“Arbëresha” me “Vëllezërit Arbëreshë” kulmuan me program artistik në Zvicër

Në kuadër të Vitit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe 14 vjetorit të themelimit të Ansamblit “Arbëresha” te Sirnahut, mbrëmje e 27 Janarit 2018 në Bronschhofen të St.Gallent u kthye në një festim të vërtetë me ngjyrim vëllazëror, pasi aty merrte pjesë edhe Grupit folklorik “Vëllezërit Arbëreshë” nga Kalabria bashkë me dy personalitete të shquara: At Antonio Bellusci (Belushi) dhe Monsinjor dom Lush Gjergjit

Testi e fotot: Rexhep Rifati


Me këtë rast Ansambli „Arbëresha“ para publikut artdashës u paraqit me një kore dramë për Gjergj Kastriotin, duke lënë një mbresë të shkëlqyeshme si me numrin e artistëve ashtu edhe cilësinë e programit. Atmosferën e bënë edhe më të veçantë e frymëzuese artistët arbëresh të ardhur nga Kalabria, në krye me Michele Greco , me një repertor këngësh që nga migrimet e para nga trojet stërgjyshore.
Pasi me një minutë heshtje u nderua figura e ish- kryetarit të Ansamblit “Arbëresha”, Lulzim Saliquni, me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua, kryetari i tashëm i ansamblit Ndue Uka, i cili pasi përshëndeti të pranishmit i bëri një vështrim të shkurtër rrugëtimit 14 vjeçar të ansamblit. Me fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtuan edhe dom Albert Demaj, udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar për Zvicrën Lindore si dhe At Antonio Bellusci (Belushi) dhe Monsinjor don Lush Gjergji.
Edhe ambienti ku u shënua ky jubile ishte më se impozant: ngase në skenë ishte vendos një flamur i madh kombëtar te cilin e kishte sjellë mërgimtari Pirro Qendro , një veprimtar i shquar, që prej vitesh bënë ndërlidhjen e grupeve artistike arbëreshëve me trojet e të parëve e së voni edhe me mërgatën shqiptare në Evropë.
Vepra kryetrimit ka nxitur të gjitha lëvizjet tona kulturore e kombëtare

Me këtë rast Ndue Uka veçoi disa nga mysafirët e pranishëm siç ishin At Antonio Bellusci, Monsinjor don Lush Gjergji, kryetari i Grupit folklorik i “Vëllezërit Arbëresh” Mishele Greko, themeluesin e “Arbëreshës” dom, Marjan Markun, koreografi Xhemali Berisha e të tjerë. Ndue Uka, më pastaj nënvizoi se: “ Sivjet shqiptarët kanë një përvjetor të lavdishëm- 550 vjetorin e kalimit në amshim të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ndaj edhe jeta dhe vepra e tij, tash e 550 vite, na kanë udhëhequr si popull që të qëndrojmë të pathyeshëm përballë Perandorisë së madhe Osmane dhe gjithë armiqve tjerë. Duke e pasur frymëzim figurën e tij, kemi arritur të mbijetojmë dhe kemi ardhur deri në ditët tona. Vepra e tij ka nxitur të gjitha lëvizjet tona kulturore e kombëtare.

Arbëreshët e Italisë frymëzim për vet ansamblin “Arbëresha”

Më tej Uka theksoi se ky është vit i madh për kombin shqiptar dhe se edhe për vet Ansamblin “Arbëresha” ka vlerë të veçantë, pasi ansambli bart emrin e atyre arbëreshëve, që pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, u detyruan të emigronin në Itali, duke mos e harruar gjuhën dhe kulturën, doket dhe zakonet, por edhe duke shkruar shqip, lutur shqip dhe jetuar shqip. Dhe se pikërisht. Ky është frymëzim edhe për Ansamblin tonë.

Duke u ndalë tek rrugëtimi i Ansamblit “Arbëresha”, kryetari i kësaj trupe artistike përkujtoi se: Me punë të palodhshme dhe përkushtim të sinqertë, ia kemi dalë që të bëjmë punë të madhe, të organizojmë aktivitete të shumta dhe të marrim pjesë në manifestime të mëdha të kulturës shqiptare kudo në diasporë dhe vendet tona.

Qëllim integrimi e jo asimilimi

Ndërkaq sa i përket synimit: Qëllimi i themelimit të Arbëreshes që në fillimet e hershme ka qenë dhe mbetët bashkimi i të rinjve dhe fëmijëve tanë qe të integrohemi e mos të asimilohemi. Aktualisht Ansambli Arbëresha është e përbërë në tri grupe: 1) Grupi i valleve të Fëmijëve, ku mësuese është Marie Saliquni gruaja e të ndjerit Lulzim Saliquni 2) Grupi i të rriturve kerograf Ndue Uka dhe 3) Grupi Orkestral, përgjegjës Nue Pali. Sipas tij: Katërmbëdhjetë vite pune të Ansamblit tonë, janë vite të mbushura me shumë sfida, humbje, suksese e lavdi.
Por, ne vazhdojmë të palodhur rrugëtimin tonë me vepra të reja. Ndaj edhe si çdo herë, ne kërkojmë gjithmonë përkrahjen tuaj, pa të cilën, ne e kemi të vështirë ekzistencën.
Më pastaj kryetari i “Arbëreshës” iu drejtoi një falënderim gjithë atyre që ndihmuan si në themelim, bashkëpunim, koreografi, sponsorim, informim e të tjerë. Për ta përmbyllur fjalën e tij me fjalën se : Ansambli “Arbëresha” është shtëpia jonë e përbashkët, prandaj, t’u kthehemi vlerave tona, tokave tona!

Atmosferë sa kulturore aq edhe vëllazërore

Mbrëmja kaloi ne një atmosferë sa kulturore aq edhe vëllazërore , sepse kishte arrit të tubojë brenda një salle jo vetëm mërgimtarë nga Zvicra por edhe shtetet fqinje, por edhe mysafirë nga Kosova e Kalabria. I tërë ky organizim u mbështet nga Misioni Katolik Shqiptarë në Zvicrën Lindore, me seli në Sirnach që drejtohet nga udhëheqësi i këtij misioni don Albert Demaj, i cili edhe ishte organizator edhe i një akademie me tema kushtuar veprës dhe jetës së Skënderbeut dhe të një meshe kushtuar kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ishte kjo një ngjarje me peshë sa kulturore aq edhe kombëtare, që i kushtohej 55o vjetorit të kalimit të heroit kombëtar në pavdekësi.
Në kuadër të këtij manifestimi pati edhe dy artistë mysafir: punuesin e instrumenteve folklorike, siç janë lahutat e çiftelitë Kristian Zefin e që kishte ardhur nga Italia për tu paraqitë me disa pika në program si dhe këngëtari i mirënjohur Sinan Vllasaliu, qe mbuloi pjesën e dytë të programit me raportuarin e tij të pasur.