Ansambli “Vatra”, një aset kulturor i shqiptarëve në Zvicër

Padyshim se “Vatra”, duke qenë në mesin e ansambleve më të mira shqiptare në Zvicër, si për nga numri i anëtarëve, ashtu edhe për nga cilësia e prezantimeve, paraqet një aset të rëndësishëm kulturor, jo vetëm regjional apo kantonal, por edhe më gjer, pasi ajo duke qenë prezentë me programet e saja jo vetëm në shtetin helvetik dhe shtete për rreth në Evropë apo edhe në trojet etnike, deri në Festivalin kombëtar të Folklorit në Gjirokastër, ka dëshmuar se me programet e saja cilësore, mund të jetë konkurrente edhe në ngjarje të mëdha kulturore.

Shkruan Rexhep Rifati, gazetar, Cyrih

Diku para vitit 1995, para migrimit tim në Zvicër, kisha përcjell një ngjarje kulturore në Shoqatën “Përparimi” të Cyrihut, ku ndër të tjera u shfaqen edhe disa pika artistike, kryesisht këngë e valle nga Klubi i atëhershëm Vatra, me seli në Bylah. Ndërkohë, pas migrimit, isha pjesëmarrës në disa takime të kryesisë së këtij klubi, që atëbotë zhvillonte një aktivitet gjithëpërfshirës, që pos grupit të këngëve e valleve kishte edhe disa seksione apo grupe të tjera, që merreshin edhe me aktivitete shoqërore, humanitare e sportive. Ndaj edhe salla e klubit “Vatra”, zakonisht stolisej, pos  me foto të grupit të valltarëve edhe me kupa e mirënjohje që kishin fituar sportistët e ri të këtij klubi.

Dhe, ajo që binte në sy gjatë takimeve të klubit, që udhëhiqej nga profesor Hysen Berisha ishte se aty përfaqësoheshin breza të ndryshëm: grupi i të moshuarve, që kryesisht ishin të përqendruar në veprimtari humanitare e atdhetare, që angazhohej në atë, sesi të ndihmohej Kosova dhe popullata e saj, që akoma rënkonte nën prangat e pushtimit serb. Ndaj edhe grumbulloheshin ndihma humanitare, qoftë në të holla apo edhe veshmbathje, pasi po këtu vepronte edhe një nëndegë e shoqatës humanitare “Nëna Terezë”. Brenda klubit mesa më kujtohet ekzistonte edhe një seksion që mbante ndërlidhjen për çështjen e shkollimit e në veçanti të mësimit plotësues shqip e që udhëhiqej nga veprimtari tashmë i ndjerë Bajram Aruqi.

Në rrethanat e reja që u krijuan, kur u themeluan edhe degë e shoqata qoftë të natyrës humanitare apo institucionale, me vet nevojat e kohës, nga Klubi Shqiptar “Vatra”, më parë si shoqëri e më vonë edhe si ansambël lindi dhe u forcua trupa artistike që si për nga cilësia e programeve ashtu edhe numri i anëtarëve përjetoi një lulëzim të vërtetë, duke u bërë një nga ansamblet më të mëdha e më cilësore të shqiptarëve në Zvicër, për të qenë pjesëmarrës jo vetëm në manifestimet e komunitetit tonë vazhdimisht ne rritje, por edhe në radhët e ngjarjeve kulturore bashkë me vendasit dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera.

Rëndësia e tërë këtij organizimi mbështetej në disa shtylla: ish- valltarë të talentuar, që më parë kishin qenë pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Kosovës “Shota”, apo ansambleve të tjera prej nga kishin migruar, ndërsa që pjesa organizative e tëra zhvillohej në baza vullnetare dhe që kishte edhe mbështetjen materiale, qoftë nga vet anëtarët apo prindërit e tyre që përkujdeseshin për blerjen e kostumeve apo të instrumenteve përkatëse.  Me formësimin e programeve kulturo- artistike, që shfaqte Shoqëria Kulturore Artistike “Vatra”, sallat në mjaft raste e sidomos kur shënohej Dita e Flamurit, ishin përplot vizitorë, mjaft nga të cilët duhej të qëndronin në këmbë. Në rastet e tilla njoha edhe disa nga anëtarët më aktiv të kësaj shoqërie.

Duke i përmbledh disa nga kujtimet e mija për përcjelljen e aktivitetit të kësaj trupe artistike për afro tri dekada, do pranuar se shumë gjëra do të mund edhe ti kem harruar, por ajo që nuk shlyhet nga kujtesa, janë prezantimet e “Vatrës”, qoftë si ansambël apo bashkë me simotrat e saja, duke lënë mbresa të pashlyeshme veçmas me grupin e valleve, përmes kreacioneve mbresëlënëse artistike edhe atë jo vetëm të grupit të të rriturve, por edhe më të vegjëlve, që përbejnë pjesën më të dashur dhe ardhmërinë e këtij ansambli.

Padyshim se “Vatra”, duke qenë në mesin e ansambleve më të mira shqiptare në Zvicër, si për nga numri i anëtarëve, ashtu edhe për nga cilësia e prezantimeve, paraqet një aset të rëndësishëm kulturor, jo vetëm regjional apo kantonal, por edhe më gjer, pasi ajo duke qenë prezentë me programet e saja jo vetëm në shtetin helvetik dhe shtete për rreth në Evropë apo edhe në trojet etnike, deri në Festivalin kombëtar të Folklorit në Gjirokastër, ka dëshmuar se me programet e saja cilësore, mund të jetë konkurrente edhe në ngjarje të mëdha kulturore.

Ti kthehem më konkretisht disa shkrimeve të mija kushtuar “Vatrës”, si edhe një kapitulli të librit tim “Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje” ku figurojnë këta rreshta kushtuar këtij ansambli:

“Një ndër shoqëritë më të njohura shqiptare në Zvicër, si për nge numri i anëtarëve ashtu edhe për nga cilësia e programit, pa dyshim është  Ansambli “Vatra” me seli në Bylah të kantonit të Cyrihut.

Emri i kësaj shoqërie daton këtu e dy dekada më parë, në fillim si klubi kulturor shqiptar „Vatra“, që zhvillonte një gamë të gjerë aktivitetesh në fushën e artit e kulturës, të aktivitetit kombëtar e humanitar, por edhe sportiv. Kryetar i parë i këtij klubi ishte profesor Hysen Berisha. Nga një bisedë e mëhershme me të, mësuam se në nismë, pikërisht më 1993, po në Bylah qenë tubuar mbi 600 bashkëkombës për të themeluar një klub me taban shqiptar. Seksioni i valltarëve e këngëtarëve të këtij klubi, në nëntor të vitit 1994 arrin të shndërrohet në një shoqëri kulturore artistike, po me emrin „Vatra”.

Nga viti në vit, duke u bërë një prezantuese e denjë e një pjese të kulturës sonë edhe para komuniteteve të tjera në Zvicër, “Vatra” arriti të fitojë simpatinë e një numri të madh artdashësish, si në rrethin ku veproi e më vonë edhe në Zvicër dhe jashtë saj. Madje viteve të fundit ajo u dallua edhe si pjesëmarrëse e disa festivaleve si në Kosovë, Berlin e po ashtu edhe në festivalin folklorik “Gjirokastra 2009”.

Në gjirin e „Vatrës“ deri më tash defiluan mjaft amatorë, por edhe profesionistë që dikur ishin edhe anëtarë të ansamblit kombëtar „Shota“ në Kosovë. Ndër ata që u shquan me aktivitet të pandërprerë me vite janë sidomos veteranët Nexhmedin Jusufi, njëherësh kryetar i shoqërisë, Arsim Berisha, Fatmire Kajtazi (edhe si valltarë e koreografë), Rexhep Dreshaj, Ilmi Luma, si dhe grupi vajzave me Aida e Afërdita Aruqin, Jeta Ismailin e shumë të tjera. Në mesin e talenteve të reja, si vallëzuese, shquhet Mërgime Aruqi. Në gjirin e “Vatrës” kontribute të veçanta dhanë edhe koreografët Xhemali Berisha, Nexhat Sahitaj e Rrustem Selca, ndërsa “Vatra” pati një bashkëpunim të mirë thuajse me të gjitha grupet artistike simotra, ndërsa, në mjaft raste, edhe koreografët e “Vatrës” ndihmuan me përgatitje grupet tjera artistike.

“Vatrën” nuk e bën të njohur vetëm jetëgjatësia e saj në skenë, por sidomos programet dhe pikat e përzgjedhura artistike, të interpretuara nga valltarë më të moshuar, por edhe nga ata më të rinj, tejet të zellshëm e të talentuar. Me kreacionet e tyre, ata lanë përherë mbresa të mira para publikut, duke i falur atij interpretime të bukura, përplot gjallëri e kolorit. Qëndrueshmërinë e “Vatrës” e bën edhe më afatgjatë ndihma e prindërve, ngase pati edhe familje që të gjithë fëmijët e saj i pati angazhuar në ansambël.

Duke u shkëputur nga teksti i librit tim, do theksuar se nuk mund e të mos kujtoj me pietet e respekt edhe disa artistë apo aktivistë, që njoha përbrenda kësaj shoqërie apo ansambli, që nuk janë më në këtë botë e që u shquan me kontribute të veçanta artistike, humanitare e arsimore, siç ishin: Rrustem Selca, Hasan Daka, Zeqë Berisha dhe Bajram Aruqi, që secili në mënyrën e vet ka lënë vulë në këtë shoqëri.

Por ajo që e çmoj si parësore, është një vlerësim i lartë për të gjithë ata artistë të “Vatrës” së Zvicrës që e filluan punën në këtë vatër kulture e atdhedashurie, në krye me Nexhmedin Isufin, për ti përballuar të gjitha sfidat, në mënyrë që ky ansambël të ruaj e të avancojë modelin e një shoqërie të mirëfilltë kulturore, që ruan jo vetëm vlerat, por edhe përtërinë vazhdimësinë përmes grupit të fëmijëve, që paraqesin ardhmërinë e ndritshme të vet “Vatrës”, që bartë në vete një pjesë të kulturës së vendlindjes në një shtet të huaj, shtet ky që krijon hapësirë për kulturat e të gjitha komuniteteve pavarësisht gjuhën dhe madhësinë e tyre.

Ndaj edhe krejt në fund një mirënjohje për një jetë prej afro tri dekadash Ansamblit “Vatra” dhe të gjithë anëtarëve e prindërve, por edhe të gjithë atyre që e mbështesin e përkrahin, qoftë moralisht apo financiarisht këtë trupë artistike, sepse duke e ndihmuar atë, ndihmojnë edhe jetëgjatësinë e kulturës shqiptare në mërgatë.