Albin Kurti po merr pjesë në mbledhjen e Internacionales Socialiste në Tel Aviv

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti, bashkë me udhëheqësin e sekretariatit për marëdhënie me jashtë Kreshnik Ahmeti, kanë qëndruar për disa ditë në Tel Aviv, me rastin e mbledhjes së Internacionales Socialiste.

Në postimin e tij në facebook Kurti ka thënë se në diskutimet me pjesëmarrës nga e mbarë bota, kanë folur për sfidat e së majtës dhe krizat ndërkombëtare, marrëdhëniet bilateral dhe nevojën që të njihet e pranohet Republika e Kosovës.

“Nga Angola dhe Mali te Franca dhe Belgjika, nga Brazili dhe Paraguaji te Meksika, nga Italia dhe Greqia te Filipinet, nga Palestina te Izraeli, patëm bashkëbisedime të hapura, impresive dhe të vlefshme”, ka thënë Kurti.

Në ditën e dytë të mbledhjes së Internacionales Socialiste që u mbajt në Tel Aviv, në fjalën e tij, Kurti ka theksuar:

“Izraeli është shumë shtet, është më shumë se shtet. Palestina është pak shtet, është më pak se shtet. Kërkesa për zgjidhjen me dy shtete është shprehje e kërkesës për barazi.

Shumë politikanëve e partive, regjimeve të ndryshme anekënd globit, u bëjmë favor kur i quajmë populistë. Sepse shpesh ata janë veçse racistë ose fashistë ose edhe të dyja këto.

Sikurse çlirimi edhe zhvillimi vjen nga brenda. Mund të ndihmohet prej jashtë, por nuk nis dot prej jashtë. Kësisoj edhe mirëmbahet qasja nga poshtë-lart, nëpërmjet së cilës ruhet prioriteti i socio-ekonomisë mbi gjeopolitikën e që është detyrë e të majtës kudo e kurdo.”