Përurim libri: Duke shfletuar Albumin, “Histori shkodrane në fotografi” nga Pjetër Logoreci me përkujdesje, hasim në foto të vjetra origjinale, të përcjella edhe me shënime përkatëse sqaruese, për qytetin e lashtë të Shkodrës, për masakrat e Malit të Zi në Shkodër, në të cilin janë të paraqitura fotografitë e shkodranëve të vrarë, të vdekur nga uria, malazezët duke plaçkitur pazarin e Shkodrës, paskëtaj fotografi të personalitete shqiptare që kanë studiuar dhe kanë lënë gjurmë në Vjenë etj.
Shkodra- Djepi i kulturës dhe traditës shqiptare. Dje dhe sot. Aty, ku më mirë se gjetkë ruhet amaneti i brezave liridashës. Aty, ku natyrshëm, gërshetohen: mençuria dhe trimëria; besa dhe burrëria, mikpritja dhe bujaria! Shkodranë më, thoshin pleqtë tanë urtakë! Aty, ku nga katërqind dërhemë mend që ka gjithë bota, treqind zunë vend pranë Taraboshit historik e midis Drinit, Kirit e Bunës…
Dhe, në mesin e Atyre që i dhanë emër qytetit të Rozafës, qenë edhe Logorecët, familje e vjetër, e përmendur që në vitin 1304, me emrin Logoreseos. Të djeshmit e të sotmit. Të gjithë, të dijes e të historisë!
Kjo u dëshmua edhe sot, më 28 korrik 2021, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, kur u bë përurimi i librit-fotoalbum “Histori shkodrane në fotografi” nga Pjetër Logoreci.
Ky libër faktografik sjell fotografi të panjohura të Shkodrës që janë nxjerrë nga arkivat austriake 1908-1918. Duke shfletuar Albumin me përkujdesje, hasim në foto të vjetra origjinale, të përcjella edhe me shënime përkatëse sqaruese, për qytetin e lashtë të Shkodrës, për masakrat e Malit të Zi në Shkodër, në të cilin janë të paraqitura fotografitë e shkodranëve të vrarë, të vdekur nga uria, malazezët duke plaçkitur pazarin e Shkodrës, paskëtaj fotografi të personalitete shqiptare që kanë studiuar dhe kanë lënë gjurmë në Vjenë etj.
“Fotoalbumi historik “Histori Shkodrane në fotografi” është vepër me vlera kombëtare nga puna e tij hulumtuese 6 vjeçare në arkivat dhe bibliotekat austriake. Do theksuar, se Pjetër Logoreci, vazhdon traditën e shkëlqyer në shërbim të kulturës, artit dhe progresit kombëtar. Vjena, ku studiuan figura të njohura historike mes tyre edhe Logorecët, e ruan vazhdimësinë edhe në ditët e sotme, tha pos tjerash, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, autori i shumë veprave, z. Hazir Mehmeti.
“Kur kam parë fotografinë e Portalit të Katedrales së Shkodrës që mban emrin Shën Stefan, të njëjtë si Katedralja e Vjenës, kam mbetur i shtangur. Portali është një vepër arti, i punuar nga dora e Kolë Idromenos, me financimin e Austrisë e cila ka financuar edhe në ndërtimin Katedrales së Shkodrës. Për të shmangur abuzimet me financimet në ndërtimin e objekteve, konsullata austriake në Shkodër ka dokumentuar në fotografi të gjithë objektet e ngritura me këto donacione. Kështu gradualisht nga aty më lindi frymëzimi që të bëja një album për Shkodrën, edhe pse e dija që ishte vështirë, kërkonte kohë, mund dhe shpenzime” – shprehet autori i librit, i palodhuri, z. Pjetër Logoreci!
Pata fatin që nga autori, përveç librit që u përurua, të pranoj edhe një dhuratë të veçantë me vlera gjuhësore, librin e të madhit, Imzot Ndre Logoreci!
Urime e suksese të pandalshme, i nderuari mik, Pjetër Logoreci!