Mbi dy dekada rrite tejet cilësore të Ansamblit “Arbëresha” në Zvicër

Qindra mërgimtarë jo vetëm nga rrethina e kantonit Thurgau, por edhe nga anë të ndryshme të Zvicrës e shteteve fqinje që ia mërsyen mbrëmë Frauenfellidit, për pjesëmarrje në 21 vjetorin e themelimit të Ansamblit Folklorik “Arbëresha” në Zvicër, mbetën më se të entuziazmuar me programin sa masiv aq edhe cilësor të këtij ansambli që për dy dekada përjetoi një rritje rapide, që të numërojë tash rreth 100 anëtarë moshash të ndryshme.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Manifestimi filloi përmes një defileu të të gjithë anëtarëve të “Arbëreshes”, që vërshuan në dy anët e sallës për tu ngjit triumfalisht në skenën e stolisur me emblemën e madhe të  ansamblit. Për të vazhduar me përshëndetjen e gjithë pjesëmarrësve nga ana e kryetarit të ansamblit, Avgustin Uka, i cili në veçanti falënderoj praninë e konsullit të Kosovës në Cyrih, Vigan Berishës, të misionarëve të  misioneve katolike shqiptare, pjesëmarrjen e ansamblit simotër “Shqiponja” nga Lucerni, si pjesëmarrëse në program , pastaj koreografët dhe drejtuesit e  AKV “Emin Duraku” nga Shkupi në krye me Fadil Zenelin, si dhe këngëtarin Valon Islamajn.

Ukaj potencoi se në saje të vlerave kulturore e shpirtërore, sot Ansambli “Arbëresha” ka një emër të respektuar dhe admirohet edhe jashtë komunitetit tonë, falë punës dhe kontributit të saj ndër vite. Ndaj edhe ky program festiv shënon edhe një vlerë e cilësi të re.

Ndërsa misionari Don Marijan Lorenci nga Misioni Katolik Shqiptar në Sirnach, potencoi se :  Sot me një ndjenjë të thellë gëzimi e krenarie , jemi mbledhur këtu për të festuar një ngjarje të veçantë : 21 vjetorin e Ansamblit Folklorik “Arbëresha”. Ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për ansamblin tonë, por edhe për të gjithë ne që e duam dhe e mbështesim kulturën dhe traditat tona. Ansambli “Arbëresha” është themeluar në Misionin Katolik Shqiptar dhe që nga ajo kohë , ai ka qenë një dritë udhëheqëse për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Gjatë këtyre 21 viteve , ne kemi pas mundësinë të sjellim në skenë bukurinë e këngës dhe valleve tona, duke i dhënë jetë traditave që na përfaqësojnë.

Ndaj edhe le të vazhdojmë të jemi një burim frymëzimi për të rinjtë tanë, duke i inkurajuar ata të angazhohen në ruajtje e traditave tona dhe të ndjejnë krenarinë për identitetin e tyre.

Gjithashtu një përshëndetje përgëzimi pati edhe udhëheqësi i Misionit Konsullor i Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha , i cili ndër të tjera tha se:

Sonte kemi kënaqësinë të marrim pjesë në festimin e 21-vjetorit të Ansamblit «Arbëresha», një shembull ky  i jashtëzakonshëm i ruajtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare në Zvicër. Për më shumë se dy dekada, ky ansambël ka qenë një urë e fortë mes traditës dhe brezave të rinj, duke përcjellë vlerat tona kombëtare përmes këngës, valles dhe artit skenik. Përkushtimi dhe puna e palodhur e anëtarëve të «Arbëreshës» janë një kontribut i çmuar në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.

Në emër të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, urojmë për këtë përvjetor të rëndësishëm dhe dëshirojmë suksese të mëtejshme ansamblit dhe gjithë atyre që kontribuojnë në ruajtjen e kulturës sonë.

Krahas artistëve të të gjitha moshave të Ansamblit “Arbëreshës” që dolën në skenë me një program të përzgjedhur udhëheqësi artistik Nua Uka dhe me disa koreografi të reja nga Avniu e Xheneta, koreografë nga AKV “Emin Duraku” i Shkupit, të cilët edhe sollën disa dhurata simbolike për ansamblin nikoqir, pjesë e programit me dy-tri pika muzikore ishte edhe Ansambli “Shqiponja” nga Lucerni. Me të përfunduar të pikave muzikore të dy ansambleve, programi vazhdoi me këngëtarin e estradës kosovare Valon Islamin, duke i dhënë jubileut karakterin e një manifestimi gjithëpërfshirës.