalë dhe mbërrin fytyrëkuq sapo mbërrin te porta që mban semaforët, e ngjan si atleti i vetëm që pritet ta fillojë garën maratonike. Vije e ndalet autobusi, hipim e përshëndetemi me buzëqeshje nga shoferi dhe konduktori, dhe atmosfera është e këndshme, e lehtë. Dhe vazhdon përgjatë udhëtimit. Dielli tash ka ngritur kokën lart e djeg kur kemi mbërri te dy pikat kufitare kot fare të Qafës së Prushit. Mbi ngrehinat e përreth tyre pothuajse të zbrazëta enden harlisshëm dallëndyshe e pëllumba. Dhe vazhdojmë duke soditur natyrën ajërpastër derisa mbërrijmë te bregu i Fierzës për të hipur nëpër barkat metalike me motor, dhjetë a ca metërshe me të cilat do t’i biem mespërmes liqenit të qetë mbrojtur nga krahë bjeshkësh të gjelbëruara e shkëmbhirta që anon më fort kah e bardha. E disa maja të tyre duken si re, a si borë e pashkrirë ende. Rreth një orë e gjysmë zgjat ky udhëtim mbiujor panoramik me dëshirën që gjatë tij të mos shohim asnjë shishe a bisht të fikur cigareje. Enden gjallërishëm ca dallëndyshe mbi kokat tona, dhe zhurmërima e barkës që lë pas një vijë të bardhë valore e shkakton ca valë të lehta, i tremb në dy vende ca shpezë krahëmëdhenj e qafëgjatë ngjyrë kaftë që humbasin së shpejti. Sapo mbërrijmë nga bregu në breg, fëmijët që ndodhen në këtë barkë bëhen lajmëtarët e lajmit të gëzueshëm me fjalët: Erdhëm, erdhëm. Nga barka zbresim një nga një. Dhe vazhdojmë duke u ngjitur lumit përpjetë. Është një përqafim i ngrohtë malli, shumë nga ne jemi këtu për të parën herë. Urat e drunjta që janë vigje të bukura veç të bëjnë të ndihesh edhe më mirë. Këtu takojmë një çift të mrekullueshëm bashkatdhetarësh që kanë ardhur nga Gjermania për të kaluar pushimet në Alpet Shqiptare dhe ndahemi me ndjenja gëzimi, duke thënë e ndjerë se bota ka bukuri gjithandej dhe kjo është njëra prej tyre që duhet ta çmojmë, e se bukuritë e natyrës “nuk kanë brirë”. Një cjap i kuqërremtë fshihet  pas një gëmushe që ka mbirë mes gurësh, sapo i afrohemi, fort larg shtratit të lumit, ndërkohë në një dru, në bregun tjetër të lumit piqet në hell një kaproll, siç shpjegoi, ai që e rrotullonte. Skaj shtratit të lumit të kristaltë puthitur për brigje bjeshkësh nga kërcimorja e ndërtuar këndshëm e thjeshtësisht, hidhen e lënë gjurmët e tyre kërcyes të shumë. Uji i lumit është paksa i ftohtë, por sapo ta provosh është një ftohtësi që të tërheq e nuk të lëshon aq lehtë. Pushues të shumë shijojnë këto çaste diellditëndezur nëpër plazhën lumore, për t’u freskuar sapo vapa t’u bie në kokë. Ca zogj por edhe peshqit që duken gjatë ecjes buzë lumit, janë të shpejt e të zhdërvjellët dhe ruajnë privatësinë e tyre, pasi ikin sapo që t’u afrohesh. Pak më lozonjare janë fluturat dhe pilivesat me ngjyrë të kaltremtë metalike. Ca lule të verdha mbirë për shkëmbinjësh sikur meditojnë për lumin që rrjedh. Duke u ngjitur lumit për kah rrjedha e tij, një peshkatar që ka zënë pozitë në një faqe mali dhe ka hedhur grepin në lum, thotë se kryesisht këtu rritet e gjallëron trofta dhe është në pritje të saj. Mund të vazhdoni rrugën na thotë edhe për nja njëzet minuta, veç a keni kohë. Vazhdojmë rrugën nëpër gurrën e bardhë e vende vende lahemi ku në thellutat e ku në cekëtësinë e lumit ujëkristal të tejdukshëm që anon kah një kaltërsi e lehtë, e këndshme. Mbërrijmë deri te aty ku duket se përfundon rruga dhe kthehemi sa takojmë ca gurë të mëdhenj si shkëmbenj duken lumit si farë postblloqesh identifikimi e kthehemi për ku ishim pas nja një udhe ecjeje të freskët, me hapat tanë shllapa-shllupa pasi hapërojmë me sandale. Kthehemi nga erdhëm, përsëri edhe nëpër këtë liqen që “dremit” si e thotë kaq bukur Lasgushi. Dhe freskinë bukuroshe të “avanturës” së sotme e ndjejmë më fort kur iu kemi larguar lumit që e kemi kaq larg e kaq pranë…

 

Meny e ditëve që sapo shkuan

 

Jeta rrjedh si lum fjalish që ku do na hedh se çfarë na sjell kushedi, ku ta dijsh. Dhe ca shënime personale me pak rreshta e ca fjali po i thur për vete e për ju, sa më qartë e sa më shkurt.

Fillojmë me një piknik familjar me fli e prodhime të zgjedhura vendore nën hijen e mollës së egër në mes lugut të gjelbër të Gërmisë e cila si fqinje ka dardhën jo të butë, kokërrvogël, së cilës  rrethepërqark trungut i rri e varur kjo tavolinë e drunjtë.

Ndeja  kafeneje në ca prej të cilave si gjahtarit me zagar i bien në kurth,  dy poezi që postohen në facebook të  ilustruara me shkrepëtima fotografie, që më vonë mund të shërbejnë si përjetime estetike, po edhe si kujtime nostalgjie.

Copëra loje futbolli parë në telefon pasi që brenda lokaleve s’mund të ulemi për të parë në televizion, e mbase kështu e thotë ligji për pandemi, për kafiteri e gastronomi.

Takime, ecje nëpër rrugë qyteti e pritje në stacione duke folur për konkurse e projekte që na dalin në udhë, përpjekje, prova duke u mbështetur në punë, fat e sukses, për ecje përpara lidhur me besa-besë.

Një udhëtim i shkurtër me tren nëpër hekurudhën tonë që po e ha ndryshku me gjithë tranzicion që po kutërbon e tërbon, po ç’t’i bësh, s’ke ku e çon, s’ke as se si e rregullon, por ëndërron e imagjinon.

Një muzg me hënë që duket si bukë pogaçeje a simiteje siç bëjnë e mund të bëjnë krahasime poetë e shkrimtarë, e cila  largon pak trishtim duke të kthyer te poezia e dikurshme sikurse edhe te një  gjumë i ëmbël fëmije me një libërth përrallëzash dhe një kutizë bonbonesh mbi krye, dhe kjo pamje të duket si një ilustrim ëndrre që është duke e parë tash.

Hedhje hapash nëpër natë, e “rrëmbim” shtalbash, pasi që edhe pak do përfundoj sezona e tyre për këtë vit, nëpër rrugën që sivjet nuk u mbyll për shkak të numrit më të paktë të bashkatdhetarëve, për arsyet e ditura globale.

Shijim i vojsave të vockëla  që ta çojnë mallin  pakashumë me dardha të dugëta, dikur fshehur në qilar a rreth një mullari me kashtë, që  t’u servuan si mysafir dhe ca të tjera që t’i dhanë si dhuratë për t’i marrë në shtëpi.

Dhe për mbirjen e meny-ve digjitale nëpër restaurante, si formë e re mbrojtjeje anti-covidiane.

Për marrëveshje e zotime e obligime në Shtëpinë e bardhë që koha do na tregojë shpejt a ngadalë se çfarë mund të dalë, edhe nga takimet në Bruksel ta shohim se çka po del…

Druhemi për mbrapshti ndonëse shpresojmë për mbarësi në gjithë këtë katrahurë opinionesh. Me një barcoletë po mundohemi me ba gjendjen ma të lehtë. Dëgjova për këtë pas bisedës me një shok, se edhe ai e kishte me të dëgjuar. Duke biseduar diku në një kafene, menjëherë pas lufte se kur do të bëhet mirë në Kosovë, një anglez a amerikan me punë në vendin tonë, kish pas thënë se pas 30 vjetësh këtu do të bëhet mirë. Bashkëbiseduesit e kishin kundërshtuar. Ai ua kishte kthyer, unë seriozisht mendoj se pas 50 vjetësh do bëhet mirë, ua hoqa njëzet vite, që po më duhet t’ua shtoj. Sipas kësaj logjike edhe 30 vite do bëhet mirë.

Mbas një dekade dorëzova në postë dokumentet e mia personale për t’i ndërruar. Para një muaji letërnjoftimin e sot edhe pasaportën. Letërnjoftimi më thanë nuk e dijmë se kur mund të vish ta marrësh, mbase andej para ose edhe pas vitit të ri, për shkak s’kemi brumë për gatimin e tyre po  na thonë ata të ministrisë, për pasaportë të njoftojmë me anë të një porosie që do ta dërgojmë në telefon, më thanë paksa me përtesë dhe përtova të dëgjoja informata shtesë.

Ec, o jetë, o jetë, o jetë edhe  me këto fjali që tash për tash përbëjnë aktualitet derisa fëmijët luajnë te kjo hapësirë me kënde lojërash që kanë hyrë në pleqëri të thellë (e po shkërmoqën dita-ditës) ku një i moshuar zë një vend aty dhe mban sytë mbi një libër, pasi afër vetes ka parkuar, të tijën biçikletë…

 

 

Kalimthi nëpër një grumbull ditësh

 

Vjen edhe një shtator siç e thotë poeti me erë molle e mbi qerre me rrush. Shtatori i fillimvitit shkollor, që sivjet nuk filloi me datën një si zakonisht, po me 14. Oborret e shkollave “pushtohen” nga prindër, nxënës, mësimdhënës, policë. Me maska kundër viruseve të padukshme. Zhurmë, britma, rrëmujë. Dhe ca paradokse pandemie. Tash në një klasë mësojnë nga njëzet nxënës, aq edhe sa duhej të mësonin. Kryeneçësia jonë pra mori ca shuplaka e cila pret të zhduket virusi për të vazhduar avazin e vjetër. Tash për tash s’po përmendim ndonjë paradoks tjetër përveç se po presim çka po ndodh më tej.  Nja tri-katër ditë para se të na lë lamtumirën ky muaj marrim pjesë në një panair me libra të rrallë, të vjetër e të përdorur, që mbahet në oborrin, në pushimoren e Institutit Albanalogjik të Kosovës. Aty për të rrijnë tre veta, njëri prej tyre që e njohim, shkrimtar i ri e i talentuar, të cilit para se t’ia dhurojmë nga një libër nga çantat tona, bisedojmë përderisa edhe vërtitemi rreth kësaj sofre mbushur libra. Nja dy libra jo dhe aq të vjetër ndonëse duken të përdorur “grabisim” para se të ndahemi e përshëndetemi. Njëri është libër për fëmijë i një autori vendas por që ka mërguar e jeton e vepron diku në një shtet skandinav, e tjetri një autor joshqiptar i një shteti fqinj me të cilin na ndan deti. I pari libër flet për lojëra, imagjinatë, lule, kopshte ku bredhin fëmijët, i dyti për një gazetar e shkrimtar që udhëheq faqet kulturore të një gazete në prag të luftës së dytë botërore dhe pështjellimet e mëdha të kësaj kohe. E koha ecën. Pas nja një jave marrim pjesë në një promovim libri të shkrimtares që i ka kushtuar librin djalit të saj që ka ndërruar jetë. Mblidhemi në kafenenë në Ulpianë te sheshi “Isa Boletini”. Marrim librat me nënshkrim dhe ia dhurojmë nga një libër e pastaj fillon ky promovim pas lehtësimit të masave kundër-covid XIX, derisa nata ka shtrirë mbretërinë e saj. Moderatori dhe shkrimtarja flasin për dhembjen, vuajtjen dhe përjetimet që përmban libri. Pas takimit me të pranishmit, edhe ky aktivitet mbaron, me shpresë se do marrim veten pas kalamendjes së përgjithshme tash sa kohë shkaktuar jo vetëm prej pandemisë. Dhe po përmendim dhe një lojë të përfaqësueses së Kosovës dhe edhe një paradoks pandemie. Keqardhje për shikuesit që lanë të zbrazëta tribunat, por mirardhje për politikanët që të paktën s’po mund të ulen në ballë të tribunave, si në ballë oxhaku. Plus pështjellimi turbullues për mosardhjen e disa lojtarëve nga ekipet ku luajnë, për të luajtur për shtetin e tyre. Nga sporti e sportet fisnike vazhdojmë  me një aktivitet tjetër kulturor. Një panair libri të hapur në sheshin e një qyteti, jo fort larg malit e majes së Lypetenit. E klubi letrar me emrin e rilindasit arbëresh, atë të Jeronim De Radës na bën nder duke vënë librat tanë të parë në dy stendat e tyre. Ndjenjë e mirë me marr pjesë në panair, tash edhe me librin tënd. Me ca shokë vizitojmë dhe panairin në qendër të këtij qyteti, brenda një vargmali tendash. Dhe kalojmë sëbashku një ditë rekreativo-kulturore duke vizituar edhe bifurkacionin e Nerodimkës, aty ku funksionon edhe një restaurant. Kthehemi në qytet, pas ndejës në një kafene, përsëri në panair, para se të mbyllet, një bisedë, një shkëmbim librash. Pastaj përshëndetemi me mirupafshim e takofshim. Shpërndahemi sikur të fillonim të luanim fëmijërisht fshehtas. Udhëtojmë nëpër këtë natë me përjetime të ditës së sotme dhe me librat që bartim me vete…

 

Jeta po na shkon

 

E kemi veç një jetë në këtë botë. Dhe kjo po na shkon për faqe… Për çfarë? Për faqe të kuqe si molla në degë. Ose për faqe të portokalltë si mandarinë në rremb. Faqe për faqe, fletë për fletë, sa për… Sidoqoftë po ec.

E ne po moshohemi. Po lodhemi. A ja nise përsëri ti, a? Pse jo? Ndonëse…veç sa për të kaluar paksa kohën, siç përgjigjesh në ftesën e ndokujt. E një të njohuri. E një të… Tu paska dhënë sot, t’i lësh fjalitë në gjysmë. Sidoqoftë jeta shkon e vazhdon. Si kjo ndejë e turbullt. Me karrike që na mbajnë ne e që ua hedhim supeve xhaketat tona dhe që mbajnë nga një maskë në xhep, që do na duhen sapo të dalim përjashta. Ndeja të reja me llafe të … Përsëri… shoqëruar me kafe, çaj e ëmbëlsira. Ndërkohë vjeshta endet udhëve, herë e vetmuar, herë bashkë me ne. Qysh e thotë edhe kanga e Genc Salihut: “Rrekju rrugëve, vynë me dalë, me u çu, Vjeshtën m’e nxanë e m’e shkundë…” Dalim e takojmë stinën paradimërore në  shoqërinë e ca punëve që tejzgjaten pa farë arsyetimi, mbi të cilat shkelim e shkojmë. Ja, këto pllaka trotuari, që të lënë shije të hidhur dhe fjalia në të cilën pajtohemi është: kështu nuk punohet. Diku pak më tej ndeshemi me punime të tilla e njëri nga punëtorët hedh pllakat mbi gurët e bardhë edhe duke parë në telefonin e tij, e i cili s’ka faj. Ai sikurse ne sikur e di se janë ka punojnë veç sa për me u pa. Pa inspektorë e kontrollorë mbi krye. Qe sa kohë e dimë e jemi mësuar, se ata ku duhet të jenë mungojnë…

Plus(a minus, pikëpyetje a pikëçuditëse) përsëri po përmenden zgjedhjet e reja, që mbasi janë të parat në epokën e pandemisë, s’kanë si të mos jenë historike, ndonëse historike më duken këto çkapuritje, që do ta meritonin çmimin Nobel a atë të Ginisit për tejzgjatshmëri.

Vazhdojmë nëpër krye-qytetin e prashitur, me punët që do të duhej të ishin kryer qëmoti dhe në të cilat do të duhej që të mbetej vend vetëm për riparime sipas nevojës e jo arnime të përvitshme, me gërmime, gërryerje e ç’krryerje që ngjajnë me pantollona të shqyer e të shlyer e qe besa po vishen me të madhe nga një pjesë të rinjësh. Uh, çfarë krahasimi. I bezdisshëm, a…? Më duket që ishim duke folur për tallava  punime. Po…

Një mur i llamarintë që është ngritur së fundmi, për krijime parkingjesh. Dalshin për mirë e për mbarë. E nuk e dimë a do ta zbusin paksa kaosin. Ta bëjnë pambuk, thuaj. Pambuk sheqeri të shkrirë, si kjo shtëllungë e tillë reje në duart e këtij fëmije.

Po flitet edhe për sistem nëntokësor kablosh elektrike, e vende-vende po duken gjurmët e punimeve të tilla. Kur jemi te to, s’kemi si të mos e përmendim edhe një heqje të njëres prej shtylles elektrike të lagjes sonë. Punë që zgjati nja dy-tre muaj. Shtylla u hoq, puna ende s’është kryer, ende ka mbetur rëra e palarguar ende nga aty, edhe gropa që është betonuar, nuk është mbuluar e gjitha. Një fotografi do ta dëshmonte këtë që folëm, po kujt do t’i drejtohej, e kush do ta dëgjonte këtë dëshmitare të heshtur?  Një drithërimë e një rrëqethje të kaplon e kalon…Ta lëmë edhe këtë, ta lëmë, pasi pritjet tona s’po kanë fund.

Jemi edhe në pritjet të ndonjë vale të re koronavirusi, përsëri një valë e re shkarkimesh e ngarkimesh, një valë e re lojërash. Kurrë s’po mbarojnë temat e mëdha. Veç po kqyrim seri serialet që s’mbarojnë, e veç kur të dëgjojmë e shohin ikjen e ndonjë prokurori që do të interesohet se kah sa është shitur një ari  i tokës flori të Kosovës. Hajgare po bën a? Po, me veten, ndonëse edhe në këtë fushë, shpeshherë s’po mund të përqëndrohem. S’po mund të…koncentrohem. Tash pak më mirë me disponim. Pasi jam ulur në një verandë kafeneje. Pranë një pishe. E duke u rrezitur nën këtë diell vjeshtak që siç duket po më furnizon me vitaminë D. Dita ecën. Papritur të vjen një copëz jete e kaluar, andej kah fëmijëria, kur ne fëmijët patëm marrë një aksion për t’u furnizuar në bodrum magazinën, furnizuesen e dyqanit familjar, duke marrë lëngje vendase me pipëza të “Erenik”-ut. E shoh veten si pjesëmarrës, ama organizatori mbetet i panjohur.

Kaq për këtë copë kujtimi. E kaq për këtë copë shkrimi, me ecejake e kaos koke e vjeshte të vitit njëzet-njëzet…

 

Mjedis i ftohtë ku vazhdojnë përpjekjet

Kohëve të fundit kanë nisur të duken edhe mjegullat. Ndonjëra shfaq fytyrën e saj në një mëngjes, ndonjëra edhe në ndonjë pjesë tjetër të ditës. Duken e zhduken. Dielli ende i pranishëm në këtë nëntor që vazhdon rrugëtimin. Ndonjëherë edhe në mbretërinë e ca mbrëmjeve të bukura e muzgje të kthjellëta me çaste të këndshme. E gjethet vazhdojnë t’i braktisin degët e trungjeve, derisa t’i lënë ato fillikat. E nëpër gjethe bredhash e pishash rrinë kacavarur pika rrëshire, që po t’u afrohemi pak më ngat me të drejtë mund t’i emërtojmë si lotë nëntori, a edhe lotë vjeshte. Vazhdojmë rrugëtimin jetësor me masa që ndryshojnë, e vendimeve që merren për  vërtitjen e virusit enigmatik. E tash vërshojnë njoftimet për zbulim vaksine që pritet ta zgjidh këtë problem gjithëbotëror. Në shumë lokale rrijnë njoftimet se s’lejohet hyrja pa maska e pa dorëza, ndërsa për maskat vlejnë mbishkrimet, dorëzat pothuajse nuk i përdor askush. Temë tjetër e madhe dhe e shumëpërfolur është edhe e ashtuquajtura: Gjykata speciale. Thua se vetëm këtë barrë problemi e kishim mangut. Aleatët tanë edhe këtë herë janë fjalët, saqë dalin lloj-lloj formulimesh. Njëri nga to: “Bac çka është kah bahet, na mbytën sloganet!”, veçse shton më shumë pluhurin e grumbulluar tash e sa kohë. Ndërkohë ndërtimet vazhdojnë, e punëtorët tashmë kanë filluar të ndezin zjarre rreth objekteve, në qiell të hapur, rreth së cilave, ngrohen paksa.

Ashtu siç po mundohemi të ngrohemi në shoqërinë e ndonjë libri, herë pas here. Dhe herë-herë veten po e shohim aktiv në jetë e në përballimin e saj. E herë-herë pasiv. Herë gjysmë kështu e herë gjysmë ashtu. Të këndellur e të kalamendur. Mes vullnetit e plogështisë. Në një mjedis të ftohtë të ngrohur nga përpjekjet në jetën që vazhdon…