(Poezia e cila nga juria e Shkshz-së fitoi Çmimin « Penda e artë-Martin Camaj 2022 »)
Fryu erë e Buenës
e i zgjoi burrat nga gjumi.
Rozafës ia përkëdhelte gjoksin
një tregtar nga Venediku,
burri nuk ia kish çuar për gji birin!
Kurvari apo tregtari,
mbushte shishe speciale “Nestle” me qumësht për bebet,
nga gjiri i ngrohtë i Rozafës,
e ia puthte,
se burri nuk i shkonte;
as Shekspiri, as Arbër Ahmetaj s’kishin lindur,
veç legjendat dhe tragjeditë
sapo qenë thinjur.
Fryu erë e Buenës,
fryn e s’ka të sosur,
e s’heq dot as mjegullën, as dhimbjen,
mbi një grua të murosur!

















