E hënë, 19 prill 1999, Kukës: Prishtina e kthyer në një qytet fantazmë

 

 

Thuhet se Prishtina është kthyer në një qytet fantazmë. Në një qytet fantazmë ku s’mund të lëvizë as- kush lirshëm, përveç forcave policore dhe ushtarake serbe. Përmbi ndërtesa lëvizin e lëvizin korba.  Dhe korbat sillen ditën e natën.

Nga ditari i Petrit Palushit, Kukës

 

Qazim Metaj, nga Prishtina erdhi në Kukës me vëllain, Skënderin dhe familjet e tyre në mesditën e 1 prillit. Ai thotë se duke udhëtuar prej Prishtine në Morinë i dukej se po ecte nëpër një shkretinë dhe   gjithë rrugën e gjatë e rëndonte era e gjërave të bëra shkrumb.

I them Qazimit se erdhi prej një qyteti fantazmë. I them gjithashtu se kisha dëgjuar për njerëzit fantazma, por, së paku deri më sot s’kam dëgjuar se ka qytete të tillë.

Ai thotë se aty po bëhet ajo çfarë s’mund t’ia marrë mendja njeriut, se aty policia u është vërsulur jo vetëm njerëzve, por edhe ndërtesave. Aty policia

hungëron, siç hungërojnë qentë dhe qentë duan të përtypin njerëzit, ndërtesat dhe po patën mundësi të përtypin edhe qiellin.

Ai, më thotë se kur është larguar nga Prishtina ka menduar se s’do kthehet më aty dhe i është dukur se e ka pa atë për herë të fundit dhe e ka humbë për përherë. I dukej se tani e mbrapa do ta shihte vetëm në ëndërr, por ajo do t’i ikte edhe nga ëndrra. Dhe duke ardhë për në Kukës, i dukej se qe vendosur jo mbi një kamion, por në diçka pak si tjetër lloj , të ngjashëm me kamionin, veçse të mbushur me lot dhe trishtim të pandërprerë. Kur erdhi në Morinë, trishtimi dhe pezmi iu shtua. Morini, një katund i varfër, me shtëpi të rralla dhe kudo përreth, gurishtë – gurishtë. Duke iu afruar Kukësit, pak më ndryshe. Varfëria qe më e zbutur ose qyteti po përpiqej të dilte prej varfërisë së vet. Njerëzit kishin hapur dyert, ndërsa qyteti i ngjante një kështjelle që e kish hapur derën krah e më krah.

Kur unë i them Qazimit se në Prishtinë policia serbe s’mund të përtypë njerëzit, as ndërtesat, as qiellin, se qielli s’do jetë më i policisë sikur ka dashur ta ketë ajo, atëherë ai fillon me derdhë lot si fëmijë, sikur po i kthehej diçka e shenjtë dhe që mezi priste ta merrte.